E Diel, 1 Nëntor 2026

Pozicioni i Presidentit, korrekt. Berisha nuk e pranon të jetë ndërmjetës

Nëse Kryeministri Sali Berisha nuk do të pranojë hapjen e kutive të votimit dhe transparencën për procesin elektoral të 28 qershorit, deputetët e Partisë Socialiste do të jenë në rrugë edhe në 7 mars, kur skadon afati ligjor. Prerazi dhe me shumë vendosmëri Edi Rama i ka lëshuar mesazhin e radhës Kryeministrit Sali Berisha. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shqip”, kreu i opozitës skanon të gjitha zhvillimet politike që prej fushatës elektorale. Ai gjen rastin të sqarojë për herë të parë edhe simbolikën e prezencës së tij krah Berishës në Spitalin Ushtarak pas shpërthimit të Gërdecit. Duke iu referuar momenteve të para pas zgjedhjeve, Rama thotë se nuk ka pasur asnjë komunikim me Ilir Metën. Ka pasur miq të mi, vijon ai, apo edhe dashamirës të përbashkët që ma kanë sugjeruar komunikimin dhe janë habitur sidomos të dytët, kur u kam thënë se jo vetëm s’duhet të ma sugjeronin, po as duhet të prisnin që Ilir Meta të rrinte majtas në rast se ne nuk kishim votat për të formuar qeverinë pavarësisht tij. Duke u pozicionuar politikisht kundër Berishës, Metës dhe Nanos, Rama thotë se bëri të vetmen zgjedhje të ndershme. Kreu i PS konstaton se nuk e ka pritur qëndrimin e Ben Blushit dhe Kastriot Islamit fill pas zgjedhjeve. Duke iu referuar Presidentit Topi si negociator i mundshëm për zgjidhjen e krizës, Rama mendon se ai ka qenë korrekt. “Presidenti nuk besoj se ka çfarë bën më shumë për dialogun e munguar në kushtet kur jo të gjitha palët, kam parasysh këtu Sali Berishën, do ta pranonin për të ndërmjetësuar një proces dialogu”, vlerëson ai. Referuar krahasimeve që i janë bërë koalicionit PD-LSI me koalicionin e gjerë në Gjermani, Rama ironizon duke thënë se “i ashtuquajturi koalicion që qeveris Shqipërinë ngjan konceptualisht me koalicionin e madh në Gjermani, po aq sa ç’ngjan fizikisht Sali Berisha me Anxhela Merkelin”.
Në radhë të parë zoti Rama, gëzuar! A mund ta dimë ku e kaluat Vitin e Ri?
Gëzuar dhe punë të mbarë! Këto ditë pushimi qenë një mundësi për të vizituar jashtë vendit dy miq shumë të dashur që luftojnë me sëmundjen e për të ndarë me ta, njëri pas tjetrit, vigjiljen e fundvitit dhe ditët e para të Vitit të Ri. Shpresoj dhe uroj shumë të jetë vit i mbarë për ta, ashtu siç shpresoj dhe uroj me gjithë zemër që të gjithë të kenë një vit pa probleme shëndetësore në familje. Ndërkohë uroj edhe gjithë ata shqiptarë të shkretë që ky vit i gjeti të përmbytur jo vetëm për shkak të reshjeve të dendura, po edhe për shkak të keqqeverisjes e korrupsionit me energjinë e me fondet për digat e argjinaturat, të dalin sa më parë nga situata e patolerueshme ku ndodhen.
Zoti Rama, për natyrën e kësaj interviste le të kthehemi në 28 qershor 2009. është momenti kur sapo janë mbyllur votimet dhe pak minuta pas Sali Berishës ju bëni një prononcim ku e konsideroni pjesën e parë të zgjedhjeve, pra procesin e votimit një arritje. E kujtoni këtë moment?
Sigurisht e kujtoj. Votimi kaloi qetë, në orën pas përfundimit të tij nuk shiheshin arsye serioze për t’u shqetësuar. Por, parë më gjerë, kishte arsye të mjaftueshme për të inkurajuar vijimin e procesit. Duke qenë prej kohësh i investuar shumë seriozisht e sinqerisht, për një proces zgjedhor që do ta ndante Shqipërinë nga tradita e shëmtuar e zgjedhjeve të deformuara e kontestuara, e pashë të udhës të përcillja një mesazh komplementar me atë të kryeministrit. Por shtova se mu aty fillonte një pjesë e dytë shumë e rëndësishme, ajo e transportit të kutive dhe e numërimit të ndershëm të votave. Pikërisht pjesa kur edhe u shfaqën më pas shenjat e krimit të kryer. E dini çfarë? Ai moment jotradicional më kujton skenën e shumëpërfolur të takimit me Sali Berishën, në hyrje të Spitalit Ushtarak pas shpërthimit të Gërdecit. Sigurisht konteksti është krejt tjetër, por në thelb të dyja rastet kanë të bëjnë me vetëdijen e ndryshimit të politikës, të frymës, të gjuhës e të gjestit politik në funksion të ndryshimit të gravitetit të saj nga gjakimi konstant për pushtet, tek përkujdesja e vetvetishme për çka është më e mira për vendin e njerëzit. Qoftë në rastin që pyesni e qoftë në tjetrin që përmenda, unë bëra atë që bën çdo lider opozitar për të cilin interesi i vendit e i njerëzve peshon më shumë sesa inercia e lojës politike apo llogaria e çastit. E meqë e kujtova ditën e Gërdecit, lejomëni të shtoj diçka. Atë ditë unë i shpreha publikisht kryeministrit të vendit solidaritetin njerëzor dhe vullnetin politik për të dhënë së bashku shembullin e bashkimit përballë fatkeqësisë, në një moment paniku e rrëmuje kur mjekët, forcat e rendit e të ushtrisë, populli i tërë, kishin nevojë pikërisht për atë shembull të pazakontë në një orë të pazakontë, jo për skeçin e dasisë politike të radhës. E mbi të gjitha kur as unë, as ju dhe askush tjetër përveç Sali Berishës e rrethit të keqbërësve që kishin marrë pjesë në projektimin e fabrikës së vdekjes, nuk dinim asgjë veç faktit se një shpërthim vrastar kishte shkrirë njerëz të gjallë e kish sakatuar rëndë plot të tjerë, në një numër që hamendjet mes kaosit pa informacione të sakta e bënin në ato momente marramendës. Të gjithë e dimë sesa shumë herë ai moment emancipues për një politikë të mësuar të hedhë valle mbi kufoma, më është përmendur keqdashësisht si një rrahje shpatullash e llojit “mos e çaj kokën për krimin që ke bërë se do ta mbulojmë bashkë!”, dhe nga kush se? Në radhë të parë nga ata opozitarët histerikë, që sot janë ulur në prehrin e “Sali Gërdecit” për të ngrënë ç’të munden nga përsheshi i pushtetit të tij. Po fatkeqësisht edhe nga të tjerë, opinionistë opozitarë që mendjelehtësisht e keqpërdorën këtë episod si një ndër shembujt ilustrues të hipotezës së artikuluar për një kohë të gjatë mbi ekzistencën e një pakti të fshehtë mes meje e Sali Berishës. I cili nuk ka ekzistuar kurrë.
