E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autoritetet qeveritare s’duhet të kompleksohen nga skrupulli se s’ndërhyhet në punët e një bashkie plaçkitëse

E vërteta qëndron kështu. Në qendër të Tiranës ndodhej një truall e cila është një pronë publike, që ishte kthyer në një gropë e mbushur me hedhurina nga më të ndryshmet, të cilat sipas analizave virologjike shkaktojnë një mori virusesh shtesë në ajër. Ekzistenca e kësaj golle është po e njëjtë si gropa e pisllëkut, imoralitetit, perversitetit, ose siç njihej ndryshe si gropa e Sejdisë, dhe kjo po kërkohet të kthehet në një lulishte.
Ndërkaq, Bashkia e Tiranës gjatë 9 viteve të fundit nuk u shqetësua, nuk u kujtua asnjëherë për ta mbyllur gropën e pisllëkut, por u mjaftua veç me rrethimin e saj, e cila gjithsesi nuk ndihmonte në mos-depërtimin e erës së keqe. Mirëpo ç’ndodhi mbrëmjen e pardjeshme, ku policia bashkiake e kryeqytetit u përpoq sërish të pengonte fadromën që po punonte në mbushjen e gropës me dhé, ndërsa Policia e Rendit ndërhyri për të mos penguar punën? Autopsia është e qartë. Pretendimet e vasalit të bashkisë së Tiranës janë shpjeguese sesi po implementohet plani urbanistik i kryeqytetit, një plan që ka hyrë në oreksin e plaçkitësve të hapësirës publike. Në vitin 2008, sipas një vendimi të posaçëm trualli është shpallur pronë shtetërore, por analiza duhet përqendruar tek ish-pronarët paraardhës, në emër të të cilëve kryhet edhe tollovia bashkiake. Ky truall u ishte dhënë disa pronarëve që duket se s’figurojnë në kadastrat e përpara vitit 45, por që sigurisht janë klientë të Edi Ramës. I njëjti “pronar” në 2005-n i paska dhënë dhuratë bashkisë së Tiranës 5000 metra tokë!!! Po ja, shikoni se çfarë thonë lajmet e atij viti: “Familja tiranase Kika i dhuron bashkise se kryeqytetit rreth 5000 metër katror truall për ndërtimin e një shkolle ne bllokun e banimit ne rrugën Komuna e Parisit. Falë partneritetit të sipërmarrësve me bashkinë e Tiranës, dhurata e kësaj familjeje i shërben komunitetit për të plotësuar nevojën për arsimim brenda zonës së tyre. KRRT e bashkisë së Tiranës ka miratuar planin për ndërtimin e 1500 apartamenteve në pronën e familjes Kika, e cila disponon një kompani ndërtimi”. Kuptohet vetiu se për çfarë filantropie është bërë me tokat private që i jepen bashkisë së Tiranës me qëllimin e ndërtimit të apartamenteve. Ka shumë arsye për të hamendësuar se këto dhurata ishin funksionale për dhurata të tjera në vazhdim. Ne sot po shohim mbrojtjen e dhuratës së mëparshme. Shumë herë është përfolur se kjo tokë i takonte Komunitetit Mysliman, që e paska shitur tek familja e bashkisë, por këto çështje ndoshta duan një hetim më të thellë, që do ta bjerrte edhe më tej “filantropinë” e lartpërmendur.
Por do theksuar se gjithçka është bërë pas viteve ‘90-të, ku me disa shkresa, Komuniteti Mysliman i paska dhënë një përqindje toke kësaj familjeje, së cilës nuk i merret vesh ku i mbaron origjinali e ku i nis “prestanome”-i. Plus fakti se Bashkia e Tiranës me policinë e saj del e mbron kinse një pronë private,  një atribut krejt jashtëligjor ky. Si rrjedhojë mund të bëhet pyetja se kujt i intereson ta bëjë këtë “çështje” kalë beteje, kur si detyrë parësore e Bashkisë (komunës) janë çështjet e komunitetit, në këtë rast hapësira publike.
Ka dy mënyra për ta kuptuar. E para qëndron në truallin që kërkohet të bëhet një tjetër eko-monstër betonarmeje në mes të Tiranës. Vasalët e kryebashkiakut lëshojnë milicinë për të anuluar një vendim që i bën mirë komunitetit. Kur nuk ia arrijnë të frenojnë mbushjen dhe pastrimin e humnerës së zezë më mbeturina e fekale, fillojnë e egërsohen, duke shtyrë e fyer oficerët e policisë së shtetit. E dyta, kur oficerët janë në shërbim të komunitetit 24 orë, domosdo nuk mund të frenohen nga orekset e industrisë së betonit, që ngre eko-monstra në vend të lulishteve. Arsye shtesë e paragjykimit të aksionit bashkiak është fakti se reagimi i mbrëmjes së dy netëve më përpara është bërë me porosi, meqë aty u pa një tjetër rast ku mund të sulmohej qeveria. Policia bashkiake po kërkon të bëhet një institucion paralel i Policisë së Shteti, dhe kjo ka gjasa të jetë përgatitur në kuadrin e bojkotimit të çdo institucioni kushtetues. Afërmendsh kjo merr përmasa reale kur e shikon me një kalkulim meskin se lulishtja mund të përdoret elektoralisht për zgjedhjet e ardhshme lokale, ku Tirana është padyshim epiqendra e pushtetit ekonomik e politik të vendit. Por vendosmëria e autoriteteve qendrore është një sinjal i mirë se qeveria nuk do të kompleksohet nga skrupujt se s’duhet ndërhyrë tek autoritetet vendore dhe do të luajë primatin sa herë bashkitë do të shndërrohen në plaçkitëse të pronave shtetërore apo - prite Zot - edhe të atyre private.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›