E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada më moderne e rajonit për Vlorën turistike

27-07-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha përuron segmentin Levan-Vlorë. Investimet e qeverisë në Fier dhe Vlorë, 1.2 miliardë euro. Sulmet e Ramës kundër investimeve, arkaikë dhe reminishencë e Kushtetutës së ‘72-it

Autostrada Levan-Vlorë, pjesë e autostradës Tiranë-Vlorë, prej ditës së djeshme është funksionale, me të 4 korsitë e saj, për qarkullim. Përurimi i përfundimit të këtij segmenti të rëndësishëm në rrjetin rrugor të Shqipërisë u bë dje pasdite, në prani të Kryeministrit Sali Berisha, autoriteteve vendore dhe qytetarëve të kësaj zone. Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Berisha duke e vlerësuar autostradën Levan-Vlorë ndër më të bukurat në vend dhe më gjerë, garantoi se Shqipëria do të ketë së shpejti rrjetin rrugor më modern në rajon, për të cilin po punohet çdo ditë, në të katër anët e vendit. Berisha theksoi se ky segment për nga cilësia dhe standardet rrugore, mund të krahasohet me
autostradat e metropoleve të vendeve më të zhvilluara të Evropës e botës, duke i shëmbëllyer bukurive turistike të Vlorës. “Kjo autostradë, e cila me funksionet e strukturën e saj qëndron në lartësinë e bukurive mahnitëse të Vlorës dhe e paraqet atë një qytet modern, i cili po bëhet çdo ditë e më shumë, i njohur në rajon, në Mesdhe e mbarë Europën, për bukuritë e saj të jashtëzakonshme natyrore, për ujërat e brigjet e saj. Inauguruam një nga rrugët më të bukura, më të rëndësishme e më moderne të Shqipërisë dhe të rajonit. Autostradë, e cila në strukturën e saj mund të krahasohet me autostradat e metropoleve të vendeve më të zhvilluara të Evropës e botës”- u shpreh Berisha.
Duke folur për investimet në dy ndër qarqet më të mëdha të vendit, Fierit e Vlorës, Kryeministri theksoi në shifra se në  këto dy qarqe, qeveria ka investuar rreth 1.2 miliardë euro në rrugë, ujësjellës-kanalizime, shkolla, në subvencionimin e ullishtave, vreshtave e drurëve frutorë etj. Berisha tha se javën e ardhshme përurohet një tjetër segment i rëndësishëm ai Levan-Damëz. “Në këto vite, qeveria e kësaj mazhorance ka investuar në dy qarqet e mëdha të Fierit  e Vlorës në rrugë, kanalizime, ujësjellës, centrale e termocentrale, linja elektrike, në energji, naftë dhe të gjithë sektorët në total 1.2 miliardë euro, investim i pa precedent në historinë e këtyre qarqeve. Vetëm në rrjetin elektrik të këtyre qarqeve dhe energji janë investuar rreth 500 milion euro nga buxheti i shtetit. Janë ndërtuar mbi 900 kilometra rrugë, 165 ujësjellës, rreth 120 shkolla. Janë subvencionuar 4200 hektarë me ullinj, vreshta e dru frutorë. Kjo mazhorancë e ka vendosur Vlorën në pozicionet më të larta përsa i përket tërheqjes së turistëve nga rajoni e mbarë bota.