Po sa ju shqetëson sot zoti Rama artikulimi i opinionit se këto gjeste dhe fryma e një politike të re ia kanë lënë vendin një gjesti të vjetër si bojkoti i parlamentit dhe një gjuhe të ashpër që na kujton PD-në e dikurshme në opozitë?
Padyshim bojkoti i parlamentit nuk është risi, ndërsa për sa i takon gjuhës e konsideroj në rastin më të mirë ngutje të pamenduar vendosjen e shenjës së barazimit mes gjuhës së ashpër, ashtu është, e ashpër, që unë apo përgjithësisht opozita përdor sot dhe gjuhës së egër të përdorur nga Sali Berisha e të tijtë dje, sot apo mot. Për definicion nuk ka të krahasuar ashpërsia qytetare e gjuhës sime, kolegëve, bashkëpunëtorëve të mi me egërsinë shpellare të gjuhës së Sali Berishës e të papagajve të tij. Dallimin e ndjen kushdo nuk paragjykon. Mund ta konfirmojë edhe çdo ekspert në çështje të komunikimit publik. Po ky s’është vendi e as rasti për të zhvilluar këtë analizë të lehtë krahasuese. Ky është vendi e rasti për të riprekur thelbin e problemit që ka të bëjë me arsyen pse ne jemi në bojkot dhe pse gjuha jonë është ashpërsuar. Ka ndodhur një krim, krimi elektoral. Mbrapshtia tradicionale ka fituar përsëri. është deformuar vullneti i popullit përmes shtetit të bërë njësh me pushtetin dhe është përmbysur në rrugë të paligjshme rezultati në një zgjedhje që ka përfunduar me diferencën më minimale në historinë tonë. Për më tepër ende, i është mohuar opozitës e drejta ligjore e hapjes së kutive gjatë procesit zgjedhor dhe sot i mohohet e drejta legjitime e hetimit të plotë të atij procesi. Shumëkujt kjo i duket jo kriminale po normale, Shqipëri hesapi kështu ka qenë gjithmonë! Madje disa argumentojnë paneleve të debatit mediatik se kjo është thjesht një lojë politike e opozitës. Ose fare thjesht sajesë e imja. S’kam asgjë më shumë për të thënë për këta avokatë të së keqes sesa fali zot se s’dinë se ç’bëjnë, sepse ajo që ka ndodhur në fakt është çështja e Partisë Socialiste, po aq sa ç’është fjala vjen edhe e Universitetit Europian të Tiranës, apo e çdokujt në Shqipërinë tonë. Historia na ka treguar jo një herë në këto vite demokracie pa gjunjë se ajo çka duket e hidhur për tjetrin, shumë shpejt mund të jetë e hidhur për ty. Për më tepër ne s’mund të lejojmë që ata që lindën në vitin ’90 e më pas të mos kenë mundësinë të votojnë si në Europë dhe të humbasin, qysh në votimin e parë, besimin tek liria e votës e tek ndershmëria e procesit zgjedhor.
Me fjalë të tjera, çështja që ne mbrojmë, çështja e “kutive”, nuk është shprehje e interesit të një pale, po e interesit të kujtdo që nuk është e nuk dëshiron të jetë palë me një pushtet të dalë nga zgjedhje të deformuara. I cili, ky lloj pushteti pra, nuk mund të mos degradojë në regjim, nuk mund të mos synojë gjunjëzimin e gjyqësorit, nuk mund të mos synojë sundimin mbi botën mediatike, nuk mund të mos synojë kontrollin mbi konkurrencën në treg dhe mbylljen e ciklit mes pushtetit që prodhon paranë e parasë që riprodhon pushtetin. Në këto kushte kjo nuk është një betejë palësh për pushtet, po një betejë shoqërore për demokraci. Gjuha e ashpër nuk është shprehja e agresivitetit të një pale ndaj një tjetre, po alarmi për rënien e shtetit të së drejtës. Alarm i ngritur përditë me fjalë të zgjedhura për të tingëlluar fort, por pa rënë në vulgaritetin e gjuhës së rëndë të palës tjetër. Bojkoti nuk është as zgjedhje e lirë e opozitës, as shkak për mosfunksionimin e demokracisë, po zgjedhje e detyruar si pasojë e mosfunksionimit të demokracisë. Bojkoti nuk është vetë sëmundja, po simptoma e saj alarmante.
