E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autoriteti i Aviacionit Civil dëme mbi 500 mijë euro

Në përfundim të këtij auditimi, Grupi i auditimit të KLSH ka konstatuar dhe raportuar një sërë mangësish, parregullsish dhe shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, madje dhe me pasojë dëm ekonomik.

Zbulimet dhe përfundimet e këtij kontrolli tregojnë se, menaxhimi dhe administrimi nga ana e stafit drejtues dhe punonjësit e ngarkuar të AAC është shoqëruar në mjaft raste me mosrespektim dhe moszbatim të akteve ligjore, nënligjore dhe rregullative në fuqi.

Më konkretisht:

-  Mangësi dhe parregullsi në identifikimin dhe planifikimin e nevojave për mallra, shërbime e punime ndërtimi, si dhe në zbatimin e procedurave për prokurimin e tyre në përputhje me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007, “Për rregullat e prokurimit publik”, i ndryshuar.
Mossigurimi i profesionalizmit të kërkuar për shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave; anulimin dhe përsëritjen disa herë të procedurave të prokurimit, gjë që ka sjellë që nevojat për mallra dhe shërbime të mos jenë koherente; mangësitë në hartimin e kërkesave të veçanta për kualifikim për të siguruar konkurrencën e nevojshme dhe për të arritur rezultatet e duhura në përdorimin e fondeve publike; nënshkrimi dhe marrja në dorëzim në mënyrë fiktive nga komisioni i marrjes në dorëzim të mallrave dhe shërbimeve; mospërgatitja e raporteve përmbledhës për korrektësinë dhe cilësinë e zbatimit të kontratave etj.
-    Mangësi në hartimin e programeve vjetore të punës, tremujore, mujore dhe në dokumentimin e punës së bërë për zbatimin e këtyre programeve, nëpërmjet raporteve përkatëse të administruara në formë të shkruar në arkivin e AAC.

-  Marrja e vendimeve nga Këshilli Drejtues i AAC në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, si VKM  nr. 870, datë 14.12.2011 “Për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimeve dhe dietat për punonjësit e ministrive dhe të institucioneve buxhetore, kur dalin jashtë shtetit” dhe nr. 864, datë 23.07.2010 “Për pajisjen me numër telefoni celular të personave juridik”.
-   Mos hartimi i programeve ekonomike financiare bazuar në nevojat dhe mundësitë reale të AAC.
-   Mos hartimi dhe mosparaqitja për miratim te Ministri i MPPT i tarifave që duhet të zbatohen nga AAC, për shërbimet që duhen kryer në zbatim të nenit 9, pika 2, të ligjit nr. 10040, datë 22.12.2008 "Kodi Ajror i RSH" dhe neneve 6, 17 të ligjit nr. 10233, datë 11.02.2010 “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, gjë e cila është shoqëruar me efekte financiare negative në të ardhurat e AAC-së në vlerën 1,986,116 Euro, duke favorizuar kompanitë ajrore “Belle Air” dhe “Albanian Airlines”.

-   Mosparashikimi i të ardhurave nga udhëtimet Charter, duke i kaluar ato në udhëtime Schedule, me pasojë dëm ekonomik në vlerën 405,650 Euro, veprim ky në kundërshtim me vendimin e KM nr. 492, datë 30.6.2005 “Për caktimin e tarifave të shërbimeve…………….në AAC”.  
-    Mosbashkëpunimi dhe mosrakordimi ndërmjet AAC dhe Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rinas,  lidhur me numrin e pasagjerëve të terminuar, për të cilët aplikohet tarifa e sigurisë 2 Euro për çdo pasagjer të hyrë dhe dalë nga Aeroporti (25 % e të cilës merret nga AAC), me pasojë dëm ekonomik në vitet 2010-2011, në vlerën 10,761 Euro.
-    Moszbatimi i kushteve të kontratës të lidhur me një fondacion shqiptar (drejtuesit e së cilës janë në lidhje të afërta me ish Drejtorin e AAC), ku nga auditimi me zgjedhje, vetëm për muajin nëntor 2011 është konstatuar një diferencë me pasojë dëm ekonomik, ndërmjet ditëve (FT) të parashikuara në kontratë me ditët e punuara dhe të likuiduara, e cila llogaritetn në vlerën 4,386,666 lekë.
-   Mosvendosja e një database financiare për të përmirësuar raportimin dhe për t’i shërbyer me koherence sistemit financiar të drejtorisë.

