Autoriteti i Konkurrencës i blerë nga kompanitë e mëdha, hetimet sipas preferencave
Autoriteti i Konkurrencës ka paralajmëruar një hetim të thellë në tregun e prodhimit të bukës për rritjen e çmimit me 10 lekë. Tregtarët e bukës operojnë në treg ku çmimi vendoset nga kërkesa oferta, ndërsa kostoja diktohet nga faktorë të jashtëm. Kështu rritja e çmimit të energjisë me 26- 40 për qind, rritja e pagës minimale rritja
e çmimit të naftës dhe rritja e çmimit të miellit, janë faktorë që ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e kostos së prodhimit për prodhuesit e bukës. Megjithatë, duket se asnjë prej këtyre faktorëve që ndikon drejtpërdrejt në kosto dhe automatikisht në çmimin e shitjes nuk merret në konsideratë nga Autoriteti i Konkurrencës. Ndërkohë që kompania monopol Albtelekom rrit çmimin e impulseve dhe tarifimin mujor herë pas herë deri në 30 për qind, por nuk është vënë asnjëherë nën hetim asnjëherë. Albtelekom është operator i telefonisë fikse që ka pozita dominuese në treg dhe zotëron 80 për qind të gjithë thirrjeve. Zgjedhjet klienteliste për hetimet e tregjeve nga Autoriteti i Konkurrencës zbardhin faktin se ky institucion është i blerë nga kompanitë e mëdha dhe me ndikim në treg. Autoriteti i Konkurrencës nuk ka kryer asnjë hetim në tregjet monopolistike. Dy rastet më flagrante janë ai i Albtelekomit dhe sigurimit të detyrueshëm TPL. Rritjet e çmimeve për thirrjet si jashtë dhe brenda vendit janë rritur nga ana Albtelekom pa marrë parasysh faktin se kjo kompani ka një kontratë me abonentët, të cilët duhet të rinënshkruajnë kontratën në rast se janë dakord me rritjen e tarifave. Por duke qenë operatori i vetëm në treg dhe monopol merr vendime të njëanshme i subvencionuar edhe nga mungesa e hetimit dhe ndëshkimit nga ana e autoriteteve kompetente. Madje çdo rritje tarife e propozuar nga Albtelekom është miratuar nga AKEP.