Avaz: Vrasja e pesëfishtë dhe tensionet çojnë në luftë qytetare

Gazeta e përditshme boshnjake “Dnevni Avaz” ka shkruar një reportazh mbi Maqedoninë, duke theksuar se vrasja e pesëfishtë dhe tensionet ndëretnike do ta çojnë vendin drejt një lufte qytetare.
Gazeta ka cituar profesoreshën e Institutit për Siguri, mbrojtje dhe Paqe pranë Universitetit të Shkupit, Biljana Vankovska, e cila ka theksuar se jo vetëm vrasja e pesëfishtë, por edhe ngjarjet e muajve të fundit në Maqedoni, më së miri ilustrojnë gjendjen e një paqe të papërfunduar, një konflikti të papërfunduar, por edhe lidhjet me zhvillimet e tensionuara në rajon në linjën e një konflikti, transmeton INA.
Sipas saj, rajoni i Ballkanit gjatë kësaj kohe gjendet pezull dhe se qytetarët janë të shqetësuar për shkak të tranzicionit të pafund dhe veprimit të pandërprerë të grupeve radikale.
Gazeta shkruan se Maqedonia ka probleme me marrëdhëniet ndëretnike dhe mosbesimin midis tyre. Nën skenaret e ndryshme sipas “Dnevni Avaz” synohet ndryshimi i kufijve në Ballkan.