E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada jonë, nis në prill

Maratona e bisedimeve për ndërtimin e autostradës Vërmicë - Merdar ka përfunduar të premten. Qeveria e Kosovës ka arritur marrëveshje me kompaninë Bechtel&Enka që në maj të këtij viti të fillojë ndërtimin e “rrugës së kombit”.

Punimet do të nisin simbolikisht më 15 prill, nga Vërmica, në kufi me Shqipërinë dhe për fillim do të ndërtohen vetëm dy segmentet e para, që përfshijnë pjesën deri në Qafë të Duhlës. Ndërkaq, pjesa tjetër e trasesë do të presë derisa të përgatitet projekti përfundimtar.

Financimi i segmenteve të para do të bëhet nga buxheti i Kosovës dhe nuk guxon ta kalojë shumën 120 milionë euro. Marrëveshja e arritur i jep të drejtë Qeverisë që pas secilit segment të përfunduar ta shkëpusë kontratën me Bechtelin. Gjithashtu, kontrata mund të shkëputet edhe në rast se kompania ndërtuese tejkalon shumën e paraparë për investime, në secilin segment.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka premtuar qytetarëve të Kosovës se mjetet për autostradën janë siguruar dhe do të shfrytëzojnë çdo mundësi më të mirë të mundshme që të përmbyllet në afatin më të rregullt.

“Do të vazhdojmë siç kemi kursyer në të kaluarën për të investuar, që të kursejmë në disa sfera të tjera në përshpejtimin dhe përmbylljen e suksesshme të këtij projekti madhor për Kosovë dhe rajon”, ka pohuar Thaçi.

Megjithatë, bisedimet e Ministrisë së Transportit me kompaninë kontraktuese nuk kanë nxjerrë përfundimin nëse do të bëhet devijimi i trasesë nga Shtimja për t’u ikur tuneleve apo do të vazhdohet me tunele.

Ministria do të angazhojë një kompani të pavarur që të bëjë matjet gjeomekanike, matjet gjeologjike dhe të nxjerrë koston përfundimtare të këtij segmenti derisa të përfundojë ndërtimi i autostradës deri në Qafë të Duhlës.

Ministri i Transportit dhe Postë -Telekomunikacionit të Kosovës, Fatmir Limaj, ka shpjeguar se Qeveria e Kosovës me Bechtelin ka lidhur kontratë për të gjithë rrugën, por në përfundim të secilit segment do të ketë vlerësim të veçantë.

“Projekti i autostradës nuk ka qenë projekt i plotë. Ne do të bëjmë edhe një plotësim të projektit. Pra, ekspertizë të saktë rreth kostos se autostradës, pavarësisht faktit që kemi lidhur kontratën”.

Kjo, sipas Limajt, është edhe arsyeja përse nuk është ngutur Ministria të marrë vendim përfundimtar për devijimin e autostradës.

“Ne nuk mund të shkojmë me vlerësime të supozuara se a do të kemi llogari të vazhdojmë për Carralevë apo për pjesën tjetër. Por duhet ekspertizë, sepse mungon projekti për tunelet. Mungojnë matjet gjeomekanike dhe matjet gjeologjike”, shpjegon procedurën e mëtejme Limaj.

Ndërkaq, kostoja përfundimtare ende nuk dihet saktë, por numri një i MTPT-së thotë se çmimi për kilometër sillet rreth 7.5 milionë euro.

“Ne do të shkojmë segment për segment dhe nuk jemi të lidhur për tërë projektin. Segmenti i parë edhe i dytë është detyrim yni financiar nga Vërmica në Prizren, ndërsa për segmentet e tjera varet se a kemi para”, thekson Limaj.

Nëse Qeveria, sipas tij, e vlerëson se për segmentin pasues nuk ka para, atëherë ndërpriten punimet dhe vazhdojnë kur të sigurohen mjetet.

Ai thotë se pjesa më e madhe e trasesë do të financohet nga buxheti, megjithëse i mbetet Ministrisë së Ekonomisë të gjejë burimet alternative për financim nëse nuk e përballon buxheti i Kosovës.

“Financimi do të ketë edhe elemente të kredisë. Kompania na ka ofruar disa oferta. Por kjo varet se a do të ketë interes Qeveria e Kosovës. Pra, kemi disa alternativa për financimin por përzgjedhjen do ta bëjë Ministria e Financave”, pohon Limaj.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, njëherësh pjesë e Komitetit drejtues ndërministror për projektin e ndërtimit të autostradës Vërmicë-Morin-Merdar, ka pohuar se nuk kanë qeverinë bisedime të lehta me Bechtelin.

