E Diel, 1 Nëntor 2026

Di-simulimi, si një art pa perspektivë i pseudointelektualëve anti-Kadare

“Sot, si përditë, zgjohemi bosh e të trembur. Mos ia hap derën studios e nis e lexo” - thotë poezia e Rumi-t. Provokim-shkrimi i fundit i Fatos Lubonjës është paksa i sikletshëm, por asnjeri nuk ka guximin t’ia thotë se e ka gabim. Ndoshta, duke besuar në kapacitetin e natyrshëm të rinovimit, duhet të ketë menduar se është rasti të demistifikojë edhe gotha-n e fundit shqiptare, Kadarenë, pas qasjes së demitizimit të Skënderbeut. Tani de-mitizimi dhe de-mistifikimi janë dy gjëra komplet të kundërta, kurse Kadareja dhe Skënderbeu kanë diçka të përbashkët: janë shqiptarë. Dhe janë shqiptarë të mirë.
Personalisht, nuk e di se çfarë problemi karstik mund të ketë Fatos Lubonja kundra letërsisë së Kadaresë apo individit Kadare, por më duket e tepërt dhe e cekët njëkohësisht, të analizohen një sërë veprash letrare nga një njeri që ka konflikt interesi me neuronet-pasqyrë të ndërgjegjes së vet. Ta quash Kadarenë himnizues të Enver e Nexhmedine Hoxhës, është gati një herezi kolosale - jo se është si derri në Mekë, por sepse tjetër gjë është “himni” e tjetër është zhanri fiction apo “romani”. Është pothuajse e barabartë me përjashtimin hipotetik të popullit hebre nga gjiri i perëndisë Jahvé. Pra, diçka që nuk mund të krahasohet, për vetë faktin se Kadare nuk është i implikuar në glorifikimin e diktaturës, sikundër shprehet qartë Lubonja, për romanet “Dimri i madh”, “Daullet e shiut”, “Gjenerali...  - Teza Qose!”
Ndërkaq, Fatos Lubonjës - nëse më lejon - i këshilloj, nga mosha ime e re, të lexojë një libër të Torquato Aceto-s, “Arti i di-simulimit të ndershëm”, se si duhet të sillen shkrimtarët ose intelektualët gjatë diktaturave”. Le të mendojmë se është shkruar në shekullin e XV-të, por që është gjithmonë aktual, sepse aktuale janë edhe diktaturat. Edhe Lubonja, po të kishte qenë në pozicione intelektuale të favorshme, do të kishte simuluar në një formë ambiguiteti me diktaturën, për vetë faktin e pamohueshëm se martirët janë të panevojshëm përpara qëllimit kriminal të një klubi jakobinësh. Edhe po të kishim një version të martirit çek Jan Palach, nuk është se do të përfitonim ndonjë ndryshim. Minimumi, i gjithë fisi i tij do të internohej.
Kuptohet vetiu se - nuk e fsheh as këtu se kam një simpati normale për modelin e intelektualit që Lubonja përfaqëson e ëndërron - se është komplet dallash të gllabërosh çdo pozicion të tij, kinse për anti-konformizëm. Është njësoj sikur të deklarohesh se të pëlqejnë filmat e Roman Polanskit, por jo pedofilitë e tij me një 11-vjeçare. Lubonja, në shkrimin kundra gotha-s Kadare - ose ekzekutimi i qëllimshëm - është më konformist se anti-konformisti që kërkon të qëndrojë gjithmonë anti-diçka. Gjykoj se arti duhet të ndahet nga njeriu, qysh ditën që e hedh ne qarkullim. Është e padurueshme filologjikisht të shikosh se si Lubonja rreket nëpërmjet artit të filipikeve të gjuajë grushta poshtë brezit ndaj shkrimtarit Kadare. Konstatohet farë qartë qysh kur thotë se “e vërteta e asaj kohe është se shkrimtarët si Kadare paguheshin si profesionistë, me rroga të nivelit të rëndësishëm vetëm për të shkruar”. Ajo që thotë Lubonja nuk është e vërtetë ose e saktë, për vetë faktin se shkrimtari merrte rreth 9 mijë lekë (7 mijë lekë shpërblim), në përfundim të veprës, aq sa merrte babai im manovrues depoje uji, pra nëntë mijë lekë në muaj. Ishte ky një privilegj? Aspak. Pastaj Lubonja nuk di se përkthyesi i talentuar Jusuf Vrioni e ka përkthyer për t’u ushtruar me frëngjishten Kadarenë, dhe jo për qëllime të tjera (Isuf Vrioni ipse dixit). Një miku i tij, diplomat në Francë, ia ka marrë romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (në frëngjisht) për ta lexuar dhe pasi i ka pëlqyer shumë, ia ka dhënë miku të vet francez, duke i ka propozuar që ta publikojë. Kjo është e vërteta që Lubonja nuk di, sepse nuk kishte si ta dinte në burgjet famëkeqe të komunizmit, ku ai vuante ri-dënimin e tij.
