E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, ALUIZNI: Inspektorati i Ndërtimit të prishë ndërtimet mbi kolektor



Kreu i Agjencisë së Legalizimeve në Durrës, Andi Lila, ka lëshuar akuza të drejtpërdrejta ndaj Inspektoratit të Ndërtimit pranë Bashkisë së Durrësit për shmangie ligjore në kryerjen e detyrave funksionale të asaj strukture. Sipas tij: “Deri sot aksionet për prishje të ndërtimeve pa leje kanë rezultuar në shkatërrimin e ndonjë kioske, muri rrethues të pavlerë, sepse ata nuk kanë shmangur qëllimisht situatën alarmante të përmbytjeve në ditët e fundit ku shirat mbuluan territore të tëra me ujë, duke mos prishur objektet pa leje mbi kolektorët e qytetit, shkesat dhe kërkesat tona kanë rënë në veshin e shurdhër të tyre”. Andi Lila deklaroi dje për “standard” se “papërgjegjshmëria e institucioneve vendore si Bashkia e Durrësit dhe disa komuna ka bërë që qyteti të përjetojë dhe të gjendet nën ujë në një situatë emergjente. Janë mbi 74 ndërtime që janë ngritur nga qytetarë durrsakë dhe të ardhur në Durrës mbi kolektorë të cilat duhet të prisheshin nga Inspektorati Ndërtimor i bashkisë. Ato ndërtime po mbajnë peng sistemin kullues, por ka edhe dhjetëra objekte të tjera pa leje mbi kolektorët në periferi si në Spitallë, Porto Romano, Plazh, në kanalin e ujërave të larta”. Lila tha se afro 50 objekte të tjera në ish-Kënetë janë mbi kolektorë, mbi 16 duke nisur nga sektori “Teuta” deri në “Iliria”. Në zonën e Plazhit janë bllokuar pothuajse të gjitha sipërfaqet e kolektorëve dhe kanaleve kulluese, por edhe nuk janë pastruar prej 16 vjetësh, kurse faturën po e vuan qyteti dhe popullata”. Lila deklaroi se “rreth 80 objekte të ngritura mbi kolektorë dhe kanale të ujërave të larta duhen të prishen nga Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Durrësit, ato gjenden në tre zona problematike si në ish-Kënetë, Spitallë dhe Plazh, unazën e qytetit. Situata mund të përsëritet në javët dhe muajt që vijnë”. Ndërtime të tilla skandaloze, sipas Lilës, “nuk do të legalizohen. Kërkohet me urgjencë hartimi i një strategjie nga Bashkia e Durrësit dhe e Bordit të Kullimit, për të shmangur katastrofat që shkaktohen shkelja ligjore e banorëve që ndërtojnë mbi kolektorë, por edhe e bashkisë, e cila nuk ka marrë masa ndaj shkelësve të ligjit. Objektet pa leje kanë bllokuar kanalet e ujërave të larta me ndërtimet e bëra duke shkaktuar një faturë të rëndë financiare”. Lila u shpreh për “standard” se “mbi 80 për qind e dosjeve për legalizim në zonën e ish-Kënetës në Durrës janë gati për të përfituar certifikatën e pronësisë në Durrës. Të gjitha këto familje presin plotësimin e paketës financiare nga qeveria për t’u bërë pagesat me letra me vlerë. Kjo duket se është edhe një prej shkaqeve që pagesa nga ana e banorëve është në nivele shumë të ulëta. Impakt shumë pozitiv ka dhënë edhe ulja e taksës së ndikimit në infrastrukturë me 0.5%, e cila ka rritur edhe pagesat në këtë drejtim”. Lila tha: “Mbi 80 milionë lekë janë derdhur nga ana e banorëve në bashki për sa i përket taksës së infrastrukturë nga ana e familjeve që janë përfshirë në procesin e legalizimit. Gjithashtu, mbi 200 milionë lekë i përkasin tarifës së legalizimit, të cilat do të shkojnë për kompensim ish-pronarësh”. Vetëm për dy blloqe të zonave në legalizim e sipër fatura e dëmshpërblimit për ish-pronarët e truallit është 120 milionë lekë të reja, megjithëse kjo shumë është disa herë më e lartë për faktin se pas çdo legalizimi rritet edhe vlera e tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›