“MEF-i ka qenë i interesuar që këtë projekt ta përmbyllë me forma të financimit të cilat nuk do të zvogëlojnë angazhimin e Qeverisë në sektorët e tjerë. Do të përpiqemi edhe me forma të tjera të financimeve mundësisht të buta nga sektorët ndërkombëtare financiarë”, është shprehur Shala.

Për këtë projekt, ai ka thënë se e kanë përkrahjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Megjithatë, ka ripërsëritur se i gjithë financimi fillimisht do të bëhet nga buxheti i Kosovës dhe është herët për të thënë se sa do të hyjnë në kredi.

Tashmë nga arka e shtetit dihet se janë ndarë 50 milionë euro, si dhe 50 milionë të tjera për shpronësim. Procesi i shpronësimit, sipas zyrtarëve të Qeverisë, ka gjasë të ndikojë në vonesa të punimeve për autostradën dhe është kërkuar që në Ligjin mbi shpronësimin të bëhen disa amandamente të cilat mundësojnë që projektet të shkojnë me kohë.

Financimi

Në buxhetin e Kosovës, janë vetëm 40 milionë euro të parapara për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Besi, e më vonë deri në Merdar. Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës thotë se dy segmentet e para nga Vërmica deri në Qafë të Duhlës do të ndërtohen me para të buxhetit. Një kilometër do të kushtojë rreth 7 milionë euro, megjithatë nuk dihet kostoja përfundimtare e këtij projekti, pasi që nuk është hartuar projekti për segmentin ku parashihet të bëhet devijimi i trasesë. Kjo do të kushtoj ekstra, varësisht prej terrenit dhe punëve që do të kryhen.

Kompanitë e interesuara

Shtatë kompani në dhjetor të vitit 2009 patën dorëzuar ofertat për ndërtimin e autostradës. Në garë për këtë projekt kanë qenë kompania "Alpine" nga Austria, konzorciumi amerikano-turk "Bechtel Enka", kompania "Makyol" nga Turqia, "Pizzaroti" nga Italia, "Porr" dhe "Strabag" nga Austria dhe "Terna" nga Greqia.

Propozimet fillestare

Qeveria e Kosovës në janar të këtij viti ka miratuar propozimin e Komitetit ndërministror për ndërtimin e autostradës, për të filluar negociatat me kompaninë “Bechtel & Enka”, e cila ka ofruar që ta ndërtojë autostradën që parashihet të jetë rreth 117 kilometra e gjatë me 7.5 - 8 milionë euro për kilometër.
Në rrethin e ngushtë për këtë projekt ishte edhe kompania austriake Strabag, e cila në ofertën për ndërtimin e autostradës, ishte bazuar sipas projektit i cili ekzistonte më herët, që traseja të kalonte nga Merdari, Prishtina, Lipjani, Suhareka, Prizreni, Vërmica dhe kostoja e tërë kësaj, me tunele do të kushtonte 1.3 miliard euro. Ndërkaq, konzorciumi Bechtel & Enka në ofertën e vet kishte propozuar që të eliminoheshin tunelet dhe traseja të kalonte nga Merdari, Prishtina, Sllatina që lidhte aeroportin dhe kalonte nga rruga ekzistuese në Komaran, Arllat, ku më pastaj vazhdon drejt Malishevës, Suharekës dhe Prizrenit. Kjo pjesë 28-kilometërshe është propozuar të shkojë fillimisht pa projekt.

Detajet e autostradës

Gjerësia e rrugës është 28 metra. Rruga do të këtë dy shirita qarkullues me gjerësi 3.5 metra. Do të jetë e tipit të mbyllur me hyrje dalje vetëm nëpër kyçje. Do të ketë mburojë mbrojtëse dhe mure kundër zhurmës. Do të ketë taksë rrugore. Kohëzgjatja e punimeve nga dita e punimit do të jetë për 36 muaj. Numri i punëtorëve për ndërtimin e autostradës në total është rreth 6000 punëtorë, prej të cilëve 4 mijë vendorë. Autostrada do të ketë të njëjtit parametra sikur autostrada Split-Zagreb.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›