E Shtunë, 31 Tetor 2026

A duhet të ketë dialog PS-PD?

Nga Preç Zogaj

Dalja e Raportit përfundimtar të ODHIR-it për zgjedhjet e 8 majit ka rikthyer thirrjet për dialog të ndërkombëtarëve drejtuar forcave politike shqiptare, më saktë Berishës dhe Ramës si krerët respektivë të shumicës dhe opozitës. Si në një ritual që përsëritet prej vitesh nga zgjedhjet në zgjedhje, trojka e ambasadorëve të nderuar të SHBA-ve, BE-së dhe OSBE-së ishin të përpiktë në daljen e radhës dhe në kërkesat e radhës: Të fillojë dialogu! Të reformohet Kodi! Të zbatohen rekomandimet që shoqërojnë Raportin.

Me gjithë çfarë ka ndodhur e çfarë është shkruar në raportin e ODHIR-it për zgjedhjet e fundit në Tiranë kjo thirrje të lë pa gojë. E megjithatë duket korrekte, e paqortueshme, nga ato që nuk ke ku ta kapësh. Dialogu është mjeti i marrëveshjes në demokraci. Të kërkosh dialog është fisnike. Të kërkosh dialog është gjëja me e lehtë për dikë që pozicionohet në mes si palë e tretë. Të kërkosh dialog je gjithnjë brenda. Të gjitha këto janë të vërteta, por jo gjithë e vërteta. Ekziston edhe dialogu për dialog, sa për të larë gojën, sa për të prodhuar një fotografi duarsh që shtrëngohen, pa hyrë në thellësi të shkaqeve që kanë prodhuar dhe ushqejnë një krizë apo një ngërç politik. Është provuar me dhjetëra e qindra herë se ky lloj dialogu është mashtrim. Është gjëja më sterile që mund të mendohet. Është më i keq se konflikti, pasi krijon iluzione dhe vret në thelb shpresën për ndryshime.

Të kuptohemi! Ndërkombëtarët nuk po kërkojnë dialog për dialog. Nuk kanë asnjë arsye të bëjnë teatër në Tiranë. Përkundrazi. Ata duan të bëhet më e mira; qëllimet e tyre janë vetëm të mira. Por qëllimet e mira nuk të çojnë gjëkundi pa mjetet e duhura. Ka diçka sipërfaqësore dhe libreske në mënyrën si e shohin dhe e si adresojnë ambasadorët thirrjen e tyre për dialog; shihet qartë se duan ti bien shkurt, duke rrezikuar tu dalë gjatë, siç thotë një shprehje e popullit. Thirrjet e tyre nuk kanë tingullin, forcën dhe besueshmërinë që kanë pasur dikur, në dekadën e parë të tranzicionit demokratik. Ato vinë duke u shuar pa jehonë, nga zgjedhjet në zgjedhje, si thirrjet në shkretëtirë. Kjo ndodh jo se shqiptarët nuk e njohin dhe nuk e duan dialogun si vlerë. Absolutisht jo. Momentet më të ndritshme të tranzicionit tonë demokratik, aq pak sa janë, shkëlqejnë si vepra të mirëkuptimit dhe konsensusit politik të gjetur me durim dhe të respektuar me korrektësi nga të gjitha palët. Arsyeja pse dialogu ka filluar të tingëllojë si një fjalë e keqe në mjedisin politik dhe shoqëror të vendit ka të bëjë pikësëpari me komprometimin e tij, që është diçka më e rendë se dështimi. Dialogu komprometohet si vlerë kur shkelen, braktisën apo tradhtohen frytet e tij. Kjo ka ndodhur e po ndodh në Shqipëri. Kur dëgjon si reagojnë njerëzit, kupton një gjë të rëndë: Dialogu nuk është më një burim shprese, siç duhet të jetë, por një burim frike. Shumë njerëz kanë frikë se po të ulen krerët e partive kryesore edhe me keq do të bëhet. Nuk është paranojë. Është përvojë. Përvojë negative e thelluar nëpër vite. Publiku shqiptar e di dhe ndërkombëtarët duhet ta dinë: përpara se të eksperimentonte formulën e një KQZ-je të kompozuar politikisht, si kjo që prishi zgjedhjet e 8 majit në Tiranë, Shqipëria ka pasur të ashtuquajturën KQZ jopolitike, të kompozuar me individë gjoja të pavarur. Në zgjedhjet vendore të vitit 2000, formula e KQZ-së me të pavarur çoi në një raport gjashtë me një në favor të shumicës socialiste të kohës. Kalimi nga KQZ-ja pa parti te KQZ-ja politike është bërë nga një tryezë bipartizane në bazë të një rekomandimi të OSBE-së. E njëjta gjë ka ndodhur me Gjykatën e Zgjedhjeve. Në vitin 2001, ankesat zgjedhore i shqyrtonte Gjykata Kushtetuese. Pas këtij viti, meqenëse në këtë gjykatë u tjetërsuan mandate deputetësh, me rekomandim të OSBE-së dhe me konsensusin e dy forcave kryesore politike në vend u vendos krijimi i Kolegjit Zgjedhor. Ja, i këtij Kolegjit që damkosi së fundi ODHIR-i. Mund të vazhdojmë me shumë shembuj të tjerë të kalimit nga shiu në breshër apo nga breshëri në shi, ku zgjedhjet shqiptare rregullohen aty ku prishen në zgjedhjet e fundit dhe prishën aty ku janë rregulluar në zgjedhjet e parafundit. Dhe kështu pa mbarim, në një farsë të tejzgjatur që kalon nga legjislatura në legjislature me etiketën e reformës zgjedhore! Reformë zgjedhore bipartizane, në bazë të rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it. Zot, na ruaj!

