E Diel, 1 Nëntor 2026

Avionët mbi Egje tensionojnë marrëdhëniet Greqi-Turqi

Greqia deklaron se 14 aeroplanë ushtarakë turq kanë kryer provokime ditën e martë në hapësirën ajrore dhe detare mbi ishujt grekë Farmakonisi, Furnus dhe Agathonisi. Pas një telefonate proteste të atasheut ushtarak të Greqisë në Ankara ndaj organeve të Ministrisë së Mbrojtjes turke, vetë ambasadori grek në kryeqytetin turk, Fotis Ksidhas, i ka dorëzuar një notë proteste zv/ministrit të Jashtëm, Hajdar Beg për shkeljet e vazhdueshme të hapësirës ajrore të Greqisë.

“Këto incidente janë përballuar nga forcat ajrore dhe janë kryer edhe lëvizjet e nevojshme nga ana e Ministrisë së Jashtme”, ka komentuar zëdhënësi i qeverise greke Evangelos Andonaros. Ndërsa partitë opozitare kanë kritikuar qeverinë për pamjaftueshmëri në politikën e saj të jashtme.

“Turqit po e privatizojnë krejtësisht pjesën lindore të detit Egje, duke krijuar kushtet e një mbizotërimi total, me tolerancën e qeverisë greke dhe Greqia do të paguajë shtrenjtë përllogaritjet e zonjës Bakojanis”, ka thënë një prej udhëheqësve të kësaj partie.

Sipas palës greke, Turqia  duket se nuk dëshiron të ruajë dhe të respektojë moratoriumin e nënshkruar në vitin 1988 nga ministrat e Jashtëm të atëhershëm të dy fqinjëve, Papulias dhe Gilmaz, sipas të cilit në muajt e verës dy shtetet nuk duhet të krijojnë provokacione ushtarake për të mos penguar industrinë e turizmit.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›