E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç: Deklaratat e Rexhepit, kërcënim për luftë

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, i ka vlerësuar si kërcënim të hapur për luftë deklaratat e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi. Ky i fundit ka thënë se do të dërgojë njësitë speciale të policisë në veri të Kosovës. Institucionet e përkohshme të Kosovës

do të jenë përgjegjëse për pasojat katastrofale që do ti sillte realizimi eventual i këtyre kërcënimeve, njoftoi kabineti i presidentit serb. Sipas Tadiçit, deklaratat e tilla luftënxitëse si dhe provokimet e tjera kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e brishtë në veri të Kosovës. Presidenti i Serbisë e ka quajtur të rëndësishëm, faktin që EULEX ka demantuar ministrin Rexhepi, se misioni evropian mbështet një plan të tillë. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës ka deklaruar se autoritetet kosovare do të dërgojnë njësi speciale të policisë për vendosjen e rendit dhe të ligjit në veri. Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka marrëveshje me EULEX për ti dërguar forcat policore atje. Ndërkohë, shefi i misionit EULEX, Iv de Kermabo, pas kthimit në Prishtinë nga pjesëmarrja në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB, përmes një komunikate, ka bërë të ditur se nuk ka pasur asnjë marrëveshje lidhur me dërgimin e Njësiteve Speciale të Policisë në këtë zonë dhe se EULEX vazhdon të punojë me të gjitha palët drejt themelimit dhe trajnimit të një Njësiti Special Policor shumetnik. Është me rëndësi që të gjitha palët e përfshira të përmbahen nga çfarëdo lloj aktiviteti që do të mund të shihej si provokim i mundshëm, ka thënë Kermabo. Shefi i EULEX ka deklaruar se ekziston një nevojë urgjente për të kthyer funksionalitetin e plotë të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë dhe mënyra më e mirë për të shkuar përpara është gjetja e një zgjidhjeje në koordinim me të gjitha palët relevante. Unë nuk mund të jap një datë të veçantë se kur do të ndodhë kjo, por kërkoj nga të gjitha palët e përfshira, që sa më parë të jetë e mundur, të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje pragmatike, ka thënë Kermabo.

Rexhepi: Deklarata e Tadiç e dëshpëruar
Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Bajram Rexhepi, i cilëson të dëshpëruar deklaratat e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, i cili ka reaguar ndaj pohimeve të ministrit Rexhepi lidhur me masat që parashihen të ndërmerren në veri, duke i cilësuar ato si deklarata luftënxitëse. Presidenti i Serbisë po bën deklarata të dëshpëruara, është shprehur ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi. Ai sqaron se Qeveria dhe EULEX janë marrë vesh që në veri të themelojnë një njësi speciale shumetnike, e cila do t'i luftonte aktivitetet kriminale, kurse dërgimi i njësive të Policisë Speciale të Kosovës në veri, për çka kishte reaguar Tadiç, sipas Rexhepit, vjen në shprehje vetëm gjatë ndonjë operacioni të rrezikut të lartë. Ministri Rexhepi thotë se Tadiç nuk e ka interpretuar mirë deklaratën e tij dhe ka provuar sërish që të nxisë komunitetin serb në Kosovë. Kjo është një deklaratë e dëshpëruar e Tadiçit, i cili edhe më tutje ka iluzione për Kosovën. Ai nuk mund të interferojë në punët tona të brendshme se çka dhe si bëjmë ne për vendosjen e rendit dhe ligjit. Prandaj, ai le ti interpretojë pak më mirë deklaratat dhe le ti shikojë problemet e veta, sidomos pas debaklit që pësoi në Nju Jork. Kjo është për opinion të brendshëm dhe si e tillë ka dalë deklaratë e pamatur e tij, thotë Rexhepi.

Merkel viziton Rusinë, Kinën dhe Kazakistanin
Javën e ardhshme kancelarja gjermane Angela Merkel do të udhëtojë për në Rusi, Kinë dhe Kazakistan. Mergel e konsideroi të rëndësishëm këtë udhëtim për marrëdhëniet ekonomike të Gjermanisë me të tre këto vende. Unë do të udhëtoj javën e ardhshme për konsultimet qeveritare gjermano-ruse. Krahas Presidenti Medvedev në këtë takim marrin pjesë edhe shumë prej ministrave tanë të kabinetit. Kjo tregon se sa të forta dhe të ngushta janë tani marrëdhëniet tona. Rusia është një furnizues i rëndësishëm i energjisë për Gjermaninë, dhe Gjermania është për Rusinë partneri më i rëndësishëm ekonomik. Presidenti Medvedev dhe unë do të marrim pjesë në takimin e Dialogut të Petersburgut, u shpreh ajo. Sipas kancelares, Kina po ashtu është një partner i rëndësishëm ekonomik. Gjermania dhe Kina kanë marrëdhënie të ngushta. Merkel do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Wen dhe presidentin Hu. Më pas ajo do të vazhdojë udhëtimin për në Kazakistan. Ky vend ka kryesimin e OSBE. Aty kancelarja do të zhvillojë bisedime me kryeministrin  Massimov si dhe me presidentin Nasarbajev. Si më interesant në këtë udhëtim, kancelarja veçoi takimin që delegacioni gjerman do të zhvillojë me anëtarë të pakicës gjermane në Kazakistan. 

Bramertz: Kapja e Mlladiç, domosdoshmëri
Kryeprokurori i gjykatës së Hagës, Serge Bramertz ka deklaruar se arrestimi i gjeneralit Ratko Mlladiç është një domosdoshmëri për besimin e BE tek Serbia. Pa drejtësi nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në Ballkan, ka pohuar Bramertz për një të përditshme gjermane. Ai ka shprehur shqetësimin e tij për faktin se 65% e popullsisë serbe është kundër arrestimit të kriminelit më të kërkuar të luftës. Nuk është normale që ata që konsiderohen përgjegjës për krimet më të rënda që pas Luftës së Dytë Botërore të shihen si heronj nga pjesa më e madhe e popullsisë, ka shtuar Bramertz. Të dielën shënohet 15-vjetori i masakrës së Srebrenicës, ku 8.000 burra e djem boshnjakë u masakruan nga forcat serbe të udhëhequra nga Mlladiç.

Last Updated on E Shtune, 10 Korrik 2010 19:05

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›