E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iran, Khamenei kundër destabilizimit

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi kundër çdo përpjekjeje për destabilizimin e vendit, pas thirrjeve të bëra nga reformistët për mbajtjen e një referendumi mbi legjitimitetin e qeverisë pas zgjedhjeve kontestuara presidenciale.
Në një fjalim drejtuar zyrtarëve, Ali Khamenei tha se elita e vendit duhet të shmangë komentet që, siç u shpreh ai, ndihmojnë armiqtë e Iranit. Ai kritikoi gjithashtu Perëndimin për ndërhyrje në punët e brendshme të Iranit.
Kandidati i opozitës që humbi zgjedhjet, Mir Hosein Musavi, publikoi një deklaratë në të cilën thotë se është fyese për votuesit iranianë që të aludohet se protestuesit e opozitës kanë lidhje me vendet e huaja. Më parë, ish presidenti i Iranit, Mohamad Khatami, bëri thirrje për një referendum mbarëkombëtar për qeverinë me synimin për t'i dhënë fund krizës paszgjedhore në vend. Pak ditë më parë, një tjetër ish president i Iranit, kleriku konservator, Hashemi Rafsanxhani tha se shumë iranianë kanë ende dyshime për rezultatin e votimeve të 12 qershorit. Opozita thotë se Presidenti Mahmud Ahmadinexhad e fitoi mandatin e dytë nëpërmjet manipulimit të votave. Autoritetet e kanë hedhur poshtë këtë pretendim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›