Shembulli më domethënës, apo xhevahiri i farsës, që nuk mund të mos përmendet, është konsensusi i madh Berisha-Rama për të drejtën e hapjes së kutive me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së. Kur nuk i duhej, Berisha e dha pa u menduar dy herë. Kur erdhi momenti për ta zbatuar për zgjedhjet e vitit 2009, ai i tregoi opozitës bërrylin e tij të mbuluar me togat e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Kuptimi i aktit ishte si vijon: Unë ia kam dhënë këtë të drejtë opozitës me mendimin se nuk do ti duhej ndonjëherë, por nuk mund të mos ia merrja kur iu desh vërtetë! Ja, në këtë terren bizantinist të talljeve, pabesive, diversionit, intrigave, hilerave, lojës me maska, shkeljes pa të keq të fjalës dhe marrëveshjeve, poshtërimit dhe dhunës, pra në këtë kënetë e ka tërhequr dhe mbytur komunikimin me opozitën e tij kreu i Ekzekutivit shqiptar. Vitin e kaluar u ul me Ramën në Strasburg. Atje ranë dakord për hetimin parlamentar të zgjedhjeve. Parlamenti Europian nxori edhe një rezolutë konsensuale, ku i kërkonte Shqipërisë të hetonte zgjedhjet. Kur ishte ende një copë letër, zoti Berisha bënte avokatin e flaktë të rezolutës. Por kur erdhi dita për ta vënë në jetë, nxori një bisht dhe kaloi mbi të. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme i vuri në mendime ndërkombëtarët, por reagimi i tyre nuk ishte në lartësinë e sfidës që u kishte bërë Berisha. Në këtë kontekst erdhën zgjedhjet për kryetar bashkie në Tiranë, që shënuan një kulm të arbitraritetit dhe nëpërkëmbjes së kundërshtarit politik. Berisha nuk do ta kishte bërë kurrë atë që bëri me zgjedhjet në Tiranë, nëse Europa do të kishte mbrojtur rezolutën e Parlamentit të saj për hetimin e zgjedhjeve të vitit 2009. Raporti i ODHIR-it e ka përshkruar me detaje domethënëse momentin kur katërshja berishiane në KQZ merr me gojë, me shumicë të thjeshtë, një vendim që nuk e quan akt normativ, pavarësisht se do të prodhojë një normë dhe nuk e hedh në letër dhe turret ta zbatojë pa i lenë askujt afat për apelim, ndërkohë që kutitë e përzgjedhura për tu hapur janë venë në radhë prapa derës. Mu sikur po mban shënim veprimet e një bande, raporti nënvizon faktin se kutitë ishin bërë gati, ndërkohë që merrej vendimi që ndryshonte rregullat e lojës pas mbarimit të lojës. Ambasadorët e nderuar e kanë lexuar këtë paragraf. Kanë lexuar edhe paragrafët e rëndë për Kolegjin Zgjedhor; kanë parasysh patjetër panoramën e talljeve dhe hipokrizisë së qeverisë me marrëveshjet. Dhe përsëri apelojnë për dialog mes palëve për të reflektuar në Kodin e ri zgjedhor rekomandimet e mbartura nga zgjedhjet e vitit 2009 dhe rekomandimet e reja nga zgjedhjet e vitit 2011. Janë të fortë. Janë për tu hequr kapelën, por ka diçka që nuk shkon në mënyrën dhe formën e angazhimit të tyre. Situata e krizës zgjedhore në Shqipëri është e tillë që qeveria dëmton, ndërsa opozita dëmtohet; qeveria vjedh ndërsa opozita vidhet. Në këto rrethana, të kërkosh dialog pa asnjë koment a kusht, mu sikur të bëhej fjalë për dy palë që kanë mundësi dhe arrijnë ti bëjnë të njëjtin dëm njëra-tjetrës, tregon më e pakta mungesë respekti për palën e dëmtuar. Opozita shqiptare është aq e qytetëruar dhe iluminuar sa të kuptojë kurdoherë momentin kur duhet të hedhë prapa krahëve dhunën e qeverisë dhe të ngrihet mbi vetveten për një interes kombëtar. Por, ndërkohë opozita shqiptare është aq dinjitoze dhe me karakter sa të mos ulet për të bërë dialog për dialog me kundërshtarë që e kanë mashtruar, vrarë dhe grab

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›