Autostrada, banorët: Policia na dhunoi
Punimet për aksin e ri rrugor në dalje të qytetit të Kukësit kanë hyrë prej ditësh në një rreth vicioz. Ecuria e tyre varet nga tri pika, secila më e rëndësishme në vetvete. Të parët janë manovratorët e firmës ndërtuese, që punojnë me një sy në makineri dhe me syrin tjetër nga banorët. Këta të fundit janë gati në çdo moment të pengojnë punën, nëse policia nuk është në gjendje gatishmërie dhe tytat e automatikëve të forcave të FNSH-së të jenë fare pranë ruspave që ecin ngadalë në tunelin që hapet mes arave të mbjella me grurë.
Kjo pamje paraqitet prej ditësh në fshatit Gostil, një lagje periferike e Bashkisë të Kukësit. Mes shumë protestuesve duket se më në hall janë tri familje të lagjes “Gostil” të Ramiz, Xhevit dhe Bujar Sopit. Tri familjet janë bërë njësh prej ditësh. Janë bashkë fëmijë, gra e të rritur në kërkim të pronave të tyre, prej të cilave tashmë duket se nuk ka mbetur asgjë. Revolta e tyre është deri në cepin e arës, pasi më tutje do të thotë përballje direkte me policinë dhe forcën e saj. Ata reagojnë duke treguar shenjat që kanë në trup, sipas tyre të lëna nga policia. Bujari nuk nguron të ulë dhe pantallonat dhe në kofshë të tregojë një “larë” të zezë, të cilën thotë se e ka kujtim nga dy ditë më parë teksa tentonte të pengonte punën e fadromave, por përfundoi në polici dhe forcat e FNSH-së, sipas tij, e kanë goditur. Ai nuk është asnjë moment i qetë dhe shfryn pambarimisht kundër asaj që po i ndodh, jo vetëm toka e marrë, por edhe një forcë e tepruar e ushtruar mbi të. Gruaja dhe fëmijët e shoqërojnë gjatë gjithë ditës. “Plagën e kam nga policia. Vetëm sa kam hyrë në parcelën e mbjellë me grurë. Policia e Shkodrës më ka kapur me dhunë në furgon. Më ka goditur në fytyrë dhe për 6 orë më kanë mbajtur në izolim. Për këmbën kam dhe kartelën e mjekimit në spital dhe recetën e ilaçeve. Nuk është logjike që rruga të devijohet në arat tona sipas dëshirës së disa individëve. Këtu ka korrupsion për të vjedhur sa më shumë para”. Më i shokuar nga të gjithë është më i vjetri i familjeve Ramizi. Thotë se ka ditë që nuk vë gjumë në sy dhe ka humbur qetësinë, kur sheh se prona e tij rrënohet pa me të voglin shqetësim. “Ne familja Sopi kemi dalë për të protestuar ndaj devijimit të mbikalimit të paligjshëm të rrugës dhe jo kundër ndërtimit të autostradës. Devijimi dëmton 25 dynym tokë. Jemi ankuar tek autoritetet lokale dhe s’kemi marrë përgjigje. Për një avlli shtëpie është bërë devijimi. Mbi gra e fëmijë është ushtruar dhunë nga policia. Ne i bëjmë thirrje z.Sali Berisha se në rast se i ka dhënë fjalën popullit të luftojë korrupsionin, i lutemi atij që të dërgojë ekspertët e pavarur e të shohin se çfarë devijimi 360 gradë i është bërë rrugës”.
Të njëjtat pohime bën dhe Xheviti, i cili thotë se nuk do qeveria që t’ua plotësojë dokumentacionin, pasi në rastet e tjera ai është bërë si te rruga ashtu edhe tek aeroporti. “Ka 6 muaj që merrem me këtë çështje. Secila palë i hedh fajin njëra-tjetrës, që nga Tirana e deri këtu në Kukës. Unë i kam zënë firmat ndërtuese natën teksa bënin piketat fshehurazi dhe më kanë thënë se nuk dalin më. Më pas tentuan blerjen e tokës për të mbyllur problemet. Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Andi Toma, ikën me vrap dhe nuk pranon takim me ne. Ne jetojmë 50 frymë me këtë tokë buke. Dikush ka marrë para për këtë devijim. Berisha ma ka kërkuar dhe ia kam dërguar në adresë të e-mailit çështjen dhe jam pa përgjigje. Berisha është i prerë në besë për çështjen tonë dhe nuk është i informuar”, deklaron ai. Sipas Xhevit Sopit, tokat e tyre i kanë ndarë sipas ligjit të vjetër, secili në tokat e veta, dhe askush nuk ka dokumente për tokat e babait.
Bashkë me burrat në protestë kanë qenë dhe gratë. Xhevahirja, e shoqja e Ramiz Sopit, thotë se me grurin e arës rrisin 5 fëmijë, por tani fati i tyre nuk dihet cili do të jetë.
Banorët sulmuan policinë
Nga ana tjetër, policia e FNSH-së dhe ajo e Kukësit duken të vendosura për të bllokuar forcërisht çdo tentativë të banorëve për të penguar punën. Drejtori i policisë së Qarkut të Kukësit, Muharrem Furriku thotë për “Panorama”-n se në secilin rast, uniformat blu kanë zbatuar vetëm ligjin për Policinë e Shtetit. “Kanë qenë disa banorë që kanë sulmuar fillimisht policinë me shishe dhe mjete të forta, kështu që policia ka kundërvepruar për të shmangur sulmin ndaj saj. Ka dalë madje dhe publikisht një grua me thikë në dorë që ishte gati të sulmonte policinë nëse ajo i afrohej. Jo vetëm në këtë rast, por për çdo rast të tillë policia do të veprojë për shkelësit e ligjit dhe do t’u krijojë kushte sigurie dhe normaliteti për punë, ndërtuesve të kësaj vepre të rëndësishme”.