E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Autostrada Milot-Morinë, brenda 72 orësh Policia Rrugore heq 118 patenta

Plot 118 leje drejtimi janë hequr nga policia në 72 orët e fundit, në vijim të aksionit për të përmirësuar sigurinë rrugore. Sipas njoftimit të policisë, në autostradën Milot-Morinë, policia rrugore ka kryer monitorime duke përdorur mjete inteligjente, radarë automatikë, dronë, kamera, aparate fotografike dhe alkooltestues.

“Si rezultat i monitorimeve, gjatë 72 orëve janë pezulluar gjithsej 118 leje drejtimi, nga të cilat:

88 leje drejtimi janë pezulluar për qarkullim me shpejtësi deri në 174 km/h; 19 leje drejtimi janë pezulluar për drejtim mjeti, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur; 11 leje drejtimi janë pezulluar për qarkullim në sens të kundërt. -12 drejtues mjetesh të arrestuar, nga të cilët 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.”- thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas saj, janë vendosur edhe 2457 masa administrative: për shpejtësi mbi normën e lejuar; për shpejtësi dhe përdorim celulari; për shpejtësi dhe mosvënie të rripit të sigurimit; për shpejtësi, përdorim celulari dhe mosvënie të rripit të sigurimit gjatë drejtimit të automjetit; për parakalime të gabuara; mosvendosje të kaskës mbrojtëse etj. 

Monitorimi me mjetet inteligjente vijon në të gjitha rrugët e vendit.

“Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi të gjitha rrugët monitorohen nga mjetet inteligjente dhe patrullat e lëvizshme të Policisë Rrugore. Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.”- përfundon njoftimi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›