E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, Meta takon Fajon



Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u takua dje me eurodeputeten Tanja Fajon, hartuese e rezolutës së miratuar nga Parlamenti Evropian në 12 nëntor, lidhur me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në regjimin e lëvizjes pa viza drejt hapësirës “Schengen”. Meta e falënderoi eurodeputeten Fajon lidhur me këtë nismë të suksesshme dhe paraqiti një tablo të përditësuar të plotësimit të kushteve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave nga Shqipëria. Fajon shprehu angazhimin e saj të vazhdueshëm dhe konfirmoi vullnetin e Parlamentit Evropian dhe institucioneve të tjera komunitare për të proceduar sa më parë me marrjen e vendimit për heqjen e vizave për qytetarët tanë. Eurodeputetja është e ftuar të marrë pjesë në konferencën e titulluar “Regjimi pa viza për Shqipërinë – hapat e fundit”, e cila do të zhvillohet sot në bashkëpunim mes MPJ-së dhe shoqërisë civile.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›