Nedelkovski Nje Breivik per shqiptaret
Në një kohë që terroristi norvegjez Anders Bering Breivik po gjykohet në Oslo për vrasjen e 77 personave të pafajshëm, gazetari Milenko Nedelkovski, shoumeni në Televizionin “Kanal 5”, ka mbështetur publikisht përmes profilit të tij në “Facebook”, idenë e një Breiviku edhe në Maqedoni. Komenti i tij pason pas një komenti tjetër në profilin e tij nga miqtë e tij, ku Breivik lartësohet në hero dhe thuhet se “maqedonasit kanë nevojë për një të tillë, sepse vetëm ai do të ‘kryente punë’ me ata që vranë katër fëmijët maqedonas”. “Në Norvegji i çmenduri kishte vrarë gjithçka që lëvizte në ishull – ditë zie. Ne, çfarë presim? Milenko pse e quan njeriun të çmendur? Një person i tillë na duhet edhe neve këtu në Maqedoni! Duket se edhe ai ka qenë një prej atyre të cilëve i ishte bërë e tepërt të shihte se si në vendin e tij amë, mbledhin, ushqejnë dhe kujdesen sikur të jenë gjarpërinj, çfarëdo tipi afrikan dhe aziatik, i cili më vonë ua bën norvegjezëve të njëjtën gjë të cilën ata (mendohet SHQIPTARËT) ua bënë 4 fëmijëve maqedonas të premten! Vetëm për dallim nga maqedonasit tanë, në Norvegji u gjet një person të reagojë kundër kësaj. Seriozisht të them, për mua një person i tillë në Maqedoni do të ishte hero! Hero i historisë bashkëkohore maqedonase. “Jovan, nuk është se as mua nuk më ka shkuar mendja në të njëjtën. Një i tillë hero, në vendin dhe në kohën e duhur, do të zgjidhte shumë punë dhe shumë dilema”, thotë në komentin e tij Nedelkovski. Kjo nuk është hera e parë që ky gazetar maqedonas shfryn publikisht të tërë urrejtjen patologjike që ndjen për shqiptarët, transmeton “Zhurnal”.