Autoritetet raportojnë për numër të lartë, por me tendencë në rënie
Sipas përfaqësuesve të policisë në Kakavijë, me gjithë numrin e lartë të emigrantëve që po kthehen në Greqi, tendenca e fluksit të lëvizjes është në rënie. Gjatë ditës së djeshme, lëvizja e emigrantëve në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës ka vazhduar të jetë mjaft e lartë në dalje. Vetëm gjatë 12 orëve të para të ditës kanë kaluar kufirin nga Shqipëria për në Greqi rreth 4600 veta. Shifrat për 24 orët 3 janarit flasin për një numër mjaft të lartë në dalje. Sipas statistikave zyrtare të policisë kufitare, gjatë kësaj dite kanë dalë 10200 shtetas. Nga pala e policisë shqiptare punohet me 11 sportele në dalje, ndërsa pala greke punon me 6 pala greke sportele për në hyrje për në Greqi. Megjithatë, për momentin lëvizja konsiderohet normale.
Fluks i madh vihet re edhe në pikat e vogla kufitare, si ato të Sarandës dhe Porti i Vlorës. Nga rrethi i Sarandës, nëpërmjet pikave kufitare të Qafëbotës dhe portit detar, në këto ditë të para të janarit janë larguar mesatarisht dymijë persona çdo ditë.
Ndërkohë, nga Porti i Vlorës kanë dalë vetëm dje rreth 800 pasagjerë dhe 200 automjete. Tashmë, sipas autoriteteve portuale pritet të ketë edhe më tepër fluks. Dje, për shkak të numrit të madh të pasagjerëve, në Portin e Vlorës janë krijuar edhe radhë dhe autoritetet janë detyruar të shtojnë numrin e sporteleve.