Autostrada Vërmicë-Merdar, Berisha: Rruga e Kombit shqiptar
Kosovë- U inaguruan sot 38 kilometrat e para të autostradës Vërmicë-Merdar, pjesë lidhëse e autostradës që lidh Shqipërinë me Kosovën. Në ceremoninë e inagurimit ishin të pranishëm presidentja e Kosovës Jahjaga, kryeministri Thaçi si dhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha.
Gjatë fjalës së saj presidentja Jahjaga deklaroi se kjo rrugë do t’i shërbejë zhvillimit të vendit dhe bashkimit të kombit shqiptar.
Ne po ndërtojmë rrugën e vizionarëve. Presidenti Rrugova krahas platformës për liri dhe demokraci dha idenë e rrugës Durrës-Prishtinë e cila përveç se do të bashkojë popujt tanë do të sjellë zhvillim. Kjo rrugë është realizimi i brezave dhe dedikim për brezat e ardhshëm. Është një punë e mbështetur në forcat tona si një dëshmi që ne dimë të ndërtojmë. Ne sot po realizojmë një ëndërr, një vepër të pakrahasueshme morale që bashkojmë popujt tanë- theksoi presidentja Jahjaga.
I ftuar në ceremoni kryeministri i Shqipërisë Berisha u shpreh se kjo rrugë bashkoi mbarë popullin shqiptar kudo që ndodhen.
Sot me ne këtu në Vërmicë është mbarë kombi shqiptar, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Malin e Zi dhe diasporë. Gëzojnë së bashku me ne inagurimin sot të autostradës në Kosovën e lirë dhe të pavarur. Të kësaj rruge madhështore që bashkoi shqiptarët në idealin e kombit shqiptar”- u shpreh Berisha.
330 milionë euro ka qënë kostoja e ndërtimit të 38 km të parë të kësaj autostrade, ndërkohë projekti ka filluar në prill të vitit 2010 dhe pritet të përfundojë në nentorin e 2012-s. Autostrada Vërmicë-Merdar është vazhdimi i asaj të Durrës-Kukës, e cila lidh Shqipërinë me Kosovën.
Shkrime të tjera me interes: