E Diel, 1 Nëntor 2026

Selita dhe Shkoza thahen për ujë, Dollapi u ndërpret edhe një muaj furnizimin

Shumë familje në zonën e Selitës vuajnë prej rreth një muaji mungesën e ujit të pijshëm. Një defekt në rrjet, i cili prej javësh nuk riparohet nga ndërmarrja e ujësjellësit, derdh të gjithë ujin në rrugë dhe në çezmat e banorëve nuk shkon asnjë pikë.

Banorët shprehen se kanë kontrata dhe paguajnë rregullisht detyrimet, ndërkohë që vuajnë thatësirën.Kur unë paguaj, jam në rregull me faturën atëherë pse të mos kem ujë? Mbetëm duke mbushur me bidonë, si në mesjetë jo si në 2010-ën, tregojnë banorët. Ata shprehen se janë ankuar pranë Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, por nuk kanë gjetur zgjidhje. Pavarësisht deklaratave të drejtuesve të Ujësjellësit në Tiranë, se uji në banesat e qytetarëve nuk mungon, madje me punimet më të fundit në impiantin e Bovillës do të kishte 24 orë ujë në banesat e tyre, qytetarët e periferive në kryeqytet vuajnë mungesën e ujit prej kohësh. Një nga zonat më problematike ndër vite për mungesën e ujit, është komuna e Parisit. Pavarësisht akuzave të qytetarëve për drejtuesit e Ujësjellësit, sërish këta banorë nuk kanë ujë në banesa dhe mungesa nuk zgjat me ditë, as me muaj, por edhe me vite. E vetmja zgjidhje për të plotësuar nevojat e tyre, thonë ata, janë autobotet, me ujë që sigurojnë privatisht, ndërkohë që detyrimet e ujësjellësit i kanë paguar. Por mungesa e ujit të pijshëm në Tiranë nuk është prezent vetëm në komunën e Parisit. Pothuajse të njëjtat probleme, janë pasqyruar edhe për zonën e Kinostudios, ku rrjeti i Ujësjellësit nuk është shtrirë plotësisht dhe qytetarët e sigurojnë ujin nëpërmjet puseve që kanë hapur firmat e ndërtimit. Prej më shumë se gjashtë vitesh në zonën Kodra e Diellit ndërtimet pa kriter janë bërë shkaku kryesor për ndërprerjet e ujit në këtë zonë. Para se të jepet leja e ndërtimit, së pari bashkia duhet të konsultohet me Ujësjellësin për të bërë së pari studimin e zonës, a ka aty burime ujore të cilat duhen të shfrytëzohen për furnizimin e zonës me ujë të pijshëm, gjë e cila nuk është bërë në asnjë rast të vetëm duke sjellë këtë situatë të rënduar e cila vështirë se zgjidhet, thonë specialistët e Ujësjellësit. Situata është e tillë edhe për faktin se infrastruktura e kanalizimeve në këtë territor është goditur keqazi nga përfituesit e paligjshëm. Amortizimi i rrjetit, çarjet e tubacioneve të rrjetit të ujit të pijshëm dhe shfrytëzimi i tyre nga shumë lavazhe dhe biznese të tjera, të cilat e shfrytëzojnë ujin në mënyrë ilegale, kanë lënë pa pikën e ujit banorët jo vetëm në këtë pjesë të kryeqytetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›