Autoriteti i Konkurencës: Jo transparencë në shërbimet bankare

Autoriteti i Konkurrencës gjatë monitorimit të tregut të shërbimeve bankare ka konkluduar se ka mungesë transparence në shërbimet bankare e cila bën të vështirë analizën e shkallës së konkurrencës efektive midis operatorve të këtij tregu.
Në një deklaratë për shtyp Autoriteti i Konkurrencës gjithashtu thekson se bankat e nivelit të dytë për disa nga shërbimet si p.sh llogaritë rrjedhëse dhe çeqet aplikojnë komisione në euro dhe jo në monedhë vendase, duke i vendosur konsumatorët përballë riskut të kursit të këmbimit.
“Nga vlerësimi i treguesve të transparencës u konstatua se jo të gjitha bankat e nivelit të dytë kanë faqe interneti dhe si rrjedhojë nuk kanë të publikuara kushtet e punës në gjuhën shqipe. Theksojmë se megjithëse disa janë degë të bankave të huaja, për sa kohë veprojnë në territorin gjeografik të Republikës së Shqipërisë duhet ti informojnë klientët në gjuhën shqipe” thuhet në deklaratë.
Gjithashtu autoriteti i konkurencës nga krahasimi i tarifave të shërbimeve më bankat e rajonit, brenda të njëjtit Grup Bankar, u konstatua se bankat që operojnë në Shqipëri aplikojnë tarifa më të larta të shërbimeve bankare(si komisioni për mbyllje llogarie rrjedhëse, mirëmbajtje llogarie, kartat plastike) sesa bankat homologe ne rajon, duke vështirësuar përfitimin e këtyre shërbimeve nga klientët dhe mundësinë e ndërrimit të bankës.
Për këtë qëllim ky autoritet i rekomandon Bankës së Shqipërisë të përmirësojë instrumentet për të forcuar zbatimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor për transparencën e bankave të nivelit të dytë si dhe të marrë masa për rritjen e transparencës së bankave të nivelit të dytë për produktet dhe shërbimet bankare dhe financiare nëpërmjet vendosjes së detyrimit për krijimin dhe përditësimin e informacionit në faqet e internetit të bankave të nivelit të dytë në lidhje me publikimin e kushteve të punës.
Sipas autoritet të konkurencës rritja e transparencës do t`iu ofronte më shumë mundësi zgjedhje klientëve duke rritur në këtë mënyrë konkurrencën midis bankave.