E Diel, 1 Nëntor 2026

Trojka, Greqisë: Ulni pagat dhe hiqni shpërblimet

Përfaqësuesit e Trojkës (FMN, BQE, Komisioni Europian) mbërritën mbrëmë në Athinë, për negociatat mbi programin e ri të ndihmës dhe programin e shkëmbimit të obligacioneve. Objektivi i qeverisë është të sigurojë pjesëmarrje sa më të madhe të sektorit privat në programin e shkëmbimit të obligacioneve, me qëllim prerjen e borxhit, por negociatat do të jenë të vështira, sepse pjesëmarrja është ende e ulët. Në këtë mision të cilësuar “faktmbledhës”, Trojka do të shqyrtojë përparimin e programit aktual,. si dhe "do të shkëmbejë pikëpamjet me qeverinë greke mbi çështje që lidhen me programin e dytë të ndihmës". Pritet që Trojka të japë një "goditje" të fortë në sektorin privat, duke kërkuar ulje pagash dhe shpërblimesh, me qëllim reduktimin e mëtejshëm të kostove të punës në këtë sektor. Mediat greke paralajmërojnë se përfaqësuesit e Trojkës do të këmbëngulin sërish në uljen e pagës minimale të punonjësve në sektorin privat. Kjo çështje u diskutua njëherë në muajin tetor dhe shkaktoi tronditje të madhe në shoqërinë greke. Sipas mediave, Trojka do të kërkojë gjithashtu "prerjen" e pagës së 13-të dhe 14-të në këtë sektor, ndërsa ministri grek i Punës, Kutrumanis tha dje se kjo çështje nuk bën pjesë në kërkesat e Trojkës. Gjithashtu, zyrtarët e Trojkës do të bëjnë presion për largimet nga sektori publik, pasi janë të pakënaqur me ritmin e aplikimit të sistemit të punonjësve rezervë. Një tjetër temë e "nxehtë" në diskutimet e zyrtarëve të Trojkës do të jetë edhe ligji i ri tatimor, ndryshimi i rimbursimit të TVSH-së për fermerët, si dhe heqja e regjimit të taksave të posaçme të zbatueshme në ishujt etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›