E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheh ish të dashurën me një tjetër, i qëllon të dy me armë për xhelozi

TIRANE- Edhe pse kishte tre vjet që ishte ndarë nga e dashura e tij, edhe pse kishte marrë gjithmonë refuzime nga ajo, sa herë i kishte kërkuar të riktheheshin në lidhjen e tyre, përsëri Fatos Brahimi nuk ka arritur ta fshehë xhelozinë, kur e ka parë vajzën që donte me një djalë tjetër. Madje, e ka shfaqur xhelozinë në mënyrën më të keqe, duke plagosur ish të dashurën dhe mikun e saj të ri sapo është përballur me ta. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Don Bosko” të Tiranës, zonë ku banonte Brahimi, por edhe vajza partnere e tij, studentja 22-vjeçare SH.S.. Burime nga policia bënë të ditur se teksa e ka parë vajzën, me të cilën kishte qenë i lidhur 3 vjet më parë, me mikun e saj G. O., 23-vjeçari me origjinë nga Shkodra nuk ka ngurruar të nxjerrë armën, madje ka shkuar edhe më tej, ka qëlluar drejt djalit me të cilin ishte shoqëruar ish e dashura e tij. Por nga pakujdesia një plumb ka prekur edhe vajzën, duke e plagosur edhe atë. Më pas Fatos Brahimi është larguar. Ndërkohë menjëherë në vendin e ngjarjes, tek shkallët e pallatit Nr.7, në kompleksin e pallateve “Don Bosko”, kanë shkuar shërbime të Komisariatit Nr.3, të cilët janë lajmëruar nga banorët. Gjithashtu, në vendngjarje kanë shkuar edhe oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit. Dy të rinjtë janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, ndërkohë që vetëm disa minuta më pas është arrestuar edhe 23-vjeçari, i dyshuar si autor i ngjarjes së rëndë. Fatos Brahimi pasi është marrë në pyetje në polici ka deklaruar se nuk ka qenë qëllimi i tij që të qëllonte mbi të rinjtë, por vetëm t’i frikësonte, në mënyrë që vajza t’i rikthehej sërish lidhjes me të. Por sipas tij arma i është shkrepur aksidentalisht, jashtë vullnetit të tij, pa dashur që të ndodhte ngjarja që tashmë ka ndodhur. Gjithashtu ai është shprehur se i vjen keq për vajzën, por edhe për personin me të cilin ajo ishte e shoqëruar. Tashmë 23-vjeçari ndodhet në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, me akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje” dhe “të mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, në pritje që të dalë para togave të zeza për të marrë masën e sigurisë. Burime nga Spitali Ushtarak bënë të ditur se studentja 22-vjeçare dhe miku i saj G. O. tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›