Berisha: Dosjet janë djegur, por janë gjyqet
Kryeministri Berisha pranon vërejtjet e komunitetit ndërkombëtar për ligjin e Dosjeve, lidhur me kufizimin e të drejtave, por shton se ky është një kufizim i përkohshëm. Në një intervistë për gazetën “Ilyria”, që botohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kreu i qeverisë u shpreh se “Shiko, pse bëhen vërejtje. Ka të drejtë bashkësia ndërkombëtare. Pse? Sepse kemi të bëjmë me një kufizim të së drejtave, por ky është një kufizim i përkohshëm. Dhe këtë e ka bërë çdo vend, nuk është Shqipëria që ka shpikur këtë gjë. Jo. Shqipëria ka ndjekur një linjë. Po të marrësh ligjet e republikave baltike, janë shumë më të ashpra, ligji polak i kujtesës kombëtare, është me seksione prokurorie dhe gjykate, pra është shumë më i ashpër. Ky i yni është në mes. Eshtë një model çek”. I pyetur se si do të zbatohet ligji i Dosjeve, po të kihet parasysh, se shumë prej tyre janë zhdukur, kreu i qeverisë theksoi se megjithëse shumë prej tyre janë djegur, dosjet e proceseve gjyqësore nuk janë prekur. “Dakord, kjo qëndron, por mendimi i përgjithshëm është që ato që janë duhet të hapen. Shiko, kur kam ardhur në Nju Jork për herë të parë, unë kam thënë që dosjet të mos hapen. Pse? Pikërisht jam nisur nga kjo që thua ti. Por, mendimi im u kundërshtua edhe unë rashë dakord. Unë dija që atë vit, kur isha në opozitë, ata po digjnin çdo ditë dosjet. Megjithatë, ka një gjë: Dosjet e proceseve gjyqësore janë të paprekura. Në qoftë se ka një dokument që ekziston në mënyrë autentike, ato janë proceset gjyqësore. Ato janë të gjitha aty”, vijoi më tej kreu i qeverisë.