Aq e vërtetë është kjo sa mjafton të parafytyrojmë ç’do të ndryshonte në thelb në rast se bojkoti do të ndërpritej pa kushte, sot, menjëherë(?). Asgjë për mirë. Përkundrazi, gjërat do të shkonin më keq. Simptoma alarmante do të zhdukej dhe do të fillonte një periudhë qetësie e rreme, qetësia e një paralize sfilitëse, një lloj të jetuari pa lëvizur në gjendjen e një grushti shteti permanent, pa demokraci funksionale edhe pse me një parlament të pabojkotuar. Sepse ndryshe nga ç’thuhet apo, edhe më keq, ndryshe nga ç’mendohet prej shumëkujt që për një arsye a një tjetër i bie shkurt kësaj pune, demokracinë nuk e bën funksionale fakti që ka një parlament me një maxhorancë që vendos ç’të dojë dhe me një opozitë që thotë ç’të dojë, po fakti që kontrolli i një pushteti kushtetues mbaron aty ku fillon kontrolli i një tjetri. Që kufiri i një institucioni mbaron aty ku fillon kufiri i një tjetri. Që liria e të drejtat e qeverisë mbarojnë aty ku fillojnë liritë e të drejta e njeriut e me radhë.
Le të kthehemi në retrospektivë zoti Rama për vetë natyrën e kësaj interviste në kapërcimin mes dy viteve. E nesërmja e 28 qershorit, më shumë akoma e pasnesërmja, ju vuri më pranë me Ilir Metën se asnjëherë tjetër qysh prej ndarjes së madhe. Të dy u gjendët nën sulmin e pushtetit, madje zoti Meta bëri një nga deklaratat e tij më të forta kundër kryeministrit me akuza të rënda për vjedhje votash. A ka pasur ndonjë komunikim mes jush?
Asnjë komunikim. Ka patur miq të mi apo edhe dashamirës të përbashkët që ma kanë sugjeruar komunikimin dhe janë habitur, sidomos të dytët, kur u kam thënë se jo vetëm s’duhet të ma sugjeronin, po as duhet të prisnin që Ilir Meta të rrinte majtas në rast se ne nuk kishim votat për të formuar qeverinë pavarësisht prej tij. Isha i bindur se tek ai, për shkak të mungesës së kulturës e të vizionit për veten e botën përreth, do të triumfonte tundimi provincial për të rikapur karrigen e dytë të qeverisë, këtë herë pranë Sali Berishës, duke i bërë keq Partisë Socialiste së bashku me Fatos Nanon. Të dy të bashkuar me Saliun prej një mllefi primitiv ndaj PS-së dhe një instinkti po aq primitiv për pushtet e për plaçkë.
Shumë besojnë se duke u pozicionuar politikisht kundër Sali Berishës, Ilir Metës dhe Fatos Nanos ju bëtë zgjedhjen më të vështirë dhe më të rrezikshme. A ishte vërtet sfidë e madhe të dilej triumfues?
Unë bëra të vetmen zgjedhje të ndershme në një situatë kur Partia Socialiste, i gjithë populli opozitar i socialistëve e progresistëve që votuan për ndryshimin, u tradhtua nga Ilir Meta që me votat e më të zjarrtëve kundër Saliut bëri prikën e dasmës me të. Ndërsa Fatosi e pat bërë pazarin e tij me Saliun kohë më parë. Kështu që të tre u gjetën të bashkuar në batakun e politikës së vjetër të së shkuarës, ku llokoçitet një pushtet i korruptuar interesash familjare e klienteliste.
Por ndërkohë as një pjesë njerëzish pranë jush, duke filluar nga Ben Blushi e Kastriot Islami, nuk pritën fundin e procesit për t’ju thënë publikisht se Partia Socialiste kishte humbur dhe se ju duhet të largoheshit. A e prisnit këtë “tradhti” miqsh dhe bashkëpunëtorësh të afërt pa u mbyllur procesi i numërimit në Fier?
T’ju them që e prisja do ju gënjeja. Por më anë tjetër vitet në krye më kanë mësuar sesa relative është njerëzorja në marrëdhëniet e punës kur puna është politika. Dhe tek e fundit procesi që u nxit nga ajo vënie e sforcuar në lëvizje e ambicieve për të synuar kreun e partisë nga disa apo thjesht largimin tim nga të tjerë, dha mundësinë e një ballafaqimi të hapur që partia e kaloi me sukses. Pavarësisht faktit që nga mënyra sesi u sforcua, ai proces e ndihmoi Sali Berishën të marrë frymë i patrazuar për një periudhë kohe të konsiderueshme pas krimit elektoral, s’ka dyshim se ballafaqimi që pasoi brenda vetes ishte një shembull tjetër i faktit të pamohueshëm se gjithsesi, pavarësisht të metave, ka vetëm një parti politike në Shqipëri që funksionon me një ndërgjegje demokratike, Partia Socialiste e Shqipërisë. E kjo s’është një vlerë në vetvete, po një garanci shoqërore, sepse PS-ja është e vetmja alternativë qeverisëse që nuk përbën kërcënim për demokracinë në Shqipëri, për liritë e të drejtat kushtetuese të njerëzve e të institucioneve. Vetëm një qeveri e jona dhe e aleatëve tanë tradicionalë e më të rinj do të mund t’i japë frymëmarrjen e lirë mendimit e tregut në Shqipëri.
Keni parasysh këtu edhe aleatët e djathtë të betejës për kutitë?
Sigurisht.
Duke folur për të metat zoti Rama, kritikët tuaj kanë këmbëngulur se ju nuk pranoni që PS-ja të ketë pasur të metat e saj në mënyrën sesi bëri opozitë para 28 qershorit apo në përgatitjen e zhvillimin e fushatës. Për shembull a e pranoni ju se po ta kishit bërë më parë këtë lloj opozite që po bëni pas 28 qershorit, do të kishit fituar zgjedhjet?
