E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Limaj paralajmëron autostradën Prishtinë – Shkup

Kaçanik, 10 gusht  - Kaçaniku i Vjetër u bë të martën me rrugë të asfaltuar, e cila lidh disa fshatra me rrugën magjistrale Prishtinë – Shkup. Rruga ka një gjatësi rreth 3 kilometra dhe ka kushtuar 300 mijë euro. Por, në Ditën e dëshmorëve të Kaçanikut, ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës, Fatmir Limaj, si] raporton KosovaLive, paralajmëroi investimin më të madh që do të bëhet së shpejti në të mirë të banorëve të Rrafshit të Kosovës, projektin e autostradës Prishtinë-Shkup, i cili, sipas Limajt, tashmë po bëhet gati. “Ne shumë shpejt do të vijmë me një lajm shumë të gëzueshëm për këtë rajon, për faktin që muajin e ardhshëm presim finalizimin e projektit për autostradën Shkup - Prishtinë, e cila përfundimisht këtë rajon do ta kthejë në një qendër komunikacioni, që e lidh Kosovën me vendet fqinje. Autostrada do të kalojë këtupari nëpër këtë zonë të bukur të Kaçanikut dhe do t’i japë një impuls të ri zhvillimit të Kaçanikut dhe mirëqenies së këtyre banorëve, të cilët e meritojnë këtë”, tha ministri Limaj. Sipas ministrit Limaj, autostrada Prishtinë – Shkup pritet të ndërtohet përmes dhënies me koncesion, si një formë që ministri e konsideron të suksesshme. “Me finalizimin e projektit muajin e ardhshëm ne do të jemi gati për të filluar procedurat tashmë të njohura, siç janë ato të aeroportit, drejt koncesionimit”, tha Limaj. Autostrada Prishtinë - Shkup vlerësohet si projekt që do të mundësojë rritjen dhe lehtësimin e shkëmbimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe vendeve të rajonit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›