E Diel, 1 Nëntor 2026

Autostrada Levan-Vlorë izolon një fshat

Zhavorri i nevojshëm për autostradën Levan-Vlorë u ka shkaktuar probleme banorëveFIER – Zhavorri i nevojshëm për autostradën Levan-Vlorë u ka shkaktuar shumë probleme banorëve të fshatit Cervenë të komunës Frakull. Dje paradite ata protestuan për rrugën ku kalojnë mjetet e tonazhit të rëndë, e cila është dëmtuar plotësisht dhe është bërë e pakalueshme për ta. Banorët kërkuan në protestën e tyre që të ndërhyhet për këtë rrugë, e cila rrezikon jetën e tyre. Janë me qindra mjetet që marrin zhavorr në lavatriçet që ndodhin në fshat dhe që kalojnë përditë në një nënkalim të hekurudhës, e cila lidh rrugën nacionale me fshatin. Por, pas kalimit të shumtë të mjeteve të tonazhit të rëndë, e llogaritur për automjete të vogla, është thelluar dhe ka krijuar probleme për banorët, të cilët nuk mund të kalojnë me mjetet e tyre, pasi është një thellësi e madhe. Sipas banorëve që protestuan dje, kur ndonjë person është i sëmurë, ata nuk e kalojnë dot rrugën me makinë, por iu duhet ta kalojnë të sëmurin në krah deri në rrugën kryesore. “Ky nënkalim”, thotë njëri nga banorët, “është llogaritur vetëm për makina të vogla. Ne kërkojmë që rruga të kthehet siç ka qenë ose, minimalisht, të bëhet një mbikalim për banorët. Deri më tani vetëm kemi dëgjuar premtime, por asgjë nuk është realizuar”. Banorët kërkojnë nga shteti që rruga të rregullohet, përndryshe, thonë ata, “do të jemi të detyruar të bllokojmë rrugën nacionale. Atëherë, ndoshta, dikush dë na dëgjojë”. Në Cervenë banojnë rreth 100 familje, të cilat janë të izoluara nga qyteti si pasojë e prishjes së nënkalimit. Ndërkohë, ky problem përbën rrezik edhe për linjën hekurudhore, pasi, si pasojë e gropave të hapura, këmbët e urës mund të lëvizin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›