Kush më njeh nga afër e di se jam shumë kërkues ndaj vetes dhe shoh më shumë se kushdo tjetër të meta në punën time, në çdo gjë që bëj në fakt. Sigurisht që këto i ndaj me njerëzit a me bashkëpunëtorët e afërt dhe nuk i bëj konsum publik. Ashtu sikundër, ndryshe nga legjenda urbane e krijuar dhe ushqyer papushim në media, hyj tek ata drejtues që pyesin e dëgjojnë shumë përpara sesa të vendosin. Por padyshim kur e vendos diçka nuk ka gjë që më zmbraps pa e çuar deri në fund. E ndoshta ky tipar bie më shumë në sy.
Nuk e di sa e vërtetë mund të jetë që kjo lloj opozite që bëjmë sot, për arsyet e krijuara pas 28 qershorit, do të na kishte çuar në fitore në 28 qershor. S’kemi prova për këtë, vetëm arsyetime që sidoqoftë mua nuk më bindin. Ne nuk humbëm sepse nuk qemë të ashpër apo, siç u fol pa kursim, nuk kishim program, nuk kishim fotografi të tjera përveç simes në fushatë, nuk kishim vargjet e duhura në këngë e ku di unë ç’tjetër! E vërteta është shumë e thjeshtë. Ne nuk fituam sepse në Shqipëri nuk u bënë zgjedhje të lira e të ndershme të standardeve europiane dhe vullneti i popullit nuk u shpreh në rezultatin përfundimtar për shkak të krimit elektoral. Pikë. Po a ka pasur të meta pavarësisht të gjithave? Sigurisht ka pasur, por në rastin konkret, të marrit publik me këto të meta ishte pjesë, e vetëdijshme ose jo, e planit për harrimin apo relativizimin e krimit elektoral. Këtë mund ta bënte, me ose padashje, kushdo. Jo unë. Por padyshim në përgatitjen e zgjedhjeve të tjera ne do të mbajmë parasysh çdo të metë të vënë re në zgjedhjet që lamë pas dhe do të bëjmë çmos për ta korrigjuar.
A është kjo arsyeja pse keni iniciuar pas rizgjedhjes suaj punën për rishikimin e statutit e të programit të Partisë Socialiste?
Në fakt s’ka lidhje mbajtja parasysh e të metave me këtë punë të nisur. Unë nuk e llogaris programin tek të metat e zgjedhjeve të shkuara, përkundrazi, siç e tregojnë gjërat sot, programi ynë ishte alternativa e krizës që vendi po vuan e do vuajë edhe më shumë këtë vit, për shkak të keqqeverisjes e të mungesës së plotë të një programi për sfidat e vendit nga ana e palës që rri në qeveri me vota të vjedhura. Programi ynë ka përgjigjet e duhura për të nxjerrë nga kriza ekonominë, arsimin e shëndetësinë, fshatin shqiptar e në tërësi qeverisjen, përmes politikash të reja modernizimi radikal. Por padyshim që siç ndodh në partitë funksionale të botës, edhe programi edhe statuti ynë, janë pjesë e të jetuarit me ndryshimin, instrumente që përpunohen vijimësisht në funksion të ndryshimit që duam të sjellim në një realitet e kohë sfidash komplekse.
Po ndërkohë mes programit tuaj dhe mundësisë së realizimit të tij qëndron një tjetër proces i domosdoshëm zgjedhor. Normalisht zgjedhjet e ardhshme janë në vitin 2013. Ju kërkoni hapjen e kutive ose largimin e Berishës, pra e thënë ndryshe zgjedhje të reja. Por sidoqoftë, pse u zgjodh pikërisht alternativa e bojkotit për të vendosur kauzën tuaj në qendër të vëmendjes dhe nuk u zgjodh për shembull, siç është thënë, rruga më e efektshme e pjesëmarrjes në Kuvend dhe e protestave në rrugë?
Ata që e konsiderojnë më të efektshme këtë rrugë kinse të kombinuar mes pjesëmarrjes në Kuvend e protestave në rrugë, nuk e pranojnë se ka pasur një krim elektoral. Nuk e pranojnë se Sali Berisha ka vjedhur votat dhe pastaj ka grisur marrëveshjen e sanksionuar në Kodin Zgjedhor e të votuar konsensualisht pikërisht nga Kuvendi, duke penguar forcërisht hapjen e kutive të votimit nga dy anëtarët e KQZ-së që e kërkuan këtë. Nuk e pranojnë madje se ne kemi një kauzë legjitime për liri e demokraci, në këtë vend ku ka rënë shteti i së drejtës e ku pa zgjedhje të lira e të ndershme, s’ka asnjë gjasë të ketë liri e konkurrencë të lirë askund e për askënd që nuk është pjesë e oborrit të familjes në pushtet.