Besoj se nganjëherë kur shkruajmë shkrime a referate me impakt duhet të kemi pak më tepër informacion – e detyrimisht - nga disa burime.
Afërmendsh pastaj Fatos Lubonja duhet të dijë se shkrimtarët e kohës merrnin 400-fishin e asaj që merrte Kadare në Shqipëri. Ai nuk ka folur kurrë për këtë, por i është përgjigjur një pyetjeje, me “spontanitet”.
Unë nuk e kuptoj fare Lubonjën, në këtë masakër makabre që ofrohet t’i bëjë Kadaresë si shkrimtar, pasi si njeri, Kadare nuk paraqet interes as për mua e as për lexuesin. Por, edhe brenda rreshtave të goditjes poshtë brezit, njësimi i Kadaresë më shkrimtarët e tjerë të soc-komunizmit, paraqitet fiks sikur të krahasosh buzëqeshjen e Xhokondës, me buzëqeshjen pa dhëmbë të një nënëdaje Shijaku! Është një bastardim i mendimit të krahasosh Kadarenë me llafet e liga të Rexhep Qoses. Ka mendim ndryshe, por jo mendime ndryshe nga sedra e njeriu. “Ke ç’ke - thotë populli - thuaja në sy”, jo në sytë e të gjithë botës. Pra nuk qëndron nivelimi i veprës letrare të Kadaresë me veprat e tjera të regjimit komunist.
Lubonja nuk lodhet për të gjurmuar itinerarin e veprave të Kdaresë, por i merr ato shabllon nga Qose. Ndoshta më pas mund të jetë e vërtetë se regjimi për të mos u izoluar më shumë nga Franca - ku udhëheqja kurohej e edukohej - kërkuan të krijonin njëfarë imazhi-fasadë, sa më të pranueshëm të marksizëm-leninizëm-enverizmit, por Kadareja - jo sepse Kadareja desh ashtu - iu kthye si bumerang safi ideatorëve të Bllokut, sepse vepra e tij ishte shumëdimensionale dhe polisemantike. A kuptoni zoti Lubonja, poli-semantike? Pra varet se si i shikon gjërat në një fiction. Fatos Lubonja e di shumë mirë se në burgjet shqiptare (ka shkruar edhe ai vetë librin “Ridënimi”) sigurimi merrte me dhunë psiko-fizike opinione-interpretime-kalkulime, se ku ishte desantizmi i veprave të Kadaresë, madje u këshillohej që shkrimtari të shihej si armik.
Ndërsa Kadaresë nuk i është dhënë asnjë status nga media, që hollë-hollë e plaçkitin sa herë jep intervista nëpër revistat e huaja, për të bërë audience. Pra përdoret për qëllime
komerciale, për të mos thënë disa herë të tjera në sulmime maniakale. Tani Lubonja nuk kërkon t’i vërë qefinin, por ka kapakun e arkivolit në dorë. Kadare nuk është një njeri i regjimit komunist, sepse i bie që Dritëro Agolli të vetëkandidohet si një subjekt i regjimit demokratik. Arkipelagu i gënjeshtrave ndaj Kadaresë nuk ka për të përfunduar derisa gotha të jetë gjatë.
Me vjen keq që për provokim publik, Lubonja investon edhe kredencialet apo aksionet e erudicionit të tipit wikipedia-n.
Intelektualët shqiptarë janë si mafia - vriten midis tyre.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›