E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi, mbi 3 mijë shqiptarë vuajnë nga veshkat

SHKRUAN: Jonida Tashi 17-02-2011 11:14

Mbi 3 mijë shqiptarë vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkave, ndërsa pacientët më të shumtë në numër i përkasin grupmoshave 31-40 dhe 41-50 vjeç. Duke marrë shkas nga përhapja e sëmundjeve të veshkave në vendin tonë, specialistë të njohur në fushën e mjekësisë si: nefrologu Nestor Thereska, që është edhe shefi i shërbimit

Nefrologji-Dializë-Transplant, në QSUT, Flamur Llaha, Alma Idrizi, Enver Roshi dhe Elvana Hana kanë realizuar një studim për koston e ekzaminimeve dhe trajtimit spitalor të pacientëve me polikistozë renale. Në këtë studim janë përfshirë 51 pacientë me polikistoze renale të shtruar në shërbimin e Nefrologjisë, QSUT, në periudhën janar 2008-korrik 2010. Është përgatitur një fishë tip ku janë marrë këto të dhëna: mosha, gjinia, vendlindja, vendbanimi, diagnoza, komplikacionet nga sëmundja bazë, ekzaminimet e bëra, kostoja për çdo ekzaminim në lekë, mjekimi ditor dhe shpenzimet në lekë për çdo medikament të marrë nga pacientët. Studimi ka nxjerr në pah se mosha mesatare e pacientëve të prekur nga problemet e veshkave ishte 54.9±13.1 vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave ishte 55.3±13.8 vjeç, dhe e meshkujve ishte 54.1±12.4 vjeç. Ndërkaq, sipas rezultateve të studimit, pacientët më të shumtë në numër i përkisnin grupmoshave 31-40 dhe 41-50 vjeç. “Frekuenca e komplikacioneve renale ishte si vijon: adenoma renale - 4%, urolitiaza - 42%, infeksionet e traktit urinar, ITU - 84%, hematuria - 83%, hipertensioni arterial, HTA - 64%. 36 pacientë kishin funksion renal të ruajtur (kreatininemia < 1.5 mg/dl), me moshë mesatare 49.4±6.8 vjeç, ndërkohë që 15 pacientë ishin me funksion renal të alteruar (IRK) (kreatininemia > 1.5 mg/dl), me moshë mesatare 56.3±3.5 vjec. Sipas studimit, në disa pacientë, infeksioni i traktit urinar është kontrolluar me shpejtësi, ndërsa në 35% të pacientëve, ai ishte ende i pranishëm edhe pas një trajtimi 5-ditor. “Përsa i përket ITU, mund të themi që frekuenca e tyre në pacientët e përfshirë në këtë studim ishte e lartë. Infeksionet e zgjatura, të padominuara nga mjekimet, tregojnë për infeksione intrakistike, që përveçse kërkojnë ekzaminime të shtrenjta për t’u diagnostikuar, kërkojnë dhe antibiotikë që depërtojnë në kiste dhe që rrisin koston e trajtimit të këtyre të sëmurëve”, - thuhet në studim. Ndërkohë, që për 8 pacientë ka qenë e nevojshme bërja e skanerit (CT), për të zbuluar kistet e infektuara, që janë më të shumta te pacientet femra, prandaj dhe ditëqëndrimi i tyre në spital, kostoja e shpenzimeve në total dhe kostoja e barnave kanë qenë më të larta për femrat, ndërsa shpenzimet lidhur me materialet e konsumit dhe ushqimin kanë qenë pothuajse të njëjta për të dy sekset. Meqenëse kjo sëmundje është vlerësuar se prek 1.400 deri 1.1000 persona në Europë dhe në Amerikë (13, 14)?????????????????, në Shqipëri me një popullatë rreth 3 500 000 banorë mendohet që 3000 deri në 3500 persona të jenë të sëmurë me polikistozë renale. Sipas studimit, kostoja e kujdesit shëndetësor të këtyre pacientëve rritet në mënyrë dramatike, me avancimin e sëmundjes drejt insuficiencës renale kronike (IRK) terminale, sepse në këtë stad hipertensioni arterial (HTA) bëhet më rezistent ndaj mjekimit dhe kërkon doza më të larta të medikamenteve, ose shtimin e medikamenteve të tjera. Në këtë stad të sëmundjes, pacientët kanë anemi, sëmundje kjo që nga ana e saj kërkon trajtim me eritropoetinë, që është ndër medikamentet më të shtrenjta të rimbursueshme nga ISKSH.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›