Fola më parë për bojkotin. Por do të shtoj këtu se nuk është pa lidhje me bojkotin pjesëmarrja masive e njerëzve në protestat tona. Kush kujton se njerëzit do të vinin po njëlloj në protesta sikur ne të hynim në kutinë e mbyllur të Kuvendit për të plotësuar fasadën e mangët të demokracisë pluraliste në sallën e përfaqësuesve të popullit, jo vetëm nënvleftëson inteligjencën e njerëzve dhe parimësinë e qartë të betejës sonë, por edhe nuk kupton se hyrja jonë pa kushte në një parlament të dalë nga dhunimi i procesit zgjedhor do të ishte vendosja e një kapaku të rëndë mbi zgjedhjet e shkuara dhe humbja e çdo shansi që zgjedhjet e ardhshme të jenë më të mira se të shkuarat. Duke hyrë në Kuvend pa garantuar hetimin e plotë të atyre zgjedhjeve, pa bërë transparencë të plotë për to, pa nxjerrë përgjegjësi ligjore për çka ndodhi, pa marrë përgjegjësi konkrete për garantimin e zgjedhjeve në të ardhmen, thjesht duke bashkëjetuar “de facto” me të keqen sikur asgjë s’ka ndodhur, ne jo vetëm pranojmë farsën demokratike që luhet në këtë vend ku kanë rënë të gjitha garancitë kushtetuese e balancat institucionale, po edhe bëhemi pjesë e kësaj farse. Kjo është e patolerueshme. Populli opozitar, me plot të drejtë, nuk do ta justifikonte kurrë në këto kushte dualitetin “edhe në parlament edhe në rrugë” e, padyshim, nuk do të kishte motiv të na ndiqte.Hapja e kutive për hir të hetimit, të transparencës e të nxjerrjes së përgjegjësive, dhe aspak për të ndryshuar rezultatin e rindarë mandatet duke i rënë ndesh vendimmarrjes së parevokueshme të gjykatës, është gur themelor për rilegjitimimin e parlamentit, rimëkëmbjen e procesit politik në parlament, ringritjen e urave të bashkëveprimit politik e institucional për reformat e për zgjedhjet e ardhshme. Përpjekja për të shkuar me pahir në një rrugë të kundërt me rrugën e ripozicionimit të forcave politike në funksion të normalizimit të jetës politike, vetëm e rëndon krizën që po gjunjëzon vendin dhe që, duan s’duan ata që qeverisin apo ata që, për një favor a një tjetër, i bëjnë duva në tribunat e shtypit Pinokut kryeministër duke mbyllur paturpësisht sytë përpara keqqeverisjes, është jo thjesht një krizë ekonomike, po një krizë tërësore e demokracisë. E cila jo vetëm nuk zgjidhet pa opozitën, po rëndohet shumëfish duke zgjedhur luftën tribale me opozitën.
Por duket se kërkesa për hapjen e kutive të votimit është përfundimisht e papranueshme për maxhorancën. Cila mendoni se do të ishte zgjidhja në një situatë të tillë zoti Rama?
Nuk ka maxhorancë që pranon ose jo një gjë ose një tjetër, po ka vetëm një njeri që dikton rrugën dhe përcakton fatin e forcës që sot qeveris mbi kutitë e mbyllura forcërisht, Sali Berisha. Prandaj le ta adresojmë aty ku duhet përgjegjësinë për mbajtjen me pahir mbyllur të kutive votimit dhe, për pasojë, për mbajtjen me pahir jashtë parlamentit të deputetëve të opozitës. Cili kryeministër, i dalë nga zgjedhje të pacenuara në përmbajtjen e rezultatit të tyre, do të mbante mbyllur kutitë dhe do ta linte opozitën jashtë parlamentit, duke refuzuar hetimin parlamentar e transparencën e zgjedhjeve  në kushtet e një krize të frikshme si kjo që po kalon vendi? Asnjë në botë! Flas për botën demokratike sigurisht. Madje përkundrazi, një kryeministër që nuk ka ndotur zgjedhjet duke përmbysur rezultatin dhe duhet, njëkohësisht, të përballet me rrëshqitjen e pandalshme të ekonomisë në të tatëpjetën e një krize shumëpërmasore, është njeriu më i interesuar për të ndërtuar një proces politik konsensual jo një proces konflikti permanent me opozitën, një dialog politik të hapur, të barabartë, të thellë për problemet e vendit me të gjitha palët jo një monolog agresiv plot kërcënime e shantazh për çdo palë jashtë oborrit të vet, një bashkëjetesë qytetare jo shpellare me kundërshtarin.
Sali Berisha për fat të keq ka përmbysur rezultatin e zgjedhjeve duke i rënë ndesh vullnetit të popullit dhe prandaj s’ka kurajo të hapë kutitë. Prandaj ka zgjedhur ndeshjen me forcë jo forcën e arsyes në ballafaqimin me opozitën. Ne jemi gati ta përballojmë e ta fitojmë sfidën edhe në terrenin që ai ka zgjedhur. Sigurisht do të parapëlqenim dialogun pa kushte, por s’ka kusht e forcë që na zmbraps në rrugën tonë të drejtë e të ndershme, jo më një grabitës votash që krekoset si gjel majë plehut mbi kutitë ku mban mbyllur forcërisht të vërtetën e hidhur të pushtetit të tij.
Faktori ndërkombëtar vijimësisht ka kundërshtuar bojkotin pa dashur të analizojë në detaje kërkesat e opozitës nëse janë të drejta apo jo. Në fakt sa e ndjeni këtë presion?
Miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë janë të shqetësuar për këtë gjendje anormale politike dhe padyshim kanë dashur qysh në fillim normalizimin e saj. Por lejomëni t’ju them se s’më është dukur asnjëherë se duke thënë bojkoti nuk është gjë e mirë, ata kanë bërë presion mbi opozitën. Jo, ata kanë bërë presion mbi të gjithë, sepse vërtet bojkotin e bën opozita, por shkaku i këtij bojkoti është abuzimi me pushtetin. E thashë edhe më parë, bojkoti është simptoma e një sëmundjeje të rëndë dhe nuk është vetë sëmundja. Sfida jonë s’është të heqim simptomën për të fshehur sëmundjen, po të kurojmë sëmundjen që vetvetiu zhduk edhe simptomën.Po a nuk është kosto për Shqipërinë që një diplomat i huaj të arrijë deri aty sa t’u mësojë krerëve të politikës se si të bëjnë politikë duke e krahasuar me kërcimin tango?Mos u jepni rëndësi këtyre detajeve. Miqtë tanë ndërkombëtarë nuk janë zoti në tokë, po thjesht miq që na duan të mirën. Ata nuk janë këtu për të qeverisur Shqipërinë apo për t’i bërë opozitën qeverisë, as për të zgjidhur problemet tona, po për të na ndihmuar me aq sa munden që ne t’i zgjidhim ato e të bashkohemi me ta në tryezën e familjes europiane. Fati ynë është në duart tona. Sa më shumë të bëjmë për veten aq më shumë do të bëjnë miqtë për ne. Dhe e kundërta.
