Inspektimi në miniera, marrëveshje me policinë
Problemet e shumta në sektorin e minierave e detyrojnë Ministrinë e Ekonomisë të rrisë rolin e Repartit të Inspektim-Shpëtim Minierës. I gjendur në ceremoninë e inaugurimit të zyrave të reja, ministri Dritan Prifti tha se do të rritet masa e kontrollit në miniera, sidomos në zonën e Bulqizës, falë edhe marrëveshjes me forcat e rendit. “Këto ditë do të firmoset një plan veprimi i përbashkët i METE-s, i Ministrisë së Brendshme dhe i disa instancave të tjera të shtetit për të forcuar ligjshmërinë në Bulqizë, për të forcuar dhe garantuar sigurinë në punë, shëndetin e njerëzve. Pasi të përfundojmë këtë plan veprimi, që besoj se do ta përfundojmë këto ditë, pasi ta kemi konsultuar dhe me Kryeministrin, edhe ju do të keni një detyrë më të vështirë për të vendosur rregull në atë zonë, një nga zonat më kryesore të punës në industrinë e kromit”, tha ministri Prifti.
#