QSUT, pezullohen operacionet në dy shërbime
Pezullohen operacionet në dy shërbime të rëndësishme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, tek ai i Kardiokirurgjisë dhe Urgjencës Kirurgjikale. Shkak për ndërprerjen e operacioneve është bërë mungesa e medikamenteve dhe rezervave të gjakut. Kështu, në shërbimin e Kardiokirurgjisë, prej disa javësh po kryhen vetëm operacionet urgjente, pasi mungon heparina, medikamenti bazë që nevojitet për ndërhyrjet në zemër. Për mungesën e këtij medikamenti është vënë në dijeni edhe drejtoria e QSUT, sipas të cilës janë marrë të gjitha masat për furnizimin me heparinë brenda javës që vjen. Përsa i përket mungesës së heparinës, drejtuesit e spitalit argumentojnë se distributorët farmaceutik nuk e kanë sjellë atë në Shqipëri, për shkak të rritjes së çmimit, gjatë muajve të fundit. Ndërkaq, QSUT ka kryer blerjen e 5 mijë heparinave në gusht të vitit 2010. Përveç shërbimit të Kardiokirurgjisë, probleme për kryerjen e operacioneve ka edhe në Urgjencën Kirurgjikale, pasi mungojnë rezervat e gjakut. Në këto kushte, vetë drejtuesit e këtij pavijoni, gjenden në vështirësi para rasteve të ndërhyrjeve kirurgjikale, duke çuar deri në anulim apo shtyrje të operacioneve, për shkak të mungesës së gjakut. Sipas shefit të Urgjencës Kirurgjikale, Ylli Ziçishti, në vendin tonë edukata për dhurimin e gjakut është shumë e ulët dhe përpara fillimit të një operacioni të planifikuar janë familjarët e pacientëve ata që dhurojnë gjak. Sipas tij, ndërgjegjësimi i njerëzve për të dhuruar gjak, lind vetëm në rastet e tragjedive të mëdha. Por, megjithë shqetësimin e ngritur nga shefat e shërbimeve dhe bluzat e bardha në QSUT për mungesën e medikamenteve, vetëm dy ditë më parë, drejtori i spitalit “Nënë Tereza”, Saimir Ivzniku, deklaroi se ky problem do të zgjidhet në muajin maj, çka do të thotë se situata do të vazhdojë të mbetet e njëjtë, të paktën edhe për 3 muaj të tjerë.