E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota si Kosova

Për një orë, e gjithë bota do të bashkëndjejë me Kosovën, për një orë e gjithë bota do të jetë në terr. Pa drita, pa televizor, radio dhe internet. Të gjitha do të ndalen. Ky aksion global ka për qëllim vetëdijesimin e njerëzve për ambientin, i cili ruhet duke kursyer energjinë elektrike. Kështu, të shtunën nga ora 20:30 deri në orën 21:30, duke filluar nga Australia e deri te Kalifornia e Amerikës, një pjesë e madhe do t’i ndalin dritat.

Derisa për gjithë botën kjo do të jetë një sakrificë, për kosovarët duket se do të jetë një natë e zakonshme. Baki Zeneli gjithqysh do të jetë pjesë e këtij aksioni, por kundër vullnetit tij. “Kur unë nuk kam rrymë, krejt bota ka, tash po du me provu se si është me pasë rrymë, kur krejt bota nuk ka. Ishalla nuk ma nalin”, shton Zeneli.

Pavarësisht mllefit të Bakisë, shumë organizata joqeveritare dhe Partia Ekologjike e Kosovës u bëjnë thirrje qytetarëve që edhe Kosova të jetë pjesë e këtij aksioni global.

“Çdo 1 në 6 banorë të Tokës do të fikin dritat si dhe gjithë aparaturat e tepërta elektronike për shtëpitë apo bizneset e tyre. Ky është veprim sa simbolik dhe sensibilizues kundër ndryshimeve klimatike”, thotë Arif Krasniqi, kryetar i kësaj partie.

Sipas tij, energjia elektrike është përgjegjëse për mbi 60 për qind të emetimeve të CO2 në atmosferë. “Secili prej nesh, si çdo qytetar i botës, ka rolin e vet aktiv në përpjekjen globale kundër ndryshimeve klimatike, edhe me veprime të thjeshta si ky i nxitur nga Ora e Tokës”, vlerëson ai.

Ndërsa, për zyrtarët e KEK-ut, ditë të tilla shërbejnë për t’u rikujtuar qytetarëve se sa është i rëndësishëm kursimi i energjisë elektrike. Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK-ut, thotë se në këtë ditë nuk do të ketë reduktime, përveç kategorisë C. Nëse këtë ditë, krejt Kosova i ndal vetëm dritat për një orë, atëherë do të kursehen rreth 40 mijë vat energji elektrike, e që janë të barabarta me 22400 euro.

Edhe ekologu Shyqyri Dumani përkrah këtë iniciativë. Ndonëse ai është kursimtar i rregullt i energjisë elektrike, në ora 20:30 në shtëpinë e tij do të fiken të gjitha dritat.

“Është një kursim i energjisë elektrike. Unë gjithsesi do ta përkrah”, shton ai. Dumani tregon se brenda një ore termocentralet e KEK-ut lirojnë mbi tre tonë pluhur fundërrues dhe po aq fluturues. “Nuk është pak. Doket si një pikë në det, por ndikon shumë pozitivisht edhe në ambient, edhe në kursimin e energjisë elektrike”, vlerëson ai.

"Earth Hour - Ora e Tokës" është një ngjarje globale dhe është konfirmuar si aktiviteti mjedisor me pjesëmarrje më masive në botë.

Ne të gjithë do të nisim një mesazh të fortë për njerëzimin, duke e ftuar të bëjë hapa të vegjël me rëndësi të madhe dhe mesazh për vendimmarrësit. Nga viti i parë i evenimentit kjo iniciative ka njohur rritje nga 1 milion njerëz në Sidnej në 2007, në 1 miliard në gjithë botën më 2009.

Ndërkohë që më 27 mars, në orën 20.30, mbi 1 miliard njerëz në planet do të fikin dritat për 1 orë. Ata japin kontributin modest për të kursyer dyoksidin e karbonit që emeton në atmosferë prodhimi i energjisë elektrike, si dhe për të treguar se ne duam qëndrime të menjëhershme kundër ndryshimeve klimatike.

Kjo, sepse protokolli i Kyotos e ka identifikuar rritjen e efiçiencës së energjisë si njërën nga rrugët më të shkëlqyera për të ulur lëshimet e dyoksidit të karbonit në atmosferë. Kjo është një rrugë që secili nga banorët e planetit mund ta përmbushë me mënyra nga më të thjeshtat.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›