Prefekti, ultimatum guroreve Ndëshkimet, me mbyllje të aktivitetit
“Shkelësit e ligjit të mjedisit për guroret, do të ndëshkohen deri në mbyllje të aktivitetit”. Ky ka qenë ultimatumi i lëshuar nga prefekti i Beratit, Bujar Hoxha, në takimin e organizuar ditën e hënë me drejtues të institucioneve mjedisore dhe drejtuesve të firmave të këtyre karrierave të gurit. Tri firma janë gjobitur me 200 mijë lekë për moszbatim të ligjit të mjedisit, ndërkohë që janë kërcënuar me mbyllje të aktivitetit, në rast se do të hasen sërish shkelje. Prefekti Hoxha ka theksuar që zyra e mjedisit nuk duhet të japë leje shfrytëzimi, pa bërë më parë procedurat dhe matjet përkatëse mbi ndotjen që do të ketë nga aktiviteti i këtyre bizneseve, pasi në rast të kundërt do të merren masa edhe ndaj këtij institucioni. Por sipas inspektorit të zyrës së mjedisit, Xhako Xhakolli, bizneset i marrin lejet nga bashkitë dhe komunat ku ato ngrenë aktivitetin. Zyra e mjedisit vetëm konstaton dhe vendos gjoba, por nuk ka të drejtë ekzekutimi për to. Ndërkaq, nga policia rrugore u kërkua që drejtuesit e automjeteve të ndëshkohen, në rastet kur nuk zbatohet rregullorja për ngarkesat e lejuara. Shefi i sektorit të qarkullimit rrugor, Muhamet Zeka, ka pohuar se janë aplikuar disa gjoba. Në Qarkun e Beratit ushtrojnë aktivitetin e tyre mbi 23 subjekte, ndërsa kërkohet që të zbatojnë më rigorozitet të gjitha procedurat ligjore. Takimi i ditës së hënë ka marrë shkak nga ndotja e lartë që kanë shkaktuar guroret në Urë Vajgurore. Ai ka pasur për qëllim jo vetëm të vërë para përgjegjësisë këto firma, por të tërheqë vëmendjen edhe ndaj institucioneve që të zbatojnë ligjin me përpikëri. Prefekti Hoxha ka theksuar nevojën që subjektet e licencuara të zbatojnë me rigorozitet kërkesat e kontratave që nënshkruajnë, pasi nuk do të ketë më paralajmërime, por ndëshkime deri në mbylljen e aktivitetit të tyre.
#