Ndërkombëtarët kanë deklaruar se kërkohet një dialog dhe jo një trialog duke nënkuptuar përjashtimin e tyre nga ky proces. Nga do të vijë zgjidhja?
Pikërisht pra, është ajo që sapo ju thashë, fati ynë është në duart tona dhe këtë na e kanë thënë gjithnjë, prej vitesh, edhe miqtë tanë ndërkombëtarë. Të cilët nuk ndjehen mirë me zmadhimin që i bëhet tek ne rolit e fjalëve të tyre.
Po pozicionin e Presidentit Bamir Topi përballë kësaj situate ku edhe është përfolur si një ndërmjetës i mundshëm për dialogun si e gjykoni?
Presidenti nuk besoj se ka çfarë bën më shumë për dialogun e munguar në kushtet kur jo të gjitha palët, kam parasysh këtu Sali Berishën, do ta pranonin për të ndërmjetësuar një proces dialogu mes forcave politike. Ai ka shprehur publikisht predispozitën për ta marrë këtë rol në rast se do të donin të gjithë dhe kaq mund të bëjë. Korrekt.
A e pengon situata politike integrimin europian të Shqipërisë zoti Rama dhe sa përgjegjës ndjeheni ju për këtë, ndërkohë që qeveria ju bën përgjegjës se, sipas saj, po përpiqeni të pengoni liberalizimin e vizave?
Kjo e vizave është një akuzë e poshtër, e fabrikuar me synim manipulimin e opinionit publik për një dështim të mundshëm të radhës lidhur me këtë proces ku faktikisht kemi mbetur të fundit, si mos më keq, për faqen më të zezë të dallkaukëve që qeverisin Shqipërinë. Unë nuk besoj se mund të ketë një tjetër shtyrje të afatit të liberalizimit të vizave, Europa e lëvizjes së lirë s’mund të bashkëjetojë me një vrimë të zezë mu në zemër të saj. Kështu, lidhur me vizat, Shqipëria do ta marrë, sepse do t’ia japin, klasën ku ka mbetur e fundit. Por fajësimi i opozitës për këtë katandi të vendit është pjesë e politikës së paturpshme të baltës e të mllefit, pa kurrfarë lidhje me të vërtetën. Sepse nuk është faji i opozitës që vullneti i popullit u deformua, që ligji i zgjedhjeve u shkel e kutitë u morën peng me pahir, që shteti i së drejtës ka rënë e përgjegjësit e vërtetë për krimet shtetërore të Gërdecit a Kalimashit qeverisin vendin, që barra e korrupsionit është shtuar duke e zhytur Shqipërinë nën Ruandën e Ugandën në klasifikimin e vendeve më të korruptuara, që liria e mediave është relativizuar përmes korruptimit e trembjes së disave apo është goditur përmes ushtrimit të forcës e shantazhit mbi disa të tjerë, që sipërmarrja është vënë në shënjestrën e një lufte të egër selektive për pushtet dhe para, që konkurrenca e lirë në treg ia ka lënë vendin kapjes së tregjeve përmes shtetit të kapur për interesat e familjes në pushtet, e cila ka kthyer prioritetet e veta ekonomike e financiare në prioritete të qeverisjes së vendit. Këto s’janë probleme të një vendi europian, po të një demokracie që nuk funksionon. E cila, në këtë gjendje, është e papajtueshme me demokracitë europiane dhe e paintegrueshme me to. Jo për faj të opozitës, po si pasojë e vizionit as demokratik e as europian për shtetin e shoqërinë që ka njeriu që sot drejton Shqipërinë me vota të vjedhura.
Zoti Berisha nga ana e tij ka shpallur publikisht një luftë që ai e quan me tolerancë zero ndaj një aleance komunisto-mafioze, duke ju quajtur juve si kreun e saj dhe duke renditur si pjesëtarë të kësaj aleance deputetë socialistë e biznesmenë të afërt me ju. Gjithashtu kryeministri ka rreshtuar një sërë akuzash shumë të rënda lidhur me jetën tuaj personale, të cilave ju keni parapëlqyer të mos u përgjigjeni publikisht…
Kjo e fundit nuk është aspak e vërtetë. I jam përgjigjur këtyre horrllëqeve me një padi të plotë, ku janë renditur një për një shpifjet e zotërisë mbi jetën time personale. Ashtu sikundër ka shkuar mbi njëzet numri i padive penale e civile për Sali Berishën e për papagajtë e tij, lidhur me të gjitha akuzat e bëra qysh prej hapjes së kësaj barbarie të turpshme politike me opozitën e barazuar me mafian e të shpallur rrezik kombëtar. I takon këtij burri të paburrë të provojë më fund, pas kaq e kaq vitesh që e ka kthyer politikën në një qenef të pështirë, vërtetësinë e akuzave të tij. Unë e kam sfiduar përmes rrugës ligjore dhe nuk do të ndalem në këtë rrugë edhe sikur ngurrimi a frika e njerëzve të drejtësisë t’i zvarrisë këto çështje me vite të tëra. Një ditë, herët e vonë, ky njeri duhet të paguajë për dëmin moral që ka shkaktuar me tërë lumin e baltës së tij. Sipas ligjit. Po njësoj do të paguajnë edhe papagajtë e tij, që në shekullin XXI turpërojnë shoqërinë shqiptare me mungesën skandaloze të dinjitetit në rolin që luajnë.