Çdo ditë, siç konstatoni, Shqipëria ndryshon dhe afrohet me projektin që kanë në mendje shqiptarët për të. Sot, ne inauguruam këtë autostradë ndër më të bukurat e rajonit e më gjerë. Në harkun kohor një javor, së bashku do inaugurojmë rrugën Levan-Damëz që përbën një nga rrugët më të bukura dhe arteriet më jetike të vendit, pasi nga fundi i vitit ajo do të lidhë Levanin me Tepelenën dhe do shkurtojë ndjeshëm distancën Gjirokastër-Tiranë dhe Tepelenë-Tiranë. Në të katërt anët e vendit, sot po ndërtohet dhe e vërteta është se kurrë ndonjëherë ky vend nuk ka ndërtuar me këto ritme e shpejtësi dhe ndofta asnjë vend tjetër i këtyre përmasave nuk ka ndërtuar më shpejt, në histori. Në një hark kohor  pak vjeçar, nga viti 2006 e gjer sot, në Shqipëri kanë përfunduar apo janë në ndërtim mbi 10 mijë kilometra rrugë, nga Pogoni e Konispoli në Vermosh, Valbonë e në çdo skaj të këtij vendi. Në të katër anët e vendit po investohen qindra milionë euro në ujësjellës, kanalizime, shkolla e qendra shëndetësore. Çdo ditë, shqiptarët po zbulojnë vendin e tyre, bukuritë e mëdha që ai fsheh dhe potencialin e jashtëzakonshëm që mbart për qytetarët e tij”- tha Berisha.
Sipas tij, Shqipëria, në dallim nga vendet e tjera të rajonit, qëndroi pa rënë në recesion, pa rënë në ndalim të rritjes ekonomike, krizës ekonomike më të madhe që Evropa po jeton që nga vitet ’30 të shekullit të shkuar. Ai theksoi se ndryshe nga vendet e eurozonës dhe ato të rajonit, në Shqipëri po ndërtohet, po hapen vende të reja pune, po hapen biznese të reja. “Po investohet nga shqiptarët dhe investitorë nga mbarë bota. Besimi tek Shqipëria e shqiptarët është sot më i madh se kurrë. Janë jo statistikat e të dhënat e kësaj qeverie, por statistikat e të dhënat e Komisionit Evropian që faktojnë se në Shqipëri rritja ekonomike, në katër vitet e fundit, në krizën ekonomike më të madhe në Evropë, ishte katër herë më e madhe, sesa rritja mesatare e rajonit. Janë këto raporte, të cilat faktojnë se, në dallim nga vendet e tjera, në Shqipëri jo vetëm që nuk u rrit papunësia, përkundrazi, ajo u ul nga viti në vit. Dhe këto para së gjithash nga zhvillimi e fuqizimi i sektorit privat. Dje, statistika e Tiranës faktonte se në kryeqytet, brenda një viti, u krijuan 1200 biznese të reja, u punësuan 6000 vetë. Tirana nuk është ishull. Ju garantoj se nga Velipoja gjer në Ksamil, këtë verë janë të punësuar në turizëm mbi 170 mijë shqiptarë. Në rast se në vitin 2004, Shqipërinë  e vizituan 300 mijë turistë e vizitorë, vitin e kaluar e vizituan 4 milion e 1 mijë turistë e vizitorë. Këto janë disa nga rezultatet e prekshme të reformave tona të përbashkëta. Shqiptarët, me mundin, djersën, por edhe duke shfrytëzuar hapësirat e lirisë që krijojnë reformat tona ekonomike, ndërtuan të dashur qytetare e qytetarë, nga viti 2001 në vitin 2012, shtëpi banimi më shumë se çdo komb tjetër në Europë, përveç lituanezëve, në 30 vite të marrë së bashku. Shqiptarët, që në vitin 2001 kishin banesa për 1 mijë banorë më pak se të gjithë kombet e tjera të Evropës në vitin ’80, në vitin 2011, me vilat, pallatet e apartamentet e tyre, ata kanë lënë mbrapa pesë kombe anëtare të Bashkimit Evropian dhe anëtare të vendeve të zhvilluara të OECD-së”- theksoi ai.
