Dita kundër drogës, Vasili fshin 10 mijë përdorues nga lista
Përdoruesit e drogave janë të shumtë, përpos faktit se nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë marrë masa konkrete kjo kategori është lënë në mëshirë të fatit pa trajtime e ilaçet e duhura e pa ndonjë vend strehimi nga shteti në rastet kur janë të braktisur nga familja e nga shoqëria. Statistikat që japin organizatat joqeveritare janë të frikshme,
sipas kreut të Aksion Plus Genci Muçollari ka rreth katër vjet që nga organet shtetërore thuhet se numri i përdoruesve të drogës është rritur në shifrën 40 mijë përdorues, ndërkohë që vetëm ditën e djeshme gjatë një konference me aktorë të ndryshëm që merren direkt me trajtimin e narkomanëve Ministria e Shëndetësisë e vetë kreu i saj ministri Vasili ka deklaruar se përdorues të drogës janë vetëm 30 mijë. Sipas Muçollarit kjo shifër jo vetëm që është e papranueshme por numri i përdoruesve të drogës sa vjen e rritet. Sipas tij statistikat e Aksion Plus tregojnë se vetëm përgjatë një viti në këtë qendër kërkojnë ndihmë shëndetësore fillestare për tu larguar nga varësia e drogave rreth 500 të rinj në vit, që do të thotë që nëse këta persona që zakonisht janë djem e vajza, por në shumë raste edhe familjarë nëse mblidhen në total përbëjnë një shifër më të madhe sesa 40 mijë përdorues e jo 30 mijë të tillë që dëshiron të deklarojë Ministria e Shëndetësisë. Sipas kreut të aksion plus një statistikë e frikshme është edhe ajo që deklarohet nga instancat e organizatës botërore të shëndetësisë e organizatave të huaja që operojnë në vendin tonë, ku është vërtetuar se nëse në botë fitimi ndaj pazareve të drogës arrin në 500 milion dollarë në vendin tonë kjo shifër shkon në 100 mijë dollarë fitime nga personat që merren me tregtimin e drogave e kryejnë nëpërmjet helmit të bardhë afare në shumë raste tepër të rrezikshme.
Historia
Ashtu si ai ka mijëra të tjerë, por historia e tij ndryshon nga të tjerët sepse krejt i vetëm në jetë, tashmë prej tetë muajsh i ka dhënë fund kalvarit të vuajtjeve duke e lënë heroinën e duke bërë tashmë një jetë normale. Bëhet fjalë për 19 vjeçarin nga kryeqyteti Arianit Faja i cili dy vjet më parë ishte një narkoman në gjendje tejet të vështirë shëndetësore duke rrezikuar jo pak por dy herë jetën e tij me anë të overdozave nga kokaina. Për gazetën SOT 19-vjeçari rrëfen se jeta e tij ka qenë shumë problematike i rritur në shtëpinë e fëmijës pa kujdesen e prindërve djaloshi i është futur rrugës së drogës tre vjet më parë duke filluar si transportues fillimisht, pastaj më vonë i joshur e i detyruar edhe nga shokët ka filluar me cigaret e më pas me intravenozë bërjen e gjilpërave në krahë e më pas në çdo pjesë të trupit. Sipas djaloshit që tashmë ka filluar një jetë normale falë qendrës Aksion Plus e mjekimit me metadon ka qenë shumë herë afër vdekjes por në jetë e ka rikthyer vetëm dëshira e madhe për të jetuar e ndoshta me shpresën se një ditë do gjejë edhe prindërit e tij biologjikë. Jeta ime ka qenë një ferr i vërtetë, kam përjetuar aq shumë vuajtje sa askush nuk do të më besonte, fillimisht bosat për të cilët punoja më detyruan të pija cigare hashashi pastaj më vonë e donte vetë trupi e derisa arrita në drogat e rënda. Shumë herë jam munduar ta lë sepse marrja me gjilpëra e dozave që sa vinin e shtoheshin, ishin një tmerr i vërtetë, arrita në një gjendje që nuk po mendoja më se ku i bëja gjilpërat, dëmtoja çdo pjesë të trupit e nuk ndieja asnjë dhimbje kam qenë për shumë kohë si i mpirë, sot besoj se ja kam dalë e këtë e kam bërë vetëm për një betim që i kam vetes për prindërit dashurinë e të cilëve nuk e kam ndier kurrë, rrëfen mes lotësh djaloshi 19-vjeçar. Sipas tij familja e tij tashmë janë punonjësit e Aksion Plus të cilët jo vetëm që e kanë mbajtur me bukë por e kanë shëruar me trajtimin me metadon. Përmes lotësh djaloshi që tashmë i është rikthyer jetës normale duke pasur edhe pasione e dëshira si çdo moshatar i tij tregon se ka filluar pune në një lavazh e më pas do të vazhdojë edhe studimet. Ai tashmë mendon se kurrë më sdo ti kthehet asaj rruge të frikshme që i ka marrë jo pak por tre vjet nga jeta e tij. Edhe pse në shumë raste kur trupi ndonjëherë i kërkon heroinën ai është i zoti ta shtypë dhimbjen e madhe e të kontrollojë të gjitha impulset e joshjet e helmit të bardhë të cilin duket se e ka braktisur përgjithmonë.
Arta AGOLLI