Aveny në Tirana Express
Laurie Anderson është një ndër artistet më të rëndësishme në skenën botërore të artit bashkëkohor të shekullit XX. Këto tridhjetë vitet e fundit ajo ka krijuar shumë vepra të rëndësishme arti duke filluar nga performansat-recitale e deri te evenimentet multimediale. Gjithashtu puna e saj është parë edhe në film, muzikë, instalacione, letërsi, fotografi dhe skulpturë. Është e njohur performansa e vitit 1978 në New York, gjatë së cilës performoi në violinën e saj, duke qëndruar mbi një kub akulli, derisa akulli u shkri tërësisht. Laurie Anderson, në dokumentarin e Lorik Sylejmanit, Aveny, rrëfen për bashkëpunimet e shumta, duke filluar nga William Burroughs e deri te bashkëpunimi dyvjeçar me NASA-n.
Në dokumentarin tjetër nga Aveny, paraqitet kult bendi avangard slloven nga Lubjana, Laibach. Laibach në skenën muzikore u paraqitën së bashku me Irwin, pjesa e artit viziv, Sister Scipion Nasice si pjesë e trupës teatrore e cila kohët e fundit vepron në emrin Noordung, projekti i astrofizikanit slloven Potoçnik. Kjo lëvizje sot, në skenën e artit bashkëkohor njihet si Neue Slowenische Kunst qe rrugëtimin e vet e nisi nga punk skena alternative dhe elektronike e Lubjanës, provokimin permanent me citatet e shenjave naziste, atyre socrealiste dhe avangardiste.
Gjithashtu pjesë e këtij prezantimi do jetë edhe DJ/VJ sesioni nga Lorik Aveny ku do të prezantohen bendet e viteve të 80-ta të skenës new wave, rock alternativ dhe new romantic si: Bankrot, Lindja, Vivien, Calif De funk, Tempujt e Heshtjes, Gjurmët e të tjerë, ndërsa fotografja Mersina Xhemajli – Meri prezantohet me katër foto, qe krijojnë përshtypjen e një tregimi/filmi të shkurtër nga jeta urbane.
Pas ekspozitës, ne orën 22 e 30 në po të njëjtën skenë do të performojë bendi suedez, House of Trees.