- Mangësitë në administrimin dhe ruajtjen e vlerave materiale e monetare të ACC dhe  mosinformimi për gjendjen dhe lëvizjen e mjeteve materiale e monetare.
-    Mosprogramimi i strategjisë për menaxhimin dhe zhvillimin e burimeve njerëzore, përfshirë rekrutimin dhe politikat e përzgjedhjes, të trajnimit, motivimit, zhvillimit, vlerësimit të performancës dhe çështje të menaxhimit të cilësisë etj.
Për sa më sipër, vlera totale e shkeljeve të dispozitave ligjore në fuqi, me pasojë efekte financiare negative llogariten në vlerën 1,986,116 Euro; ndërsa me pasojë dëm ekonomik për buxhetin e AAC në vlerën 8,586,666 lekë dhe 416,411 Euro.   

Për përmirësimin e gjëndjes, KLSH ka rekomanduar 32 masa organizative nga më të ndryshmet, duke filluar nga shfuqizimi i vendimeve të Këshillit Drejtues, hartimi dhe miratimi i programeve të studjuara ekonomike financiare, zbatimi me rigorozitet i procedurave dhe përcaktimeve ligjore për prokurimin publik, miradministrimi i të ardhurave dhe shpenzimeve, bërja e propozimeve për miratim të tarifave të parashikuara në dispozitat ligjore për aviacionin civil, mirëfunksionimi i kontrollit të brendshëm dhe deri në zhvillimin e burimeve njerëzore, identifikimin e nevojave dhe trajnimin e stafit.
Përsa i përket masave për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar, KLSH ka kërkuar që AAC të kërkojë në rrugë ligjore, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe të gjitha shkallët e gjykimit, arkëtimin e të ardhurave në udhëtimet Charter në vlerën 405,650 Euro, nga kompanitë ajrore “Belle Air” dhe “Albanian Airlines”; arkëtimin e dëmit ekonomik në vlerën 4,386,666 lekë, shkaktuar nga fondacioni “Akademia e Aeronautikës Shqiptare”, si pasojë e diferencës së ditëve të parashikuara në kontratë me ditët e punuara dhe të likuiduara; arkëtimin e dëmit ekonomik në vlerën 10,761 Euro, shkaktuar si pasojë e mosaplikimit të tarifës së sigurisë 2 Euro për çdo pasagjer të hyrë dhe dalë nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të kërkojë në rrugë administrative nga fondacioni “Akademia e Aeronautikës Shqiptare”, pagesën e detyrimit tatimor shkaktuar si pasojë e mosderdhjes së t.v.sh.-së në vlerën 4,200,000 lekë.

Lidhur me masat disiplinore, KLSH ka rekomanduar, fillimin e procedures për:
“Largim nga puna në Autoritet” për Zv/ Drejtorin Ekzekutiv, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor (i autorizuar); dhe

“Paralajmërim me shkrim për largim nga puna me afat shlyerje 1 vit” e “Vërejtje me shkrim me afat shlyerje 6 ( gjashtë) muaj”, për 26 punonjës, masa të cilat mund të thellohen nga Drejtori Ekzekutiv i AAC, në varësi të shkallës së parregullsive dhe shkeljeve të shkaktuara nga secili punonjës i përgjegjësuar në Raportin Përfundimtar të Auditimit.  Për ish Drejtorin Ekzekutiv masa disiplinore “largim nga puna në autoritet” konsiderohet e ezauruar, për shkak se Ministri i Punëve Publike dhe Transportit e ka larguar nga puna në AAC.  
 
Referuar parregullsive dhe shkeljeve të ndryshme të konstatuara në prokurimet me vlerë të vogël dhe të lartë për periudhën 01.09.2010-29.02.2012, si dhe përgjegjësisë individuale të evidentuar dhe pasqyruar për çdo praktikë, bazuar në nenin 13 dhe 72, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar, KLSH i ka kërkuar Agjencisë së Prokurimit Publik që të vlerësojë shkeljet e konstatuara dhe të marrë masat administrative e disiplinore respektive për 13 punonjës. /Start/

                                                                                             2012-06-19 16:57
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›