S’është po ashtu e vërtetë që biznesmenët e shpallur mafiozë nga Sali Berisha, janë vënë nën goditjen e paligjshme të tij sepse janë të afërt me mua. Jo, ata goditen sepse financojnë media që nuk janë të afërta me të, me pushtetin e interesave e të pisllëqeve të tij. Dhe e gjithë kjo barbari ka nisur sepse Sali Berishës po i rrëshqet toka nën këmbë dhe po i ikën përditë nga duart pushteti i marrë pa pëlqimin e popullit. As mbajtja peng e kutive të votimit në kundërshtim me vullnetin e popullit të shprehur në Kodin Zgjedhor e të shfaqur në protestën e gjatë të muajve të fundit, as shpallja e opozitës kërcënim për vendin dhe nxjerrja e darave të abuzimit me dhunën shtetërore për të goditur disa kundërshtarë të pushtetit që të tremben të gjithë, as zhytja e vendit në borxhe pas borxhesh për të mbuluar më tej një krizë të rëndë që tanimë ka prekur palcën e ekonomisë shqiptare, nuk e shpëtojnë dot Pinokun tonë nga përballja me kalbëzimin e pushtetit të tij të gënjeshtërt. Ka vetëm një rrugë për të, sa s’është vonë: Kthimi në legjitimitet. Ne i kemi ofruar bujarisht shtegun më pa kosto, hapjen e kutive të 28 qershorit dhe hetimin e plotë të zgjedhjeve të shkuara, jo për të ndryshuar rezultatin po për të garantuar lirinë e ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. Ju siguroj se ky që sot e gjithë ditën i duket një shteg i ngushtë për pushtetin e tij të vjedhur dhe prandaj e refuzon, në një të nesërme shumë të afërt do t’i duket një bulevard i gjerë ku s’do kthehet dot.
Po a ju duket e arsyeshme që opozita të mbrojë një pallat nga fadromat e ndërtimorëve?
Kështu thonë ata që s’duan të shohin atë që po ndodh dhe s’kanë sesi ta shohin ndryshe edhe këtë detaj. Opozita nuk ka mbrojtur ndonjë pallat nga “ndërtimorët”, po ka mbrojtur lirinë e të drejtën kushtetuese e ligjore për të bërë biznes pa qenë pjesë e oborrit të familjes në pushtet. Ai pallat nuk u godit nga ndërtimorët, po nga Sali Berisha, në shkelje flagrante të Kushtetutës e të ligjit, përmes abuzimit flagrant me forcën e shtetit dhe në funksion të së ashtuquajturës luftë me mafian, për të njollosur njerëzit e opozitës me faje që nuk i kanë kryer kurrë e për të terrorizuar sipërmarrjen dhe publikun në kushtet kur, në të vërtetë, frika nga kundërshtia popullore ka pushtuar shpirtin e tij. Jo vetëm që opozita bëri gjënë e duhur, po nuk do të ngurrojë të bëjë të njëjtën gjë në mbrojtje të sipërmarrjeve që do të trysnohen me forcën abuzive të shtetit në kundërshtim me ligjin. Kushdoqofshin e për çfarëdo motivi që do të trysnohen, nga trysnia e llojit që folëm tek trysnia për të mbledhur para për arkën e boshatisur të shtetit, duke ushtruar kontrolle abuzive për të kërryer lekë me gjoba abuzive. Ky është pushteti i biznesmenit të madh Sali Berisha, ne jemi partia e çdo shqiptari që merret me biznes.Gjatë akuzave të shumta të bëra ndaj jush në fund të vitit 2009, kryeministri iu referua edhe lëvizjes studentore. Berisha tha se kishit qëndruar me themeluesit e PD-së vetëm 18 minuta dhe pasi bëtë një replikë dikush ju bëri një pyetje e kërkoi të dilni jashtë dhe ju dolët. Si është e vërteta?Nuk e kam dëgjuar këtë dokërr mes dokrrash që bëhen të pasosura kur Saliu është në hall, dhe këtë herë ai është në hall të madh vërtet, por dëshmia ime lidhur me atë periudhë gjendet e plotë në librin “Refleksione”. Sot është për të ardhur keq që një njeri që ka dëshmuar në gjyq për të burgosur një “armik” të diktaturës komuniste, që ka internuar një çift mjekësh të pafajshëm për t’i shërbyer me zell diktaturës komuniste, që ka qenë njëzetepesë vjet me radhë propagandist i zjarrtë i diktaturës komuniste, jo thjesht sundon të djathtën shqiptare me metoda e frymë enveriste, po mban peng debatin publik me referimin manipulues ndaj të shkuarës e me gjuhën karakteristike të së shkuarës.Le të ndalemi një moment tek ekonomia. Kryeministri e qeveria thonë se kriza ekonomike është një sajesë e opozitës, ndërkohë ju këmbëngulni për të kundërtën, madje Partia Socialiste ka zhvilluar një asamble të jashtëzakonshme kombëtare për ekonominë në krizë. Kë duhet të besojnë shqiptarët zoti Rama?
