E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avari me bonot, në treg edhe false

Bonot e privatizimit njohin vlerën më të ulët që prej përfshirjes së tyre në procesin e legalizimit, vetëm 4 %, ndërsa për shkak të ruajtjes së tyre në mënyra jo të përshtatshme, shumë prej tyre janë false ose jo të disponueshme si mjet pagese.

Me dashje apo pa dashje, në tregun e lirë qarkullon një sasi i madhe bonosh jo të rregullta, çka do të thotë se ato nuk disponojnë të dyja vulat, të njomën dhe të thatën, që bankat më pas t’i njohin si mjet pagese për legalizimin e objekteve informale. Sipas një vëzhgimi që gazeta bëri dje në tregun e lirë të valutës, bonot njohin vlerën më të ulët që prej përfshirjes së tyre në procesin e legalizimit, vetëm 4 për qind, ndërsa për shkak të ruajtjes së tyre në mënyra të ndryshme shumë prej tyre janë false ose jo të disponueshme si mjet pagese. Ndërkohë që ata që i kanë blerë ose të interesuarit për blerjen e tyre nuk janë në dijeni, teksa drejtohen tek sportelet e bankave duhet të dinë se një bono është e vlefshme vetëm ku ka dy vula të lexueshme. Me fakt, të interesuarit ndeshen me këtë fenomen vetëm kur ndodhen para sportelit të bankës, e cila ndodh që të kthejë më shumë se gjysmën e shumës në bono vetëm për shkak se në shumë raste bonove u mungon ose vula e njomë, ose e vula e thatë, ose në ndonjë rast këto nuk janë të lexueshme. Edhe pse afati i përdorimit të bonove të privatizimit është shtyrë herë pas here, kërkesa për to është bllokuar. Sipas agjentëve valutorë, kursi i këmbimit të bonove të privatizimit aktualisht është 4% për letrat me vlerë 10 mijë lekëshe, ndryshe nga 10 muaj më parë ku bonot këmbeheshin me 7,2% - 7,3%. Por sipas kambistëve, ato nuk kërkohen. “Nuk kërkohen fare. Kemi dengjet me bono privatizimi në shtëpi dhe nuk po i shesim dot. Ka kohë që interesi ka rënë dhe vlera e tyre në përqindje. Maksimumi 4%. Por përderisa dështoi procesi i legalizimeve, njerëzit ç’i duan?” – u shpreh një kambist në tregun e lirë. Ndërsa më 4 shkurt të 2010-ës, Kuvendi miratoi ligjin nr. 10219 “Për disa shtesa në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, përmes të cilit mund të përfitonin zotëruesit e objekteve informale me funksion banimi apo të përzier, të kualifikuara për legalizim dhe kishin të drejtë të parashtronin kërkesë për pagesën e parcelës ndërtimore me bono privatizimi, sipas përcaktimeve të nenit 1 dhe 2 të ligjit nr.10219. Bënin përjashtim nga ky rregull objektet informale me destinacion social-ekonomik apo që shfrytëzohen sipas këtij destinacioni, dhe shtesat informale në objekte me leje. Në të njëjtën kohë, legalizimi i zonave informale po has vështirësi si proces duke mos përfunduar në kohën e përcaktuar. Njerëzit kanë interes për pagesën e faturave financiare, paraqiten pranë sporteleve, por pagesa e këtyre faturave për sa i përket parcelave është e vogël.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›