Duke i mëshuar faktit se investitorët e huaj janë besimplotë ndaj klimës së investimeve që ofron Shqipëria, shefi i ekzekutivit iu referua akuzave dhe kërcënimeve të lidershipit socialist ndaj biznesit vendas dhe të huaj. Kryeministri tha se Edi Rama po ndjek filozofinë e regjimit që ndalonte me Kushtetutë investimet e huaja. Ai tha se deklaratat e opozitës për anulim të marrëveshjeve apo koncesioneve me investitorët e huaj, janë arkaikë, anakronikë dhe reminishencë e Kushtetutës së ‘72-it, e cila nuk do të kthehet kurrë më, në Shqipëri. “Nuk duhet të harrojmë se 20 vjet më parë, ne ishim vendi i investimeve të huaja të ndaluara me Kushtetutë, ndërsa sot qëndrojnë në krye të botës për investime të huaja për frymë, që vijnë gjithnjë e në rritje. Një psikologji e së shkuarës i kërcënon investitorët e huaj e investimet. Çdo ditë, zoti Rama, njëlloj sikur të betohej në Kushtetutën e ’76-s, u thotë investitorëve të huaj se do t’jua marrë këtë koncesion apo se do t’ju anulojë atë marrëveshje. Kjo nuk ndodh kund në Europë dhe në asnjë vend të lirë. Kjo ndodh vetëm me këtë opozitë, e cila ka në mënyrë të padiskutueshme reminishenca të një mentaliteti të vjetër e të papranueshëm. Zërat që vijnë për anulim të investimeve, zërat që vijnë për anulim të marrëveshjeve janë arkaikë dhe anakronikë dhe  mund të varen vetën në gozhdën e asaj Kushtetute, e cila nuk do të kthehet kurrë më, në Shqipëri!”- deklaroi Berisha.
Për kreun e qeverisë, rruga e zhvillimit të Shqipërisë është e pandalshme dhe për këtë u shpreh i sigurtë se, investitorë nga e gjithë bota do të investojnë në vendin tonë. “Këtu, nga Vlora, dua t’u bëj thirrje investitorëve nga rajoni, Europa  e bota: Investoni në Shqipëri se këtu do të gjeni klimën më miqësorë për bizneset tuaja, këtu do të gjeni klimën më njerëzorë e më miqësore nga qytetarët e këtij vendi, se shqiptarët do të respektojnë projektet tuaja, ëndrrat tuaja dhe e marrin atë si shkallën më të madhe të besimit. Ne kemi nevojë, siç ka zogu për ajrin, për investimet dhe investitorët e huaj, në mënyrë që të kapin kohën e humbur, në mënyrë që ta vendosim Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara, në mënyrë që fëmijët tanë, qytetarët e këtij vendi të jetojnë njëlloj si qytetarët e vendeve të zhvilluara. Kjo rrugë është e pandalshme!”- theksoi më tej Berisha, duke i premtuar qytetarëve të Vlorës, ndërtimin e shëtitores buzë detit, ndërkohë që, ka përfunduar projekti i Bypass-it të Vlorës, i cili do të kalohet mbrapa në luginën e lumit e do të dalë në Tragjas. Edhe gadishulli i Karaburunit, tha kryeministri, ku turizmi ka njohur një hov të papritur, do të lidhet me një rrugë plotësisht të re. “Ne do të bëjmë edhe projektin e rrugës që do të qarkojë gadishullin e Karaburunit. Ne do të bëjmë gjithçka që pasuritë mahnitëse të këtij rrethi t’i shndërrojmë në vlera të vërteta për qytetarët e Vlorës e mbarë Shqipërisë”- përfundoi ai.
Autostrada
Segmenti Levan - Vlorë, i ndërtuar në standardet më të avancuara bashkëkohore, ka vlerë investimi rreth 60 milionë euro. Me gjatësi 24.5 kilometra dhe gjerësi 24 metra, shpejtësi lëvizjeje 120 kilometra/orë, ajo do të lehtësojë trafikun, do të shkurtojë kohën dhe do të rrisë cilësinë e udhëtimit. Levan-Vlorë shkurton në mënyrë të ndjeshme distancën mes Vlorës-Fierit dhe Tiranës. Autostrada përfshin edhe dy ura: Ura e Ferrasit me gjatësi 385 metra dhe ura e Vjosës me gjatësi 130 metra. Veçanërisht i lartë është impakti i saj në sezonin turistik. Sikundër, duke lidhur dy qarqe të mëdha të vendit, Vlorën dhe Fierin, impakti i saj vlerësohet i rëndësishëm edhe në zhvillimin ekonomik të këtij rajoni.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›