Shqiptarët duhet të besojnë xhepin e tyre, tryezën e tyre familjare, çmimet në treg, faturat e tyre të energjisë, koston e librave të shkollës për fëmijët, pagesat e vizitave në spital e çmimin e ilaçeve për të sëmurët. Mbulimi i një krize, aq më shumë i një krize të përmasave të tilla, nuk është tipar i një qeverisjeje demokratike që garanton transparencë për punët e vendit, po tipar karakteristik i regjimeve që s’kanë të bëjnë me parimet e vlerat e demokracive perëndimore. Presidenti Obama apo kancelarja Merkel, sa për të marrë dy nga plot shembujt e botës së lirë demokratike, u përballën me krizën financiare globale duke folur hapur me popujt e tyre, duke treguar qartë, në dritën e diellit të dhënat e frikshme të krizës dhe duke udhëhequr me largpamësi e kurajo në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë. Dihet botërisht se suksesi në menaxhimin e një krize që prek njerëzit varet nga niveli i drejtkuptimit e përfshirjes së njerëzve në përpjekjen për të dalë nga kriza duke bërë sakrificat e nevojshme. Krejt e kundërta ndodhi me Shqipërinë, e cila nuk kishte sesi të prekej fort nga kriza financiare globale menjëherë sapo kriza pllakosi në vendet e zhvilluara për shkaqe të lidhura pikërisht me natyrën e zhvillimit kapitalist, qysh prej epokës së reganizmit, që s’është vendi t’i shtjellojmë. Por padyshim Shqipëria nuk mund të mos prekej në vijim, madje keqas dhe jo vetëm si pasojë e reflektimit të krizës globale edhe mbi vendin tonë, por edhe, madje në radhë të parë, si rezultat i ezaurimit të modelit tonë të gabuar të rritjes ekonomike pa zhvillim e punësim dhe, padyshim, molepsjes së madhe të këtij modeli me korrupsion.
Jo thjesht prej injorancës, por i interesuar vetëm për pushtetin e tij të ngritur mbi dobësitë e këtij modeli e mbi përfitimet nga korrupsioni, Pinoku kryeministër e mohoi krizën për të realizuar me gënjeshtra të pafundme qëllimin e tij dritëshkurtër elektoral  dhe ja ku gjendet për shkakun e tij Shqipëria, vetëm më pak se një vit më vonë. E prekur thellë nga një krizë ekonomike që kambanat e opozitës e të Fondit Monetar Ndërkombëtar e paralajmëruan qysh në fillim të vitit të shkuar për të shmangur të keqen që sot ka hyrë në palcë, duke precipituar si pasojë e duarve të lëshuara për shpenzimet kriminale elektorale të tre muajve që pararendën 28 qershorin 2009. E thënë shkoqur shqiptarët kanë hyrë të gjithë në një borxh të pakërkuar dhe sot jeta e secilit është shtrenjtuar vetëm e vetëm që Sali Berisha të rrinte në pushtet. Ky borxh shtohet çdo ditë duke u bërë lak që shtrëngohet në fytin e Shqipërisë që s’ka më para të paguajë për pushtetin e tij.
Në fakt këto janë situata të vështira tipike për konsensuse të mëdha politike në të mirën e vendit. Zoti Berisha e ka theksuar në më shumë se një rast që koalicioni PD-LSI është një shembull shqiptar i koalicionit të madh mes të djathtës e të majtës në disa vende europiane. A gjykoni se ka gjëra të ngjashme në këtë drejtim dhe si e shihni ju këtë koalicion përtej retorikës politike?
I ashtuquajturi koalicion që qeveris Shqipërinë ngjan konceptualisht me koalicionin e madh në Gjermani po aq sa ç’ngjan fizikisht Sali Berisha me Anxhela Merkelin. Në Shqipëri nuk ka një koalicion mes të djathtës e të majtës në qeverisjen e vendit, po njerëz të bashkuar në pushtet nga aritmetika elektorale për hir të aritmetikës së përfitimeve familjare.
Ndërkohë do të rifillojë punimet Kuvendi i Shqipërisë dhe në 7 mars, me përfundimin e gjashtëmujorit të parë të këtyre punimeve përfundon edhe afati për mandatimin e deputetëve socialistë. E thënë ndryshe digjen mandatet e tyre. Si do të veproni lidhur me këtë ngërç në rrugën e bojkotit?
E gjithë kjo thashethemnajë mediatike për djegie e mosdjegie mandatesh është e kotë, pjesë e diversionit ndaj grupit tonë parlamentar. I cili në këtë periudhë është hasur me gjithëfarë përpjekjesh të shëmtuara, që nga ofertat astronomike financiare për të joshur deputetë të caktuar, deri tek përpjekjet për të nxitur një frymë përçarëse e shkurajuese brenda grupit nga rrugë e drejtime të ndryshme. E vërteta është se për asnjë çast, qysh nga sekonda e parë e marrjes së vendimit për të kushtëzuar hyrjen në parlament, djegia e mandateve nuk ka qenë opsion. Ne nuk kemi më shumë mandate se ç’na ka dhënë populli në 28 qershor, po disa më pak. çdo mandat i yni është mandat i popullit dhe as digjet, as transferohet, siç padyshim ëndërron Sali Berisha pasi ka dështuar në përpjekjet për ta relativizuar fuqinë e grupit socialist. Deputetët tanë janë deputetë të popullit dhe do të mbeten të tillë deri ditën kur populli do të rizgjedhë. Nuk mund t’ju them sot, madje s’ka asnjë rëndësi të veçantë se si dhe kur do të trajtohet ky detaj procedural për konfirmimin e mandatit të çdo deputeti, por është e sigurt se në rast se Sali Berisha do të vazhdojë ta refuzojë kokëfortësisht kërkesën tonë kushtetuese e ligjore për hetimin e transparencën e plotë të zgjedhjeve, duke filluar nga hapja e kutive të votimit, festa e mësuesit do t’i gjejë deputetët tanë jashtë parlamentit. Pranë mësuesve e të gjithë shqiptarëve, në rrugën e betejës për largimin e qeverisë.
Diku në pranverë do të mbahet edhe kongresi i Partisë Socialiste. çfarë pritet të ndryshojë?
Gjithçka që duhet të ndryshojë. Partia Socialiste është fuqia e ndryshimit, që ndryshon si duhet vetveten për të ndryshuar sa duhet Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›