E Diel, 1 Nëntor 2026

Autopsia e Diktaturës

Televizioni nuk bën historinë. Ai është pjesë e saj. Televizioni nuk shkruan historinë. Ai njofton për të. Televizioni nuk e para dhe pasgjykon historinë. Ai publikon dokumenta, bën të njohura ngjarje, identifikon personalitete, ndriçon dukuri duke përzënë terrin nga çështje të rëndësishme e të diskutueshme të historisë. Televizioni Shqiptar i gjendur (për fat të tij) m’u në zemër të procesit të ndryshimit të madh, çfarë i takonte dhe çfarë kishte për detyrë? Të priste historinë të shkruhej dhe pastaj të nxirrte zë e figurë? Apo t’u drejtohej të panjohurave historike, të fshehura qëllimshëm, të varrosura thellë për asgjësim dhe, pjesa tjetër, e shërbyer keq e, po aq qëllimshëm, u mburr për interesa të ideologjisë komuniste, sistemit socialist e pushtetit të Njëshit-Diktatorit? Pasi e morën pushtetin, që e mbajtën gjatë e përdhunshëm, mendimi dhe parrulla më e përsëritur, ka qenë se, “e çliruam vendin”. Por, komunizmi dhe diktatura, kurrë nuk e patën çliruar popullin. Historia e tyre u shkrua me syze dhe vetëm të kuqe. Kjo mbërriti deri cakun e humorit sa, dëgjohej të thuhej se, “Edhe Skënderbeu duhet të ketë qenë komunist, por me kufizimet e kohës”. Historia, patjetër, vjen, dhe shkruhet, se s’bën. Ky qëllim nxiti mendjet për punë. U formësua idea e një cikli programesh, që të rrokte tema të mëdha, të heshtura, të nxirosura, ose të lëna tabu. Në diktaturë është folur e shkruar, por për ngjarjet, ku në përballje kanë qenë dy ose më shumë palë, thelbi i së vërtetës fshihej nga propaganda, fallsifikimi dhe retushimi, të cilat kryheshin në disa mënyra: Duke mos thënë asgjë. Duke e cituar dokumentin përgjysmë, ose aq sa ishin interesat. Duke i retushuar personalitetet historike nga fotografitë e kohës, për muzeume e gazeta, me penelin e piktorit. Duke fryrë çfarë s’qe kryesore. Duke hedhur në harresë çfarë ka qenë përcaktuese. Duke ekzekutuar pa gjyq në çështje të historisë, me historianë militantë, studiues të rekrutuar apo të detyruar dhe, mënjanimi prej kësaj punë, i atyre që nuk besoheshin dhe dyshoheshin. Ai shërbim i shumëllojtë krimi, shumëçka të historisë së Shqipërisë, e ka kthyer në Krimvarrezë, sepse gjithëçka historike, u interpretua brenda kornizës së Historisë së Partisë së Punës së Shqipërisë. Televizioni, para së gjithash, është institucion informacioni dhe, nisur nga kjo, u vendos: Ai duhet të flasë me programe edhe për historinë. Historia, duke qenë interpretim shkencor, i paanshëm, i dokumentave dhe, duke qenë se historia, përgjithësisht shkruhet me ngadalë, bash për hir të mbërritjes te e vërteta, historia nuk ndalon askënd të flasë. Kështu, cikli televiziv, me disa tema, nën titullin e përbashkët “Autopsia e Diktaturës”, nisi udhë të gjatë, ndërmorri mision të jashtëzakonshëm, me vetdije, se do të ngjallte edhe mendime të kundërta. Aty u përfshi gjysmë shekulli kohë dhe ngjarjesh. Kurajua krijuese u mbështet nga synime fisnike. U thirrën para kamerave dhe u vunë përballë teleleshikuesve personalitete, fatmirësisht të mbetur gjallë. Në udhëtim e sipër u zbuluan dokumenta të panjohura dhe relike të çmuara, herë-herë edhe tronditëse. Gjithëçka u bë, ishte edhe përpjekje për të ndihmuar historinë, për korrigjime të domosdoshme, për kur ajo të rishkruhet. Emisioni i