Aventura ver(i)ore
1. Vetura, veriu dhe ministri
Janë njerëzit e gjallë dhe të besueshëm që e konfirmojnë këtë ndodhi: një ditë në Prishtinë një qytetareje të Republikës së Kosovës i vidhet vetura. I ati i saj e paraqet rastin në polici, dhe kjo polici bëhet sikur i kërkon vjedhësit. Kalojnë orë, ditë e javë dhe policia nuk arrin asnjë sukses gjatë kërkimeve të saj. Befas një polic hap zemrën dhe gojën dhe i thotë qytetarit të shkojë në Graçanicë te një serb, te njëfarë Dragani (emër i ndryshuar). Dragani, sipas policit kosovar, i di të gjitha. Ai mban lidhje me jug e me veri të Kosovës, me serbë e me shqiptarë, me romë e cincarë, me viktimat dhe me të fortit, me vjedhës veturash dhe me dilerë të kokainës. Qytetari shkon në Graçanicë. Dragani i merr shënimet për veturën e vjedhur, thërret diku dhe dikë në telefon, pastaj tregon se vetura gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës. Vjedhësit kërkojnë aq shumë para për të kthyer veturën saqë qytetari vendos të mos i hyjë kësaj aventure. Pikante ishte se gjatë takimit, Dragani, për të treguar sa i rëndësishëm është, kishte telefonuar edhe politikanë shqiptarë në Prishtinë, të cilët i shohim shpesh në televizor. Mes tyre Dragani kishte folur edhe me një burrë me tipare pispilinge, që prej vitesh ulet në njërin prej shumë kolltukëve të kabinetit të Hashim Thaçit. Veriu? Veriu! Po, veriu nuk është vetëm problem i shkaktuar nga kriminelët serbë. Ata nuk do të mund të bënin biznes në këto përmasa pa mbështetjen e vjedhësve, politikanëve të kriminalizuar dhe kodoshëve shqiptarë. Nga ky biznes kanë jetuar mirë serbë e shqiptarë, kanë rrjepë para e prona njerëzit e afërt me të gjitha qeveritë e deritanishme të Kosovës (në këtë kuptim qeveria e Hashim Thaçit është vetëm vazhduese e traditës së fëlliqtë dhe nëse këtë traditë e ndërpret kryeministri, atëherë ai e ka kufizuar pak dëmin që i shkaktohet buxhetit të Kosovës). Serbët e kanë kontrabanduar benzinën, shqiptarët e kanë blerë. Nga ky biznes kanë përfituar ekstremistë serbë dhe të ashtuquajturit, komandantë të UÇK-së, të cilët nga qytetarët e Mitrovicës me shpoti quhen administratorë rajonalë. Pra, para se mileti shqiptar i Kosovës të sëkëlldiset kundër shkijeve barbarë që na e vranë një polic (pa dyshim njërin prej më të mirëve që kishte Kosova), duhet të kihet parasysh se nga eldoradoja e krimit të organizuar në veri përfitues kanë qenë edhe jo pak shqiptarë. Zonat jashtë ligjit përherë tërheqin të gjitha krijesat e dyshimta njerëzore. Ato janë arena kalërimi për gangsterë dhe politikanë të korruptuar, kriminelë dhe vjedhës pulash e veturash si dhe tregtarë ilegalë të mallrave fitimprurëse. Prandaj, në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG) thuhet se veriu, ashtu si pjesa tjetër e Kosovës, vuan nga imazhi i keq, i cili ndërlidhet me anarki dhe kontrabandë. Theksi vihet te si pjesa tjetër e Kosovës! Dhe këtë na e ilustron egërsisht ministri i Hashim Thaçit që telefonon me krerë të krimit në Graçanicë, të cilët janë të lidhur me sivëllezërit e tyre në veri të Mitrovicës.
