E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ debaton për ankimimet e qarkut të Shkodrës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e PS-së për rinumërimin e rivlerësimin e votave  në qarkun e Shkodrës. Ankesa e Partisë Socialiste ka të bëjë me pretendimet për parregullsi gjatë numërimit të votave në KZAZ-në nr. 40, 41, 42, 43 e 44.

Pas dëgjimit të pretendimit të palëve, nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi duke mbështetur ankesat në fjalë kërkoi nga Komisioni hapjen e kutive të votimit dhe rinumërim të votave. Sipas kësaj dispozite kur dy anëtarë të KQZ-së kërkojnë rinumërim ose rivlerësim të votave të caktuara KQZ është e detyruar ta plotësojë këtë procedurë.

Por, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani u shpreh kundër këtij propozimi, i cili u rrëzua me shumicë votash nga Komisioni pas hedhjes në votim. Sipas tij "KQZ është e detyruar të bëjë rinumërim dhe rivlerësim kur kërkohet nga dy anëtarë vetëm për vota të caktuara. Kërkesa e PS-së në këtë rast nuk është rinumërim për vota të caktuara, por për rinumërim të votave për një qark të tërë dhe kjo nuk është kompetencë e parashikuar në Kodin Zgjedhor, ndaj dhe kërkesa e dy anëtarëve është e pabazuar në ligj", sqaroi kreu i KQZ-së.

Vendimmarrja për të tre ankesat nga KQZ pritet të jepet zyrtarisht në mbledhjen e pasdites, në ora 17:00.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›