Autorë të shpërfillur
Autorët shqiptarë janë të papërfillur në panairin e 12-të të librit. Botimet e tyre nuk reklamohen as në stenda dhe as me postera, siç funksionon për disa shtëpi botuese, emra që nuk janë shkrimtarë. Libra komercialë, përkthime me autorë anonimë që nuk njihen në treg pushtojnë stendat dhe tavolinat ku vizitorët duhet të shikojnë librat më të rinj të këtij viti. Ndërkohë, autorët shqiptarë, për të cilët bëhet fjalë, në panair në të shumtën e rasteve gjenden “të injoruar” dhe të papërfillur nëpër stendat dhe tavolinat prej ku bëhet i mundur prezantimi i botimeve të reja, duke mos u reklamuar nga shitësit e shtëpive botuese. Madje, këto të fundit as nuk i njohin teksa i pyet nëse i pyet për ndonjë libër të Romeo Çollakut, ndërkohë që posteri i madh i balerinit Kledi Kadiu të imponon sikur libri të kishte autorësinë e tij. Lidhur me këtë fakt, ka qenë vetë kërcimtari i njohur shqiptar me aktivitet në skenat italiane, Kadiu, që ka pohuar se libri nuk është shkruar prej tij, pavarësisht reklamës së madhe që i është bërë. Thjesht për aventurën dhe jetën e një balerini. Përveç shkrimtarit Zija Çela, kur është evidentuar që gjatë gjithë vitit vepra e tij është promovuar dhe ekspozuar, kur edhe vetë shtëpia botuese “Ideart” i ka kushtuar promocionin e duhur, si dhe shkrimtarit Agron Tufa që është promovuar gjatë ditëve të panairit të librit 2009 në Pallatin e Kongreseve, prej shtëpisë botuese “Toena” (shumë papritur ndërron botuesin për shkak se librat e tij më parë nuk janë gjendur më parë nëpër librari), romanit të Mira Meksit nga shtëpia botuese “Ideart”, shumë prej librave të tjerë shqiptarë nuk kanë ndarë të njëjtin fat promovimi. Libri me tregime i shkrimtarit Romeo Çollaku, për të cilin mund të themi se është një prej botimeve më të mira të dalë gjatë këtij viti në treg, por që në libraritë e kryeqytetit, që nga dita kur është lajmëruar për botimin e tij, nuk është gjendur as edhe një kopje. Edhe nëpër stenda gjatë ditëve të panairit të 12-të, shtëpia botuese “Dudaj” nuk ka bërë as një lloj strategjie promocioni të këtij autori e veprat e tij më të fundit, kur dallohet për tregimet më të mira, aktualisht. Po kështu, në letërsinë bashkëkohore shqiptare mund të konsiderohet ngjarje më vete edhe botimi i ri me 33 poezi i shkrimtares Ledia Dushit, pra “Me mujt me fjet”.
Librat e rinj
Titujt e rinj të librave janë renditur nëpër tavolinat e panairit, ndërsa pikasen të pakët autorët shqiptarë e sidomos kur bëhet fjalë për promovimet e tyre. E si rrjedhim, gjatë një hulumtimi gjatë ditëve të panairit të librit 2009 na rezulton se shumë pak autorë kanë qenë të pranishëm. Duke shkëmbyer informacion me shitësit e disa prej shtëpive kryesore të botimit merr shkas pikërisht ky konkluzion. Sipas tyre, një pjesë e mirë e titujve të rinj na rezultojnë ribotime, shumica prej tyre përkthime dhe shumë pak autorë shqiptarë. Kështu, në shtëpinë botuese “Bota shqiptare” janë evidentuar disa botime të reja si “Martesa skandaloze”, Johanna Lindsay, “Njeriu me të zeza”, Patrick Kessel, “Spiuni i shekullit”, E. H. Cookridge, “Cezari i Ballkanit” Peter Luicas, “Sekreti më i madh”, David Teke, “Të fshehtat e Masonerisë”, Laurence Gondner, “Lëkura e daulles”, Perez-Reverte. Kjo shtëpi botuese nuk ka pasur asnjë promovim, ndërsa shpërndarja e titujve të rinj do të bëhet pas panairit, sipas shitëseve.