2. Politikë me narezakë
E përmendëm këtë rast për të tërhequr pak vëmendjen te thelbi i problemit: mosgatishmëria shumëvjeçare për të luftuar krimin si te pala shqiptare, ashtu edhe te ajo serbe. Presidenti serb, Boris Tadiqi, u përpoq ta shpërndajë fajin për krimin në Mitrovicë dhe gjetiu në veri, duke aluduar madje se pika kufitare në Jarinje mund jetë djegur edhe në bashkëveprim me shqiptarët. Ishte një përpjekje qesharake për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta në veri. Atje ende është aktive struktura mafioze, kriminale dhe politike e regjimit të Slobodan Milosheviqit. Pas rrëzimit të tij në hinterlandin e Mitrovicës pushtetin e morën edhe të ashtuquajturit rojtarë të urës, një ekip i bashkëpunëtorëve të paramilitarit Arkan dhe të shërbimit sekret UDB, siç shkroi këto ditë gazetari i njohur nga Beogradi Millosh Vasiq. Në krye të bandës sot qëndrojnë Marko Jakshiqi dhe Milan Ivanoviqi, dy militantë të partisë së Vojislav Koshtunicës. Kryetari serb, Boris Tadiq, nuk ka treguar gatishmëri të ballafaqohet me këtë strukturë kriminale nga frika se mund të prishet drejtpeshimi politik në veri. Çdo ndryshim në veri mund të sjellë kontroll më të rreptë të krimit, ndoshta edhe luftim të kësaj dukurie, kështu që pastaj do të shtrohej pyetja e integrimit të rajonit në Kosovë. Për këtë zhvillim Tadiqi nuk ka interes, sepse veriu duhet të shërbejë si një lloj investimi për kusuritje territoriale me Kosovën gjatë bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian. Në këto synime Tadiqi shpesh është edhe konfuz. Qe disa muaj ai është përpjekur që idenë e ndarjes së Kosovës ta plasojë në opinionin shqiptar dhe për këtë aleatë i ka (pasur) kuajt e Trojës në livadhin publicistik në Prishtinë e Tiranë, zakonisht fjala është për mashtrues ordinerë, të cilët për një grusht para e shesin dinjitetin dhe shtetin njëkohësisht. Sa më mirë që i kanë punët mashtruesit publicistikë, aq më keq i kanë punët Kosova dhe Shqipëria. Tadiqi shqiptarëve u flet mes rreshtave, ndërsa për opinionin e huaj është shumë i hapur. Në intervistën dhënë gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, në fillim të qershorit, kryetari serb tha se Beogradi do të mund të jetonte me Shqipërinë e Madhe nëse për këtë arrihet marrëveshje. Më parë ai i kishte bërë thirrje Tiranës: Hajde të merremi vesh dhe ta ndajmë Kosovën. Duke e parë se në arenën ndërkombëtare nuk i shkrepi ideja për ndarjen e Kosovës Tadiqi të shtunën në Kuvendin e Serbisë në adresë të opozitës nacionaliste tha: Sepse ne, besuan apo jo radikalët, e kundërshtojmë Shqipërinë e Madhe, ashtu siç e kundërshtojmë Serbinë e Madhe për dallim prej jush. Para dy muajsh Tadiqi ishte përkrahës i Shqipërisë së Madhe, sot është kundër!
Ti kthehemi veriut: shqiptarët kanë menduar se problemin do tua zgjidhë e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare dhe deri atëherë ne mund të blejmë plazma-keksa e narezakë sa të duam. Serbët kanë kujtuar se republika e tyre e ëndrrave, me shtrirje nga Leposaviqi deri te ura e Ibrit në Mitrovicë, do të jetë e përjetshme edhe falë bashkëpunimit me kriminelët shqiptarë. Kuptohet se për katrahurën e krimit në këtë pjesë të Kosovës faj bartin edhe misionet ndërkombëtare. Por, ato smund të bëhen përherë përgjegjëse. Fundja, ky nuk është vendi i tyre. Është përgjegjësia e vendorëve, në radhë të parë. Dhe vendorët kanë heshtur ose janë mjaftuar me protesta të vakëta rutinore. Derisa Zorani e organizon kontrabandën falë lidhjeve me një Agim dhe derisa Agimi përherë shpreson se punët e pista ia kryen Zorani, Kosova nuk mund të shkëputet nga krimi. Këtu nuk bëjnë punë klithmat qesharake kundër misioneve ndërkombëtare të pseudo-publicistëve, të cilët janë dëshmuar herë si bashkëpunëtorë të zellshëm të shërbimeve sekrete serbe, herë si skribomanë dhe hyzmeqarë të tyxharëve politikë rusofilë, të cilëve në Kosovë u prinë zëvendësi i parë (prvi zamenik) i Hashim Thaçit.
3. Nëpër mjegull
Ideja për të kontrolluar çdo pikë kufitare nga policia dhe doganierët e shtetit të Kosovës është legale dhe legjitime. Por, kur një gjë e tillë bëhet me aksione nate dhe nëpër mjegull politike, atëherë skepticizmi nuk mund të zhbëhet. Në këso situatash në sipërfaqe dalin vetëm naivët, të cilët ekzaltohen me aksione të papërgatitura që ndërmerren edhe për të larguar vëmendjen nga korrupsioni dhe krimi dy të këqija, mes shumë të tjerave, që po e gërryejnë Kosovën. Është e kuptueshme dhembja që shfaqet për vrasjen e një polici special, në motivet e mira të të cilit nuk duhet pasur asnjë dyshim. Por, a përputhen motivet e Enver Zymberit me motivet e Hashim Thaçit? Mbetet të shihet, koha do ti shpalosë të gjitha, siç i k
