E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Koha që shqiptarët të ndjehen krenarë - pa pavarësinë e Kosovës flamujt do ishin në gjysmë shtizë

13-01-2012 / Gazeta 55

Qeveria çel konkursin për monumentin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Miratohet logoja zyrtare e festimeve

Qeveria shpall të hapur konkursin për monumentin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit, ndërsa ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve ka përgatitur logon për këtë eveniment, që është një stilizim i shqiponjës.
Në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ndërministror për 100 vjetorin e Pavarësisë, kryeministri Sali Berisha vuri theksin në faktin se, ky 100 vjetor duhet t’u shërbejë shqiptarëve për të vlerësuar më shumë veten e tyre dhe vendin e tyre.
“Ky 100 vjetor t’u shërbejë shqiptarëve për të vlerësuar dhe më shumë vendin e tyre. Ky 100 vjetor tu shërbejë shqiptarëve për të vërtetat më të rëndësishme të veprave të vendit të tyre”, u shpreh Berisha.
Në vlerësimin e kreut të qeverisë, trajtimi mbarëkombëtar është detyrim për të nderuar ata që kontribuuan dhe për këtë arsye duhet të ruhet sensi mbarëkombëtar duke përfshirë dhe diasporën.
“Duhet të jemi aktiv në të gjitha fushat. Në këtë 100 vjetor Ministria e Brendshme të kontaktojë me vendorët që të angazhohen për të organizuar festime në të gjithë vendin”, tha ai.
Në këto festime, Berisha theksoi si të rëndësishëm faktin se “tashmë festohet me Kosovën e pavarur”.
Sipas kryeministrit, “në të gjitha vlerësimet tona të këtij 100 vjetori duhet të ruajmë sensin e realizmit, si në vlerësimin e figurave të historisë sonë kombëtare, ashtu edhe të miqve të mirë të kombit shqiptar”.
Në këtë drejtim, kreu i qeverisë duke iu referuar Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 ku u mor vendimi për copëtimin e Shqipërisë, u shpreh se “ata që vendosën për copëtimin e Shqipërisë në fillim të shekullit që shkoi, ata vendosën për çlirimin e Kosovës, dhe dëshmuan se janë miq të kombit shqiptar”.
Duke kërkuar respektimin e të gjitha figurave historike, si shqiptare edhe ato ndërkombëtare, që kanë dhënë kontribut në lëvizjet e mëdha të shqiptarëve, Berisha vuri në dukje edhe faktin se në këtë 100 vjetor, Kosova është e pavarur.
“Pa pavarësinë e Kosovës, flamuri ynë kombëtar do të gjendej në gjysmë shtizë”, tha Berisha.
Ndër të tjera Kryeministri Berisha kërkoi ngritjen e një komisioni për hartimin e listës së personaliteteve që do të nderohen në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë, si dhe organizimin e punës për rikthimin e eshtrave të Mbretit Zog.
Kryeministri Berisha kërkoi bërjen e një konkursi mbarëkombëtar në të gjitha shkollat ku flitet shqip, për të inkurajuar nismat krijuese për 100 vjetorin e Pavarësisë. Po ashtu, ai i propozoi ministrit të Kulturës edhe organizmin e një kupe mbarë shqiptare futbolli në këtë 100 vjetor.
Ndërkohë Komiteti Ndërministror për festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë ka hedhur hapin e parë konkret duke miratuar në parim logon e 100 vjetorit të Pavarësisë, i cili është vizatuar nga një artist shqiptar i Kosovës, Zeni Ballazhi. Në skicimin e tij, Ballazhi sjell një stilizim të shqiponjës dy krenare, në formën e flakës jubilare.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›