Sjellje mafioze në prokurori, mbi videon

Avokatët denoncojnë manipulimin e video-përgjimit “Meta-Prifti”
Spartak Braho: “Mbi videon ka pasur ndërhyrje edhe kur ajo ka qenë e sekuestruar nga ana e prokurorisë”
Mbi video-përgjimin “Meta-Prifti”, ka pasur ndërhyrje edhe kur ajo ka qenë sekuestruar nga ana e prokurorisë. Ndërkohë, kjo video e paraqitur si provë kryesore nga ana e prokurorisë është prodhuar një ditë pas transmetimit të saj në emisionin “Fiks fare”. Këtë denoncim e ka bërë dje, në përfundim të seancës gjyqësore në Gjykatën e Lartë, Spartak Braho, një nga ekspertët e grupit të avokatëve të Ilir Metës. Seancën e djeshme, ishte radha e përfaqësuesve, ti adresonin pyetje tre ekspertëve që realizuan ekspertizën e video-përgjimit “Meta-Prifti”. Nga ana e tij, në seancën e zhvilluar dje në Gjykatën e Lartë, përfaqësuesi i prokurorisë, Bujar Sheshi, lexoi 37 pyetje për ekspertët lidhur me ekspertizën e video-përgjimit, pyetje që kryesisht kishin të bënin me programet e përdorura në këtë ekspertizë, mundësinë e ndërhyrjes në video, etj. Me marrjen e përgjigjeve, prokuroria, sikurse pohoi Sheshi, do të japë qëndrimin e saj lidhur me ketë ekspertizë. Ndërkohë që, edhe pala mbrojtëse listoi pyetjet e saj që në total ishin 7. Gjatë seancës së djeshme pati edhe debate mbi pyetjet e paraqitura. Avokatët e Ilir Metës atakuan prokurorinë, duke i konsideruar pyetjet e saj si tendencioze. Përfaqësuesit e akuzës kane qenë që në fillim në oponencë me ekspertët”, tha avokati Gëzim Veleshnja. Nga ana tjetër tre ekspertet kërkuan kohë nga Gjykata për t’u njohur me pyetjet e palëve në mënyrë që t’i jepnin përgjigje atyre, kohë e cila iu dha nga Gjykata. Tre ekspertët që realizuan ekspertizën e video- përgjimit ndaj ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta, duke e shpallur atë si jo origjinale, do të japin përgjigje për një sërë pyetjesh, të ngritura nga palët në proces, si nga prokuroria, ashtu edhe nga avokatët mbrojtës, për këtë ekspertizë. Në përfundim të seancës së djeshme gjyqësore, Spartak Braho, një nga ekspertët e grupit ët avokatëve të Ilir Metës, ndërsa e quajti seancën e djeshme si një spektakël qesharak, denoncoi ndërhyrjet në video në kohën që ajo ka qenë sekuestruar nga ana e prokurorisë. Denoncimi tjetër i Spartak Brahos, lidhej me faktin se, kjo video e paraqitur si provë kryesore nga ana e prokurorisë është prodhuar një ditë pas transmetimit të saj në emisionin “Fiks Fare”. “Jemi në përfundim të një seance, që me pak fjalë mund të thuhet, vazhdimi i një spektakli qesharak, ku bie në sy mos përgatitja e organit të akuzës, e prokurorisë e cila ka formuluar pyetje, që s’kanë të bëjnë fare me procesin, por merren me përsëri me orën, si provë kryesore, orë të cilën prokuroria një seancë më parë ka kërkuar ta tërheqë si provë kryesore. Së dyti, mbrojtja paraqiti disa pyetjeje shumë evidente, që kanë të bëjnë me çudinë e madhe që DVD-ja e transmetuar nga ‘Fiks Fare’, është e prodhuar një ditë më mbrapa se sa transmetimi. Pra është prodhuar në datën 12 janar, ndërkohë që transmetimi është bërë në datën 11 janar. Së treti, rezulton, dhe për këtë duhet të japë përgjigje prokuroria, që ndërhyrja e fundit në lap-top është bërë në datën 1 shkurt 2011, ndërkohë që në këtë periudhë, materialet e përdorura si provë nga prokuroria, kanë qenë ët sekuestruara në zyrat e saj”, u shpreh Spartak Braho, në përfundim të seancës së djeshme gjyqësore. Një seancë më parë, tre ekspertët që bënë ekspertizën e videos, për llogari të Gjykatës, shpallën konkluzionin e tyre se kjo video nuk është origjinale. Tre ekspertët në raportin e tyre dolën në konkluzionin se video-përgjimi “Meta-Prifti” nuk është autentik, pasi “ora-kamer” që iu nënshtrua ekspertimit nuk është ajo më të cilën Prifti u shpreh se kishte regjistruar bisedën e tij me Metën, çka do të thotë që nuk është gjetur burimi dhe nuk dihet se ku është regjistruar ajo bisedë që u konsiderua si video-skandal. Ish- zëvendëskryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën e korrupsionit nga Prokuroria e Përgjithshme, pas publikimit në media të videos, që përmbante një bisede për disa tendera midis tij dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Vetë Meta e ka konsideruar videon një montazh për të dëmtuar imazhin e tij. Ndërkohë që ish-ministri Prifti, si autor i kësaj video, pretendon se ajo është autentike.
...