Autoportreti i Ramës lexohet tek uzurpimi i pacipë i FRESSH-it prej 99-shave
Këto ditë Forumi Rinor Eurosocialist tenton të festojnë njëzet vjetorin e saj, pa themeluesit, por me zaptuesit e rinj. Sigurisht, zaptimi i hapësirave dhe posteve është tipike për të rinjtë që kërkojnë të ngjisin shkallët e pushtetit. Erion Veliaj zapton sot sekretarinë për Rininë socialiste, sipas porosive të Edi Ramës për të shpërfytyruar Partinë Socialiste. Një plan i kurdisur që herët, i menduar deri në detaje, qëkurse Rama ishte kryebashkiak i Tiranës dhe financonte fshehurazi organizatën joqeveritare “Mjaft”, e cila në fillimet e saj organizonte sulme demonstrative e patetike kundrejt qeverisë Nano. Erjon Veliaj ishte krijesa e tij, njeriu i ri që doli nga hiçi, me premtimin se një ditë do të ishte në krye të rinisë socialiste. Kaq mjaftonte për të kënaqur unin e boshit që karakterizonte djalin jetim. Ngjarjet rrodhën me shpejtësi.
Në korrik të 2005, PD-ja fitoi zgjedhjet dhe Fatos Nano dha dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryetarit të PS-së, duke i hapur kështu rrugë pa pengesa ngjitjes së Ramës në krye të Partisë. “Mjaft”-i filloi të lëkundej nga akuzat për afera korruptive (nga 300 mijë euro deri në 5 milion dollarë për evazion fiskal), që Avokati i Mbrojtjes së Konsumatorit dërgoi në prokurori si padi penale. Kërkesat për transparencë ndaj organizatës rinore u shtuan dhe më shumë, pasi Erjon Veliaj doli nga dera e prapme e “Mjaft” për krijuar partinë politike G99. Ky subjekt politik solli ishte thjesht një truk elektoral i Ramës për të neutralizuar sadopak vota që shkonin majtas, drejt LSI-së. Prandaj sulmet mediatike të Erjon Velisë ndaj Ilir Metës u shpeshtuan keqas me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 2009. Edi Rama përdori Velinë dhe ky keqpërdori miqtë e tij dhe frymën e rinisë për të thithur pakënaqësitë dhe shpresën karakteristike të së majtës. Veliaj punonte fort se besonte tek premtimi i Ramës se një ditë do të bëhej sekretari për Rininë socialiste. E thënë kështu duket e trishtueshme, megjithëse, për të qarë është shpenzimi i energjive rinore i të rinjve idealistë në të majtë, që u përdorën si shkallë, ku Veliaj shkelte për t’u ngjitur lart e më lart.
Kuptohet vetiu zgjedhjet parlamentare të 2009 zbuluan rëndësinë minimaliste të organizatës së fryrë mediatikisht të Erjon Velisë. Në Berat, aty ku sekretari i sotëm i Rinisë socialiste u përball me kanibalizmin elektoral në të majtë të Erjon Braçes, i cili me të fortët e kalasë, e nihilizuan forcën shtytëse të Velisë. Ky i fundit edhe pse humbi nuk e çau shumë kokën, ngase në gji kishte premtimin e hershëm të Ramës, një ditë do të jesh sekretar për Rininë socialiste. Veliaj e flaku tej maskën e kryetarit të G99, për të shijuar ca kohë imazhin: i lënduari për t’u mishëruar. Kësisoj socialistët e kishin “tradhtuar” rininë, por jo Velinë.
Sakaq, agjenda radikale e Ramës pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare kërkonte energjie të reja dhe Erjon Veliaj ishte aty për të shërbyer jo vetëm Ramës, por dhe premtimit që ky i kishte bërë, një ditë do të jesh sekretar për Rininë socialiste. Pa Ramën të pushtetshëm në krye të PS-së ky premtim vështirë se realizohej. Prandaj, Veliaj punoi fort, me djersën e mallit u fut dhe në grevën e urisë socialiste për të kaluar provën e zjarrin në sytë e shefit. Ky është mishërimi i politikanit karrierist që bën çdo gjë, të përqafojë çdo ideologji, të ndërrojë çdo parti vetëm e vetëm për të fituar një kolltuk pushteti. Të kujton shkollarin që është i përzgjedhur i mësuesit, servil i pashoq që spiunon shokët e klasës. I hyrë në politikë thjesht nga demagogjia, me lexime aty-këtu dhe sipërfaqësore, larg çdo ideje të mirëfilltë. Dështimi elektoral e konfirmoi qenie jo vertebror të Erjonit. Veliajt mund të t’ia falim të gjitha. Edhe shkatërrimin e shoqërisë civile dhe aktivizmit rinor, keqpërdorimin politik, demagogjinë, pozat prej predikuesi fetar që merr përballë kamerës, disfatën dërrmuese në zgjedhje me atë rezultat qesharak. S’ka gjë. Është jetim.
Sido që të jetë fundi, Erjon Veliaj u kooptua në partinë socialiste me dëshirë të Ramës, në funksion të përmbushjes së premtimit të bërë kohë më parë. Veliaj ia doli më në fund të ishte sekretar për Rininë socialiste dhe sot e zapton këtë post të rëndësishëm partiak me fanatizëm. Edhe pse e tradhtoi nënndërgjegjja para ca ditësh kur tha se programi i PS-së përfaqëson 99 % e të rinjve. Veliaj duhet të ndërgjegjësohet se ish-partia e tij, me akses rinor G99 mori gjatë zgjedhjeve parlamentare 00.99 % të votave. Frymëzimi i 99-të i Velisë shumëzohet me zero.