E Diel, 1 Nëntor 2026

Autoriteti Konkurencës presion Petroliferës, në rrezik investimi 70 mln €

TIRANE- Autoriteti i Konkurencës krijon konflikt të hapur me një nga kompanitë më të mëdha investuese në vend, sic është kompania italiane Petrolifera në gjirin e Vlorës. Autoriteti i Konkurencës i bën presion financiar kompanisë së njohur në fushën e depozitimit dhe magazinimit të gazit , duke e penalizuar edhe më nje gjobë prej 10% të xhiros vjetore për të detyruar kompaninë të punojë për të tretët pa asnjë garanci dhe kontratë qeraje.
Historia e presionit të hapur të Autoritetit të Konkurencës ndaj Petroliferës nisi ditët e para të muajit mars të këtij viti, kur ky institucion shtetëror duke ju referuar një kontrate të Petroliferës me ndërmarrjen Kalaja shpk konstaton se kompania italiane ka kufizuar të drejtën e operatorëve të tjerë duke e cilësuar këtë një kompani që vepron si monopol.
Por ky pretendim hidhet poshtë në mënyrë kategorike nga ana e drejtuesve të kompanisë.
Drejtuesit e Petroliferës e cilësojnë situatën e krijuar si të inicuar nga disa subjekte importuese të gazit të cilët duan të vazhdojnë të punojnë pa asnjë rregull dhe që merren në mbrojtje nga Autoriteti i Konkurencës.
Investuesi Italian thotë se që prej 2005-ës kanë ofertuar me mjaft investues shqiptarë , madje dosjen e tyre të plotë ja kanë paraqitur dhe Autoritetit të Konkurencës që e ka shpërfillur atë duke marrë një vendim tërësisht arbitrar.
I gjithë letërkëmbimi i Petroliferës me importuesit i është vënë në dispozicion dhe ish ministrit të Ekonomisë Genc Ruli që në 2008-ën, madje faksimilet janë zbardhur sot në një shkrim të posacëm në Gazeta Shqipëtare.
Drejtuesit e Petroliferës thonë se qëllimisht disa subjekte importuese kanë shmangur kontratat me Petroliferën, pasi kërkojnë kalim direkt të gazit me anijet e autobotet dhe jo me cisterna , duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin dhe standardet.
Sipas koncensionarit të huaj, bizneset që protestojnë sot dhe që mbrohen nga Autoriteti i Konkurencës kanë refuzuar në vijimësi shërbimin e ofruar nga Petrolifera.
Në argumentat e dhënë nga italianët theksohet se aktiviteti i Petroliferës është privat dhe nuk është një port në shërbim të kujtdo, dhe ata që nuk paguajnë nuk do të marrin shërbimin e kërkuar.
Në këto kushte kompania italiane e cilëson të gabuar si ndërhyrjen , ashtu dhe vendimarrjen e Autoritetit të Konkurencës. Drejtuesit e saj shkojnë më tej kur e cilësojnë këtë një masë shtetërore arbitrare që ndikon drejtpërdrejt në investimin e saj që kap shifrën deri në 70 milionë euro.
Për drejtuesit e kompanisë, ky presion do të thotë shpronësim, shkelje e hapur e së drejtës ndërkombëtare dhe themelore e njeriut për pronën.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›