E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avancojnë Prishtina e Peja

Sigal Prishtina dhe Peja e kanë bërë nga një hap të madh drejt kualifikimit në finale të play-offit, pasi në ndeshjet e para gjysmëfinale pa mund të madh mposhtën Trepçën, përkatësisht Bambin. Kështu, prishtinasit dhe pejanët tani vetëm edhe nga një fitore i ndan nga finalja. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 14 maj 2011 në ora 21:19

Sigal Prishtina dhe Peja të shtunën mbrëma e kanë bërë nga një hap të madh përpara drejt finales së play-offit në BKT-Superligën e Kosovës në basketboll, sepse pa problem në ndeshjet e para gjysmëfinale shënuan fitore ndaj Trepçës, respektivisht Bambit.

Prishtinasit sikur e kishin harruar humbjen e pësuar nga Peja në finale të Kupës së Kosovë, duke iu qasur me seriozitet të madh ndeshjes së parë gjysmëfinale të play-offit ndaj Trepçës, të cilën e mposhtën në kryeqytet, me rezultat të thellë, 92:68.

Vetëm në çerekun e parë të ndeshjes, Trepça i bëri ballë ekipit kryeqytetas, pasi kjo periudhë e lojës përfundoi me rezultat 19:19. Por, në dhjetëminutëshin e dytë, vendasit shpërthyen duke i shënuar 29 pikë, krahas 16 sa i pësoi. Kështu, pjesa e parë e lojës përfundoi me rezultat të përgjithshëm, 29:16 për bardhekaltrit.

Sigal Prishtina ishte e papërmbajtshme për Trepçën edhe në çerekun e tretë, duke avancuar deri në 26 pikë. Kjo pjesëlojë përfundoi me rezultat 23:14, apo përndryshe me rezultat të përgjithshëm 71:49.

Në çerekun e katërt, skuadra më e suksesshme kosovare ‘lëshoi pe’, pasi i shënoi vetëm 21 pikë, derisa i pësoi 19 të tilla. Kështu, ndeshja u përmbyll me rezultat përfundimtar, 92:68 për Sigal Prishtinën.

“Pas humbjes në finale të Kupës nga Peja, ne e morëm veten, rikthyem lojën tonë, kthyem motivin për fitore. Trepça nuk kishte forcë që ta përballojë lojën tonë kolektive. Pres fitore edhe në ndeshjen e kthimit në Mitrovicë”, ka thënë pas ndeshjes, kapiteni i Sigal Prishtinës, Edmond Azemi.

Ndërsa, kjo humbje e mundoi trajnerin e Trepçës, Sasha Kataliniq. “Nuk jam aspak i kënaqur me rezultatin e ndeshjes. Në takimin e dytë në Mitrovicë pres ta luajmë lojën tonë, dukshëm më mirë sesa kjo”, ka thënë Kataliniq.

Te vendasit, lojtari më i dalluar ishte Blerim Mazreku me 26 pikë të shënuara, kurse në radhët e mysafirëve më i miri ishte Drilon Hajrizi, i cili realizoi 19 pikë.

Pas kësaj fitoreje, Sigal Prishtina gjendet vetëm një hap larg finales së play-offit. Kryeqytetasve tani u nevojitet vetëm edhe një fitore ndaj Trepçës për ta prekur finalen. Një gjë të tillë ekipi bardhekaltër do të ketë mundësi ta bëjë në mesjavën e ardhshme në Mitrovicë. Por, nëse atje Trepça i revanshohet Sigal Prishtinës, atëherë ndeshja e tretë gjysmëfinale do ta përcaktojë finalistin.

Në anën tjetër, edhe Peja e ka bërë një hap mjaft të madh përpara drejt kualifikimit në finale të play-offit.

Verdhezinjtë të shtunën në Mitrovicë e kanë mposhtur Bambin me rezultat 90:108, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të play-offit.

Ndeshjen e dytë ndaj ekipit serb nga veriu i Mitrovicës, pejanët do ta zhvillojnë para tifozëve të vet, dhe nëse shënon fitore, atëherë kalon në finale. Por, nëse në duelin e dytë eventualisht Peja humb nga Bambi, atëherë ndeshja e tretë do ta përcaktojë finalistin nga ky çift.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›