Autoritetet kosovare: EULEX nuk mund të përfaqësojë qëndrimet e Prishtinës

Prishtinë, 21 korrik, NOA - Autoritetet në Prishtinë thonë se Misioni i Bashkimit Evropian për Policinë dhe Drejtësinë mund të jetë vetëm lehtësues në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtarët e EULEX-it kanë thënë se funksionalizimi i plotë i doganave dhe kthimi i gjyqtarëve vendës në veri nuk mund të bëhet pa marrëveshje me Beogradin.
Kjo është pohuar nga zëdhënësi i EULEX-it, Christophe Lamfalussy, i cili tha se bisedimet për çështje teknike të stafit të EULEX-it me zyrtarë të Beogradit po vazhdojnë që nga muaji mars. Bashkëpunimi me Beogradin, sipas tij, është i pashmangshëm.
Është i domosdoshëm, është vazhdimësi e vizitës së Kermabonit në Beograd, më 19 mars. Që atëherë, ne kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm teknik në tri fusha, për të cilat jemi të mandatuar - drejtësi, dogana dhe polici, është shprehur Lamfaluss.
Ndërkohë, kanë reaguar autoritetet në Prishtinë. Sipas tyre, ky mision nuk mund të përfaqësojë qëndrimet e Prishtinës në bisedime me Beogradin.
n.e/NOA