E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi, raporti i KE-së: Shqipëria, përparim të kufizuar

Komisioni Europian pritet që të mërkurën të prezantojë progres-raportin e tij vjetor për vendet që aspirojnë për të marrë statusin e vendit kandidat, apo që nisin bisedimet për anëtarësim në BE.

TIRANË Agjencia zyrtare pranë BE-së, “EuObserver” hedh dritë mbi pikat kryesore, që raporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë do të publikojë pas dy ditësh. Në faqen e saj zyrtare, “EuObserver” bën me dije se “Shqipëria ka bërë ‘përparim të kufizuar’ në mes të një bllokimi politik nga zgjedhjet e fundit elektorale”. Komisioni Europian pritet që të mërkurën të prezantojë progres-raportin e tij vjetor për vendet që aspirojnë për të marrë statusin e vendit kandidat, apo që nisin bisedimet për anëtarësim në BE. Por nisur nga paragrafi i mësipërm, gjasat për Shqipërinë për të fituar statusin e vendit kandidat janë zero, një qëndrim ky që nuk do të pritet me habi nga askush tashmë në Shqipëri. Në raportin e publikuar dje, Kosova së bashku me Islandën cilësohen si dy raste speciale. Në raport thuhet se, Kosova nuk mund t’i bashkohet BE-së, deri sa të 27 vendet ta njohin atë si shtet. Raporti shkruan gjithashtu se Komisioni Europian e sheh Kosovën si një vend me ekonomi dhe siguri të lëkundur. “Papunësia në Kosovë është më e larta në Evropë dhe se nevojitet shumë punë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”. Për Serbinë, anëtarësimi është ende larg, kur dihet se në dhjetor Gjermania do të bllokojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, për shkak të mbështetjes që ajo u jep grupeve paramilitare në veri të Kosovës. Vendimi do të merret nga një grup komisionarësh, ndërkohë që vazhdon presioni ndaj Beogradit për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. Ndërkohë, BE-ja ka përgëzuar Serbinë pas kapjes së të shumëkërkuarve për krime lufte, si Ratko Mlladiç. Për sa u përket aspirantëve të tjerë të Ballkanit që kërkojnë të aderojnë në BE, Kroacia, sipas raportit “mund” t’i bashkohet BE-së në 1 korrik të vitit 2013. Por nga ana tjetër, zyrtarët e BE-së do të dërgojnë një mision special për të monitoruar përpjekjet që bëhen në luftën kundër nivelit të lartë të korrupsionit. Mali i Zi dhe Maqedonia janë në krye të listës për sa i përket progresit në reforma. Bosnja cilësohet si një shtet i “paralizuar dhe ku mbizotëron konfrontimi” mes serbëve etnikë dhe myslimanëve”. Në Turqi mbetet ende problematik garantimi i të drejtave themelore dhe liria e shprehjes. Në kapitullin për Turqinë thuhet se, “me gjithë progresin e bërë në 10 vitet e fundit, kërkohen përpjekje edhe më të mëdha në të drejtat themelore për sa i përket lirisë së shprehjes”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›