Fule në Maqedoni: Deri në fund të vitit, të zgjidhet emri

Eurokomisioneri për zgjerim i BE-së, Shtefan Fule i cili po viziton Maqedoninë, theksoi se është optimist dhe pret që deri në fund të vitit, të zgjidhet kontesti i emrit. Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Nikolla Gruevski, ai nënvizoi se për këtë deklaratë, niset nga mirëbesimi i krijuar mes Gruevskit dhe Papandreut për zgjidhjen e këtij problemi.
“Zgjidhja do të ishte e mirë për vendin, për njerëzit dhe biznesin. Vendi juaj meriton të jetë pjesë e një fotografie pozitive. Inkurajoj Gruevskin dhe Papanreun, që të veprojnë dhe të punojnë sa më shumë të jetë e mundur, që të zgjidhet emri”, theksoi Fule.
I pyetur se zgjidhja e problemit të emrit a do të thotë fillim i negociatave me BE-në, eurokomisioneri theksoi se duhet të pritet raporti që do të publikohet më 12 tetor, për të parë se a duhet që Maqedonia sërish si në vitin 2009-2010 të marrë rekomandimin për fillimin e negociatave. Nga ana tjetër, kryeministri Gruevski nënvizoi se Qeveria e re do të jetë proaktive dhe konstruktive për zgjidhjen e kontestit të emrit, realizimin e reformave dhe standardeve evropiane, etj.