parë ishte “Plenumi i Beratit”, i Partisë Komuniste të Shqipërisë, që historiografia e vet, e pati cilësuar “njollë e zezë” të saj. Në ekran u nxorën dokumenta që kurrë nuk ishin bërë të ditura. Emisioni i dytë ishte “UNRRA”, ose Plani i Rimëkëmbjes së Europës, pas Luftës së Dytë Botërore. Vendet komuniste nuk pranuan të përfshiheshin në Planin e George Marshall, sekretar Shteti në administratën e Presidentit Truman. Kryeministri i Britanisë së Madhe, Çurçill, tha se “Nga Shçeçini në Trieste ra perdja e hekurt”. Emisioni i tretë ishte “Konferenca e 1956-ës”. Raporti i Nikita Sergejeviç Hrushov, “Mbi kultin e individit të Stalinit dhe pasojat e tij”, i mbajtur në Kongresin e 20-të, të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, më 25 shkurt 1956, shkaktoi tërmet politik në Shqipëri, ndaj kultit të Enverit. Emisioni i katërt ishte “Shtegtarë të terrorizmit”, për marksistë-leninistët që vinin në Shqipëri, siç pati ardhur dhe Çe Guevara, më 1960, apo Laurent Kabila (Pol Kabongo), i larguar nga universiteti “Lumumba” i Moskës. Marksistë-leninistët stërviteshin te një poligon afër malit të Dajtit, për t’u kthyer përsëri në perëndim, për kryerjen e akteve të terrorizmit revolucionar. Emisioni i pestë ishte “Kolektivizim me detyrim”, i cili zhvoshku propagandën e gënjeshtërt për vullnetarizmin e fshatarësisë sonë dhe argumentoi shtrëngimin terrorizues shtetëror, për t’i futur fshatarët me detyrim në kooperativë bujqësore. Emisioni i gjashtë ishte “Kryqëzimi i fesë”. Pas fjalimit të Enver Hoxhës, më 6 shkurt 1967, në kushtetutën e vitit 1976, në nenin 37, Partia e Punës e sanksionoi Shqipërinë si “vendi i vetëm ateist në botë”, ndërsa më 9 qershor 1973, ekspozita “Mbi rolin reaksionar të fesë”, u shndërrua në “Muzeumi Ateist”. Emisioni i shtatë ishte “Pushkatimi i ushtrisë”, që ishte ndalur deri edhe në ekzekutimin e kalit të Gjeneralit, Armikut të Popullit. Emisioni i tetë ishte “Arti: krime e ndëshkime”, që trajtonte ndalimin e ideve, librave, pikturave, skulpturave e këngëve, deri te zhvarrimi i Gjergj Fishtës, pushkatimi i Genc Lekës e Vilson Blloshmit e, më në fund fare, varja e poetit Havzi Nela. Emisioni i nëntë ishte “E vërteta mbi Epirin dhe Çamërinë”, një temë tabu, për të cilën ishte heshtur deri në mosqënien e tyre. Emisioni i dhjetë ishte “Masakra e Tivarit”, një krim monstruoz, masiv dhe i përbindshëm, i terrorizmit shtetëror serb kundër shqiptarëve të Kosovës, që fatkeqësisht u mbështet nga udhëheqja komuniste e Tiranës. Emisioni i njëmbëdhjetë ishte “Shtatë milionë në 5 shtete”, një cikël gjithëvjetor, për t’u bërë të ditur shqiptarëve, masakrën mbi trojet dhe kombin tonë. I tërë ky fond përvëlues emisionesh, i “Autopsia e Diktaturës”, mbeti varur, në fije të perit, në pritje të urdhërit të fshehtë për t’u ekzekutuar: mes dëmtimit (për ta zhdukur) dhe dënimit (për të mos e parë kurrë më ekranin). Fati nuk varet vetëm nga vlerat. Por edhe nga kahja e pushtetit. Histeria telefonike kundër atyre programeve të mëdha nuk ishte ndjellamirë. Në demokraci ndodhi që pushteti u ndërrua me dhunë. Bijtë e revolucionit e patën për tradhëti të pranojnë të birësohen fëmijë të demokracisë. Rendi i tyre shoqëror është utopia dhe për liri kanë diktaturën e proletariatit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›