Rama ul traun për Brukselin, refuzon reformat e kërkuara nga BE

Opozita theu konsensusin dje dhe kërkoi shtyrjen e miratimit të ligjeve me 3/5, duke kërkuar zvarritjen e afateve, në mënyrë që të mos arrihet miratimi i kodeve, para marsit të këtij vit. Konferenca e Kryetarëve e miratoi pa konsensusin e opozitës kalendarin 3 javor, pasi Edi Rama është shumë i zënë me nekropolitikën e 21 janarit
Partia Socialiste prish konsensusin e 14 nëntorit mazhorancë-opozitë, në konferencën e parë të grupeve parlamentare, në sesionin e ri të Kuvendit. Kalendari i propozuar nga administrata e Kuvendit parashikonte fillimin e punës në komisione parlamentare të shqyrtimit dhe diskutimit të ligjeve të depozituara në Kuvend dhe të kodeve e projektligjeve që kërkojnë 3/5, por PS-ja ka kërkuar që këto projektligje të shtyhen.
Kryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi ka kërkuar heqjen nga kalendari projektligjet e mbetura që kërkojnë shumicë të cilësuar, si një kërkesë që rrezikon seriozisht implementimin në kohë të marrëveshjes së 14 nëntorit 2011. Por kjo nuk është pranuar nga mazhoranca e cila ka votuar që këto projektligje të mbeten në kalendar dhe të fillohet nga puna në komision për shqyrtimin e tyre, në përputhje me pikën I dhe pikën VII të Vendimit të Konferencës së Kryetarëve, datë 14 nëntor 2011. Bëhet fjalë për ligjet me shumicë të cilësuar si Kodi Civil, Kodi Penal dhe Gjykatën Administrative. Mazhoranca kishte parashikuar nisjen e shqyrtimit të ligjeve të mbetura nga viti 2011, me shumicë të cilësuar si Kodi Civil, i cili duhej të kalonte në parlament në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit. Ndërsa Kodi Penal parashikohej të mbyllej në fund të shkurtit dhe Gjykata Administrative në muajin mars.
Për shkak të refuzimit të përfaqësuesve të PS-së, për të filluar punën me këto projektligje, Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e ri të punës, pa konsensus.
Konferenca e Kryetarëve me shumicë votash përcaktoi si datë të parë të shqyrtimit në seancë plenare të këtyre projektligjeve, datën 2 shkurt 2012, në rendin e ditës së të cilës do të përfshihet shqyrtimi i Kodit Civil. Ndërsa sesioni i ri i Kuvendit nis punën të hënën e 16 janarit.
Të martën, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë do të mbërrijnë dhe parlamentarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, në një seancë jubilare me rastin e fillimit të aktiviteteve me rastin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar.