E Diel, 1 Nëntor 2026

Autoriteti i Konkurrencës merr 600 milionë lekë nga taksapaguesit, por mbron interesat e kompanive

Buxheti i shtetit shpenzon 480 milionë lekë për të mbrojtur konsumatorët nga çmimet monopolistike

Autoriteti i Konkurrencës financohet nga buxheti i shtetit me 600 milionë lekë në vit për të siguruar kushte të barabarta në të gjithë tregjet. Vetëm zëri i mbikëqyrjes së tregut dhe garantimit të konsumatorit në buxhet është parashikuar

480 milionë lekë ndërkohë që 120 milionë lekë janë parashikuar për planifikimin dhe menaxhimin. Paratë e taksapaguesve shqiptarë që shkojnë për të garantuar konsumatorin për të marrë produktet dhe shërbimet me çmime që vendosen nga kërkesa dhe oferta, në pjesën më të madhe të rasteve nuk plotësojnë misionin e tyre. Shqiptarët hasen me çmime monopolistike në tregu i komunikimit elektronik, tregu farmaceutik, tregu i profesioneve të lira, tregu i sigurimeve dhe tregu i energjisë abuzojnë me rregullat e konkurrencës. Në këto tregje pothuajse të gjitha çmimet e shërbimeve janë caktuar në mënyrë monopolistike. Këto shërbime përfaqësohen nga një kompani e vetme ose numër shumë i kufizuar firmash duke garantuar fitime kolosale në treg në kurriz të konsumatorëve shqiptarë, të cilët nuk kanë alternativa zgjedhje dhe për këtë shkak çmimi i shërbimit nuk përcaktohet nga kërkesë-oferta, siç ndodh në të gjithë tregjet e tjera.


Buxhetit
Fondi prej 600 milionë lekësh që është akorduar këtë vit për Autoritetin e Konkurrencës është i pasqyruar në buxhetin e shtetit. Në këtë institucion punojnë 35 persona, pagat e cilëve janë jashtë këtij fondi. Mbrojtja e konsumatorëve nga konkurrenca e pandershme i kushton buxhetit të shtetit 480 milionë lekë. Me këtë fond Autoriteti i Konkurrencës duhet të zbardhë tregjet ku shkelen rregullat dhe të marrë masa administrative, të cilat variojnë nga 1- 10 për qind të xhiros vjetore për shkelësit e rregullave. Por kjo është kthyer në mision të pamundur nga Autoriteti i Konkurrencës pasi mund të identifikohen lehtësisht të paktën pesë tregje monopolistike dhe ky institucion ka paralajmëruar me gjobë vetëm tregun e ngarkim-shkarkimit të gazit.


Çmimet monopolistike
Polica e sigurimit të detyrueshëm TPL, tarifën e të cilës kompanitë e sigurimeve e kanë caktuar në marrëveshje të hapur me njëra-tjetrën, është një prej shërbimeve që cenon drejtpërdrejt interesat e konsumatorëve. Autoriteti i Konkurrencës edhe pse ka konstatuar shkelje në përcaktimin e çmimit, nuk ka marrë masë administrative. Ndërkohë që legjislacioni shqiptar i njeh të drejtën e vendosjes së gjobave deri në 10 për qind të xhiros vjetore. Një tjetër treg ku Autoriteti i Konkurrencës nuk ka ndërhyrë me masa shtrënguese për rregullimin e tij është tregu i telefonisë celulare dhe fikse në vend. Telefonia fikse është monopol i Albtelekom, çmimi për instalimin dhe shërbimin përcaktohet ekskluzivisht nga kompania. Ndërsa Autoriteti i Konkurrencës nuk ka marrë asnjë masë për rregullimin e këtij tregu për përcaktimin e marzhit të fitimit për të mbrojtur interesat e konsumatorëve. Gjithashtu treg problematik mbetet tregu i telefonisë së lëvizshme. Megjithëse në këtë treg operojnë tre kompani tarifat e shërbimit në Shqipëri janë pesë herë më të larta se për të njëjtin shërbim në vendet më të zhvilluara të botës, ku dhe të ardhurat për frymë janë dhjetëra herë më të larta se të shqiptarëve. Kompanitë monopolistike në Shqipëri regjistrojnë fitime rekord. Bilancet janë bërë publike çdo fund viti nga vetë operatorët në tregje, të cilët pasqyrojnë fitimet që realizojnë me anë të çmimeve abuzuese e monopolistike. Kompanitë e sigurimeve në periudhën janar - prill 2010 arritën rreth 2,732 milionë lekë, ose rreth 3 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar-prill 2010 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 189,557 duke shënuar një ulje prej rreth 17.81 për qind krahasuar me janar - prill 2009.


Viti 2009
Çështjet kryesore të shqyrtuara gjatë vitit 2009 nga Autoriteti i Konkurrencës lidhen me praktikat e bashkërenduara për fiksimin e çmimeve dhe marrëveshjet për ndarjen e tregut; sjelljen e ndërmarrjeve me pozitë dominuese në treg dhe në mënyrë të veçantë abuzimin me këtë pozitë; kontrollin e përqendrimeve dhe vlerësimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor që vepron në tregjet e monitoruara apo të investiguara; si dhe ne vlerësimin e akt-drafteve te adresuara për opinion pranë institucionit tone. Në tërësinë e tij ky aktivitet shumëdimensional i institucionit të konkurrencës është sintetizuar në 36 vendimmarrje te Komisionit te Konkurrencës gjatë vitit të kaluar. Gjithashtu janë realizuar monitorime dhe hetime ne tregje të tjera : tregu farmaceutik; tregu i profesioneve të lira; tregu i menaxhimit të së drejtës së autorit; tregu i depozitave dhe i kredive; tregu i prodhimit në vend të hidrokarbureve; tregu i prokurimeve të makinave të reja. Në këtë eksperiencë të akumuluar gjatë vitit që shkoi është për tu shënuar rritja e profesionalizmit në realizimin e investigimeve dhe te inspektimeve duke synuar uljen e kohës së realizimit të një hetimi.

Pozita dominuese
Pozita dominuese e një ose më shumë ndërmarrjeve vlerësohet
a) pjesën e tregut përkatës të ndërmarrjes ose ndërmarrjeve në shqyrtim dhe të konkurrentëve të tjerë;
b) pengesat në hyrje në tregun përkatës;
c) konkurrencën potenciale;
ç) fuqinë ekonomike dhe financiare të ndërmarrjeve;
d) varësinë ekonomike të furnizuesve dhe blerësve;
dh) fuqinë kundërvepruese të blerësve;
e) zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes së ndërmarrjeve dhe mundësitë e shfrytëzimit të burimeve të produkteve;
ë) lidhjet ekonomike me ndërmarrjet e tjera;
f) karakteristika të tjera të tregut përkatës si: homogjenitetin e produkteve, transparencën e tregut, uniformitetin e kostos dhe të madhësisë së ndërmarrjeve, qëndrueshmërinë e kërkesës ose të kapaciteteve të lira prodhuese.
Çfarë përbën abuzim me pozitën dominuese?


Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›