Pacientët me HIV/AIDS, pa medikamente
Pacientët me HIV/AIDS vazhdojnë të vuajnë mungesën e medikamenteve. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se problemet sociale, me të cilat ndeshen këta persona si: papunësia, diskriminimi në ambientet e punës dhe në shkolla vihen re më shumë në qytetet e mëdha, si Tirana apo Vlora, ndërkohë që shqetësim për ta vazhdon të mbetet trajtimi me retroviralë që janë të kushtueshëm. “Janë një sërë medikamentesh të tjera, që u duhen këtyre fëmijëve për probleme të ndryshme shëndetësore, që këto familje janë të detyruara që t’i blejnë. Në këtë rast, ne mendojmë se duhet të ofrohet një ndihmë më e madhe për të përballuar këto shpenzime”, - pohon Marjeta Dervishi, mjeke infektologe e programit HIV/AIDS. Aktualisht, në vendin tonë numërohen rreth 408 persona të prekur me HIV, ndërsa gjatë vitit 2010 janë shënuar rreth 43 raste të reja. Pjesën më të madhe të të prekurve e zënë meshkujt, numri i të cilëve shkon në 285, ndërsa numri i fëmijëve, nën moshën 15-vjeç, është 21. Deri tani, në vendin tonë nga AIDS kanë humbur jetën rreth 88 persona.