Avari në avionin e Topit, ulje e detyruar gjatë rrugës për Turqi
TURQI Nuk ka kaluar pa surpriza udhëtimi i djeshëm i presidentit Bamir Topi për në Ankara, ku ai do të takohej me homologun e tij turk Abdulla Gyl. Ka qenë një avari serioze e avionit që po çonte në Turqi presidentin, bashkëshorten e tij si dhe delegacionin, që ka detyruar pilotët të bëjnë një ulje të detyruar emergjente në mes të rrugës. Sipas websajtit turk të lajmeve “WorldBulletin”, Presidenti shqiptar ka arritur në Ankara pas zgjidhjes së problemit me avionin ku po udhëtonte. Topi duhet të arrinte në Turqi të hënën në mëngjes, por ai nuk mundi të ishte në orarin e paracaktuar në axhendë për shkak të avarisë së avionit. Shkak sipas agjencisë turke është bërë ndalesa si pasojë e avarisë. Më pas, autoritetet turke kanë dërguar një avion tjetër për të marrë delegacionin shqiptar për ta sjellë në Turqi. Për shkak të avarisë, takimi mes dy presidentëve u mbajt pasdite vonë dhe jo në mëngjes siç dhe ishte parashikuar.
Takimi
Ndërkohë, në ditën e tij të parë të vizitës treditore, Presidenti i Republikës, Bamir Topi deklaroi se ka ardhur koha për një klimë të qetë politike në Shqipëri. Në takimin me kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek, Presidenti i Republikës theksoi se “një klimë e qetësuar dhe e stabilizuar politike në vend, po ashtu dhe një bashkëveprim dhe koherencë e vendimmarrjeve të rëndësishme në këtë kuadër do të ishin primare në këtë situatë, kur vendi ynë pret të marrë statusin e vendit kandidat për në BE”. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës vuri në dukje se
“i takon klasës politike shqiptare që të reflektojë më tepër në këtë situatë, duke parë dhe vendosur si prioritare në axhendën politike dhe interesat madhore të qytetarëve shqiptarë, sot e për të ardhmen”. Nga ana e tij, kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek vuri në dukje se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit politike në Shqipërinë mike e fqinje, me dëshirën e mirë për një finalizim pozitiv të aspiratës integruese të shtetit dhe të popullit shqiptar, duke vlerësuar dhe rolin institucional të presidentit Topi në këtë drejtim.
Takimi me Gyl
Presidenti i Republikës është takuar dje edhe me homologun e tij turk, Abdullah Gyl. Mes dy presidentëve u zhvillua një takim kokë më kokë, i cili u pasua nga takimi mes delegacioneve respektive, bisedime të cilat u zhvilluan me kryesinë e presidentit Topi dhe presidentit turk, Gyl. Gjatë bisedave u vlerësuan lart marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Turqisë, miqësia dhe lidhjet tradicionale, historike, kulturore midis dy popujve, si dhe u shpreh interesimi i përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të frytshëm reciprok në të gjitha aspektet, sidomos në fusha me rëndësi për zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik të dy shteteve dhe popujve tanë. Më pas, ata zhvilluan edhe një konference për shtypin, ku Presidenti turk u shpreh ndër të tjera se Shqipëria është aleati i Turqisë në Ballkan.