Botimet “Migjeni” bëjnë me dije libra shkencorë si “Fjalori Arkeologjik”, Ardit Miti dhe Eglantina Serjani,“Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”, William Martin Lik, “Mjeku tek Ali Pasha”, Henri Holland, “Shqipëria e lashtë”, Luigi M. Ugolini, “Bylis” (Frëngjisht), Neritan Ceka, “Antigonea”, Neritan Ceka, “Apolonia” (Italisht), Neritan Ceka, “Apolonia” (Frëngjisht), Neritan Ceka, librat që flasin për qendrat antike të huaja, të cilat janë promovuar para këtij aktiviteti kulturor. Kjo shtëpi botimi ka shfrytëzuar panairin për promovimin e titujve “Antigonea”, “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve” dhe “Bylis” në frëngjisht, librit “Udhëtarë të huaj në gjurmimet arkeologjike në Shqipëri” i grupit të autorëve Lik, Holand, Ugolini, Mayzie. “Toena”, ka dalluar disa emra të letrave shqiptare si Flutura Açka, Mirela Sula, Teodor Laço, Bardhyl Xhama. Ndërsa nga disa tituj të rinj shitësja veçon “Nyjat e shqipes”, Kolec Topalli, “Shqipëria politike”, Arben Puto, “Bolero në vilën e pleqve”, Fatos Kongoli, “Si të punojmë pa stres”, Erik Saunier, “Engjëj të armatosur” Diana Çuli etj., shtëpia botuese “Fan Noli” bën me dije tituj të rinj si “Njeriu për vete”, Erick From , “Rrugët e lirive pezull”, Jean-Paul Sartre, “Koha për të vdekur, koha për të jetuar”, Erick Maria Remarque, “Teoritë e Frojdit”, Erick From, “Kthim në shtëpinë e verimit”, Jude Deveroux, “Rob i dëshirave të mia”, Johanna Lindsay, “Në rrezik”, Patricia Cornwell, “Dashuri përtej arsyes”, Sandra Brown të gjithë të dalë në treg. “Ideart” pasqyron librat “Tespitë prej fosfori”, Jovan Nikolaidis, “Trashëgimtarët”, Luljeta Progni, “Shpirti dhe lënda”, Petro Papakosta, “Kanceri i gjirit”, Arianit Kokobobo, “Tregu i zeros”, Eljan Tanini, “Përkthimi i vetes”, Petro Papakosta, “E kuqja e djajve”, Mira Meksi, e cila do të promovojë sot botimin saj të fundit, Zija Çela “Sos një buzëqeshje”, si dhe kolona e 24 filozofëve. Botimet “Onufri” kanë promovuar vetëm librin e Ismail Kadaresë “E penguara”, i cili ka qenë i pranishëm në panair. Si tituj të rinj dallohen “Mreti Lir”, I. S. Turgeniev, “Vetëm një burrë i vdekur është një burrë i mirë”, Gaby Hemptmann e disa të tjerë. Ndërsa shtëpia botuese “Pegi” dallon librat për fëmijë si botimet më të reja. “Gjyshi im gazmor”, Angeta Nanetti, “Historia e miushit, Desperato”, Kate Di Camillo Seria e miteve të Olimpit, “Këpucët rozë, me hap balerini”, Beatrice Masini.
Sot është dita e fundit e panairit të librit “Tirana 2009”. Është bërë e traditës që pas paraqitjes së titujve të rinj, si shpërblim shpallen pesë çmime, ku një prej tyre është themeluar i ri. Përveç 4 çmimeve tradicionale të panairit të librit që janë akorduar çdo vit, prej këtij edicioni është themeluar edhe një tjetër çmim ekskluziv, i cili do t’i jepet një shtëpie botuese për nivelin e promocionit, që si këtë vit edhe në vijim do ta marrë shtëpia botuese, e cila ka mundur të promovojë më së miri shkrimtarët dhe botimet.
Nominimet
Shkrimtari i vitit
1. Visar Zhiti
2. Xhevahir Lleshi
3. Ben Blushi
4. Zija Çela
Përkthyesi I Vitit
1. Afrim Koçi
2. Amik Kasaruho
3. Bashkim Shehu
4. Shpëtim Doda
Shkrimtari për fëmijë
1. Viktor Canosinaj
2. Gaqo Bushaka
3. Sokol Jakova
4. Xhevat Syla
Stenda më e mirë
1. Toena
2. Albas
3. Media Print
4. Ideart